5 votime 4 dështime, mes tyre edhe Projektligji për Prokurorin e Shtetit

Aktuale

5 votime 4 dështime, mes tyre edhe Projektligji për Prokurorin e Shtetit

Më: 13 prill 2023 Në ora: 06:51 Përditësuar në ora: 12:59 më 13.04.2023
Foto nga Kuvendi i Kosovës

5 votime 4 dështime, mes tyre edhe Projektligji për Prokurorin e Shtetit

Një nga pikat e rendit të ditës në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ishte edhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Prokurorin e Shtetit. Por miratimi i këtij projektligji ka dështuar meqë opozita nuk mori pjesë në votim.

Në votim morën  pjesë vetëm 50 deputetë kurse kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka thënë se kjo pikë e rendit të ditës do të bartet në seancën tjetër.

Sidoqoftë, në seancën e së enjtes, nuk u miratuan as amendamentet e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive ekzekutive.

Nga  70 deputetë sa ishin në sallë, vetëm 46 kanë marr pjesë në votim ndërsa  nuk pati  kuorum as për miratimin e Raportit të auditimit të teknologjisë së informacionit “Sistemi për menaxhimin e pagave”.

Kjo pasi vetëm 50 deputetë kanë marr pjesë në votimin e kësaj pike.

Gjithashtu deputëtët nuk arritën ta kalojnë as rekomandimin lidhur me Raportin e auditimit: “Funksionimi i sistemit të Grantit të performancës komunale dhe menaxhimi i projekteve të financuara nga donatorët për vitin 2021”. Kjo pasi vetëm 49 deputetë kanë marr pjesë në procesin e  votimit.

Pikë e fundit e rendit të ditës së kësaj séance ishte propozimi i Grupit Parlamentar të  LVV-së për zëvendësimin e anëtarëve në komisionet parlamentare.

Në seancën e së enjtes deputetët kanë miratuar propozimin e kësja partie për zëvendësimin e ish-deputetit të saj, Fatmir Humolli, me deputetin Dimal Basha, si anëtar në Komisionin për Siguri.

Me 83 mijë euro, ‘Hidro-Drini’ rehabiliton ujësjellësin në tri komuna

Deputeti Agon Batusha nga LVV, pyeti ministren e  Ekonomisë, Artane Rizvanolli në lidhje me lagjen “Agim Ramadani” në Junik, e cila furnizohet me ujë nga një burim i quajtur ‘Shkozë”.

Por deputeti tha se ky ujë është i një cilësie jo të mirë dhe pas ndonjë vërshimi qoftë edhe i lehtë, turbllohet dhe nga nga Instituti i Shëndetit Publik dhe Ministria e Shëndetësisë, banorët janë rekomanduar që ta vlojnë ujin para përdorimit.

Deputeti tha se pjesë të tjera të Junikut furnizohen me ujë më të mirë  kurse lidhja e kësaj lagjjeje me pjesë të tjera për furnizim me ujë, ka qenë premtim elektoral i fushatës zgjedhore komunale, por i pa realizuar.

Deputeti tha se duke parë papërgjegjëshmërinë e nivelit komunal për këtë problem, kërkon të dijë nga ministrja se cila është mundësia që ky problem të zgjidhet nëpërmjet Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidro Drini”.

Nga ana e saj, ministrja Rizvanolli tha se kjo çështje është adresuar me manaxhmentin e KRU “Hidro-Drini”, por këta të fundit kanë deklaruar se nuk kanë pranuar ndonjnë ankesë zyrtare për cilësinë e ujit në lagjen “Agim Ramadani” në Junik.

“Megjithatë, ‘Hidro-Drini’ ka paraparë për vitin 2023, buxhet në vlerë prej 83 mijë euro për rehabilitimin e ujësjellësit në tri komuna, Istog, Klinë e Junik”, tha ministrja Rizvanolli.

Sipas saj, tenderi parashihet të hapet me 1 qershor dhe aty parashihet edhe rehabilitimi i ujësjellësit për lagjen “Agim Ramadani” në Junik.  

Nagavci tregon pse çerdhja në Istog ka tri vjet që s’po të ndërtohet

Deputetja Arijeta Rexhepi nga LVV tha se dëshiron të ngrisë një shqetësim të qytetarëve të Istogut, në lidhje me projektin për ndërtimin e një çerdhjeje publike.

Ajo tha se ndërtimi ka filluar të bëhet në vitin 2019, por pas pandemisë, kompania ka kërkuar para shtesë. E  nga ajo kohë, nuk ka asnjë marrëveshje për rifillim të punimeve.

Prandaj deputetja Rexhepi pyeti ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, se cilat janë hapat që kjo ministri ka parashikuar të ndërmarrë që ky projekt të përfundojë sa më shpejtë.

Nga ana e saj, ministrja Nagavci tha se kontrata ishte nënshkruar mes MASHT-it dhe kompanisë “Menti” në vlerë prej 669 mijë e 639 euro.

Ministrja tha se kjo kontratë tashmë ka skaduar dhe aq sa është njoftuar, operatori përgjatë tri viteve ka punuar me ritëm jo të kënaqshëm duke mos pasur angazhim në punishte, përkundër insistimit të zyrtarëve të ministrisë që punimet të kryhen sipas kontratës.

Me aq sa jam njoftuar nga zyrtarët kompetent, punimet janë realizuar rreth 55% të kontratës”, tha Nagavci, duke shtuar se bazuar në situatën aktuale, është rekomanduar nga zyrtarët përkatës, iniciimi i procedurës për ndërprerje të kësja kontrate.

“E për pjesët e tjera të punës të lidhet kontratë me oprator tjetër që do të jetë i përgjegjshëm”.

Aliu: Mbi hekurudhën në Kaçanik, dy mbikalime, i treti në shqyrtim

Deputeti Milazim Salijaj nga LVV,  ngriti shqetësimin se me rehabilitimin e linjës hekurudhore Prishtinë-Han i Elezit, qyteti i Kaçanikut, për shkak të barrierave, mund të ndahet në dy pjesë.

Ai tha se me qëllim të lidhjes së qytetit, për shkak të nxënësve të dy shkollave dhe udhëtarëve, banorët kërkojnë ndërtimin e së paku dy mbikalimeve dhe një nënkalimi për automjete.

Duke iu drejtuar ministrit të Infrastruktirës, Liburn Aliu, deputeti Salijaj tha se ndërtimet e tyre janë domsdoshmëri, prandaj pyeti nëse do të ketë mundësi që në kuadër të rehabilitimit të linjës hekurudhore, të bëhet edhe ndërtimi i këtyre dy mbikalimeve dhe një nënkalimi.

E ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, duke iu përgjigjur kësaj pyetjeje tha se pas kërkesave dhe peticioneve të qytetarëve, ministria është marrë me këtë çështje, e madje atje ka qenë edhe zëvëndësministri i Infrastrukturës.

“Aktualisht jemi në fazën e projektimit të dy mbikalimeve në afërsi të dy shkollave dhe në momentin që projektet të jenë gati, do të shpallet tenderi që këto dy mbikalime të realizohen”, tha ministri Aliu.

Ai shpjegoi se tashmë është ndarë edhe buxheti për realizimin e këtyre dy mbikalimeve.

E sa i përket nënkalimit, ministri Aliu tha se në konsultime dhe me Infrakosin, ndërtimi i tij, praktikisht është i pamundur, edhe për shkak të lumit.

Aliu tha se niveli nënkalimit është nën nivelin e lumit dhe aty do të shikohet mundësia e ndërtimit të një mbikalimi.

Kuvendi nuk ka kuorum për votimin e dy projektligjeve

Në Kuvendin e Kosovës sot nuk pari kuorum për t’u votuar amandamentet e dy projektligjeve.

Sot nuk u votua “Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të Agjencive Ekzekutive”.

Po ashtu nuk u votua as Projektligji për Prokurorin e Shtetit.

Kryetari i Kuvendi të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se nuk ka numër të mjaftueshëm të deputetëve për të votuar këto projektligje.

Shqipe Selimi: Veteranët s’po mund t’i gëzojnë të drejtat pasi Prokuroria s’e ktheu arkivin e ZKM-së

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Selimi ka kërkuar që Prokuroria t’ia kthejë Zyrës së Kryeministrit arkivin e veteranëve, të cilin e kishte marrë për t’i hetuar listat e veteranëve të luftës.

Hetimi për listat e veteranëve ka nisur që nga viti 2016. Tashmë janë bërë 7 vjet nga fillimi i hetimeve dhe 5 vjet nga ngritja e aktakuzës dhe Selimi thotë se nga mungesa e arkivit të veteranëve, atyre po u shkelen të drejtat.

“Si pasojë, nga ajo kohë e deri më sot, veteranët, duke përfshirë edhe invalidët e luftës nuk mund të pajisen me dokumentet, vërtetimet apo certifikatat për të cilat ata kanë shumë nevojë. Për ta thjeshtësuar, një veteran, në mungesë të një dokumenti të thjeshtë nuk mund t’i gëzojë të drejtat e tij që i takojnë me ligj”, tha deputetja.

Selimi tha se nëse arkivi nuk do të mbetej kaq gjatë në Prokurori, “edhe mund të kuptohej”.

“Sa vite i duhen Prokurorisë për ta bërë një hetim të tillë?”, pyeti ajo.

“Kërkojmë t’i kthehet arkiva zyrës përkatëse, duke qenë të bindur se kjo nuk i pengon hetimet e mëtejshme”, tha Selimi.

Haradinaj kërkon që të shtyhet data e zgjedhjeve në veri

Deputetët janë mbledhur këtë të enjte për të zhvilluar një seancë plenare.

Në rend të ditës janë shtatë pika dhe më e rëndësishmja është pika e katërt pasi bëhet fjalë për shqyrtimin e dytë të projektligjit  për prokurorin e shtetit.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar që të shtyhet data e zgjedhjeve për katër komunat në veri të Kosovës.

Ai ka propozuar që institucionet përgjegjëse të mos presin deri në ditën e fundit dhe të ballafaqohen me humbje të plotë.

Kujtojmë se data e caktuar për mbajtjen e zgjedhjeve është 23 prill.

Kuvendi mban një minutë heshtje për tetë të rënët në betejën e Istogut

Deputetët janë mbledhur këtë të enjte për të zhvilluar një seancë plenare.

Në rend të ditës janë shtatë pika dhe më e rëndësishmja është pika e katërt pasi bëhet fjalë për shqyrtimin e dytë të projektligjit  për prokurorin e shtetit.

Deputeti Bekë Berisha ka kërkuar që të mbahet një minutë heshtje për tetë të rënët në betejën e Istogut.

“E kam një kërkesë, dje 24 vjet më parë, 8 djem të ri ranë në betejën në Istog. Atëherë le ta mbajmë një minutë heshtje për ta”.

Haxhiu (PDK): Po bëhen dy muaj prej se Trusti është pa bord

Deputetët janë mbledhur këtë të enjte për të zhvilluar një seancë plenare.

Në rend të ditës janë shtatë pika dhe më e rëndësishmja është pika e katërt pasi bëhet fjalë për shqyrtimin e dytë të projektligjit  për prokurorin e shtetit.

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka thënë se po bëhen dy muaj prej se Trusti është pa bord.

“Po bëhen gati dy muaj që trusti është pa bord. Kjo mazhorancë e papërgjegjshme në dy raste e rrëzoi projektligjin për Trustin”.

Nis seanca e Kuvendit të Kosovës

Ka filluar seanca e Kuvendit të Kosovës dhe pika e parë është deklarimi i deputetëve jashtë rendit të ditës.

Kjo pikë pritet të sjellë shumë debat mes deputetëve të cilët mund të flasin për secilën çështje që ata mendojnë se është në interes.

E në këtë seancë të re plenare, përveç deklarimeve jashtë rendit të ditë e pyetjeve parlamentare që është e dyta me radhë,  është paraparë të shqyrtohet në lexim të dytë edhe Projektligji për prokurorin e shtetit.

Kjo është seancë e re e Kuvendit, ndërkohë që vazhdimi i disa seancave që ishte paraparë të mbahet të mërkurën e kësaj jave, ka dështuar në mungesë të kuorumit.

Në këtë seancë janë paraparë të shqyrtohen shtatë pika të rendit të ditës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat