Shefi spanjoll i diplomacisë gëzon Daçiqin me “qëndrime të forta mosnjohëse” ndaj Kosovës

Aktuale

Shefi spanjoll i diplomacisë gëzon Daçiqin me “qëndrime të forta mosnjohëse” ndaj Kosovës

Më: 13 prill 2023 Në ora: 18:31
Jose Manuel Albares dhe Ivica Daçiq

Qëndrimi mosnjohës i Spanjës ndaj Kosovës “është i fortë” rikonfirmoi shefi i diplomacisë së Madridit, Jose Manuel Albares, në një takim me homologun serb të tij, Ivica Daçiq, gjatë një vizite këtë të enjte në Beograd. Daçiq qe i lumtur të pranojë këto mesazhe nga Madridi dhe t’ju brohorisë për marrëdhënie të shkëlqyera bilaterale.

“Marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Spanjës janë të shkëlqyeshme, miqësore dhe në ngritje e sipër; si dhe në një momentum të ri që nga vizita e vitit të kaluar nga Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, dhe e Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq në Madrid”, tha Ivica Daçiq në konferencë për shtyp, siç e citoi televizioni publik i Vojvodinës.

Daçiq thotë se qëndrimi i Madridit “ka rëndësi të madhe” për Beogradit, në atë që ai vazhdon ta supozojë si “integriteti territorial” duke nënkuptuar edhe Kosovën sipas Rezolutës 12/44 në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

“Ne jemi mirënjohës ndaj Spanjës për qëndrimin e fortë të tyre, gjë që është ndihmesë madhore për ne kur jemi ta parimet e ruajtjes së sovranitetin dhe integritetit territorial, sepse kur flasim për Kosovën, nuk flasin thjesht prej pikëpamjes së interesave tona vetanake, por edhe nga pikëpamja e respektimit të parimeve uninversale të së drejtës ndërkombëtare”, tha shefi i diplomacisë serbe.

Ndërkaq, Albares njoftoi se me Daçiqin temë diskutimi e kishin edhe Dialogun e Fascilituar nga Bashkimi Evropian, me ç’rast i tha edhe se Serbia mund të llogarisë në mbështetjen e Spanjës kur kjo e fundit të merr Presidencën e BE-së dhe se Spanja do të mbështesë aspiratat evropiane të saj.

Në dritën e Marrëveshjes për Normalizim të Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndonëse u paramendua se mund të ketë relaksim qendrimesh të pesëshes mosnjohëse të BE-së, Spanja vazhdon të jetë në pozicionin e saj të ngurtë. Madje edhe në çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën ata ishin shprehur mjaftë rëndë në vlerësim e lëre më në dorëzimin e aplikimit të Kosovës për marrjen e statusit të vendit kandidat.

Përfaqësuesi i Spanjës në BE, Pascal Navarro, ishte shprehur se Kosova “nuk është shtet” por “një territor me të cilin Bashkimi Evropian ka marrëdhënie”.

“Spanja nuk e njeh Kosovën; rrjedhimisht do të votojë kundër çfarëdo vendimi procedural ose dhënës të statusit të vendit kandidat”, pati thënë ai në dhjetorin e vitit të kaluar. Në lidhje me kandidaturën e dorëzuar për në BE, ai ishte shprehur shkurt se “nuk e mbështesm atë”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një numër intervistash për mediat më të njohura spanjolle si “El Pais” një numër herësh ka kërkuar njohjen nga shteti spanjoll, por në vesh të shurdhër. Madje përdorte ndihmën e frazave edhe të Ismail Kadares.

‘Spanja duhet dhe do ta njohë Kosovën. E di që ka disa ankesa, por, siç ka thënë shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare, kur fitoi çmimin ‘Princi i Asturias’: ‘Spanja nuk duhet të krahasohet kurrë me Serbinë, sepse Serbia bëri gjenocid në Kosovë’. Besoj se pikërisht me njohjen e Kosovës, Spanja tregon se Katalonja dhe baskët janë raste të ndryshme’, ka thënë Kurti.

Spanja dhe Qiproja vazhdojnë të kenë qëndrimet më rigjide mosnjohëse nga pesëshja mosnjohëse e Bashkimit Evropian.

Bashkimi Evropian Kosovën e shënon pashkëputshëm nga asteriski Kosovo* që i qëndron aty përmbi për “të mos ia paragjykuar statusin” ku në fusnotë thirren në Rezolutën 12/44 të Këshillit të Sigurimit por edhe opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë së vitit 2010 se Pavarësia e Kosovës ishte plotësisht në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat