Tahiri: Lufta kundër korrupsionit është betejë e vazhdueshme kudo e në secilin sistem politik

Aktuale

Tahiri: Lufta kundër korrupsionit është betejë e vazhdueshme kudo e në secilin sistem politik

Më: 12 prill 2023 Në ora: 18:32
Besnik Tahiri

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se është e nevojshme një analizë më e hollësishme në raport me efektet që ka krijuar Ligji për Deklarimin e Pasurisë.

Në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Legjislacion, Tahiri ka thënë se deklarimi online është një hap para në lehtësimin dhe forcimin e mbikëçyrjes ndaj zyrtarëve publikë.

“Sot, në Komisionin Parlamentar për Legjislacion, lidershipi i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit prezantoi raportin vjetor për vitin 2022. Në këtë takim shtrova nevojën për një analizë më të hollësishme në raport me efektet që ka krijuar Ligji për Deklarimin e Pasurisë. Vlerësova se deklarimi online është një hap përpara në lehtësimin dhe forcimin e mbikëqyrjes ndaj zyrtarëve publikë, që janë të obliguar të bëjnë deklarimin në fjalë”, ka thënë Tahiri.

Ai ka shtuar se lufta kundër korrupsionit është betejë e vazhdueshme në secilën shoqëri dhe sistem politik.

“Kërkova që të këtë një takim në mes të APK-së dhe Komisionit, në mënyrë që të diskutohet në detaje ecuria e zbatimit të dy ligjeve që afektojnë agjencinë. Lufta kundër korrupsionit është betejë e vazhdueshme në secilën shoqëri dhe sistem politik. Si vend duhet të bëjmë gjithçka që ta mposhtim këtë fenomen”, ka përfunduar Tahiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat