Haxhiu takon homologun e saj danez, flasin për marrëveshjen e transferimit të të burgosurve

Aktuale

Haxhiu takon homologun e saj danez, flasin për marrëveshjen e transferimit të të burgosurve

Më: 13 prill 2023 Në ora: 20:32
Albulena Haxhiu ka pritur sot në takim delegacionin nga Danimarka

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka pritur sot në takim delegacionin nga Danimarka në krye me ministrin e Drejtësisë Peter Hummelgaard dhe kryesuesin e Komitetit të Çështjeve Ligjore të Parlamentit danez, Steffen Larsen.

Siç njoftohet, në takim është diskutuar edhe marrëveshja për transferimin e të burgosurve në Kosovë për të cilën Haxhiu u shpreh se kjo është hera e parë që Kosova po ndërmerr një hap të tillë teksa tha se do të angazhohen për përfundimin e procedurave të nevojshme që Marrëveshja të procedohet në Kuvend.

“Sa i përket marrëveshjes për transferimin e të burgosurve në Kosovë, ministrja Haxhiu theksoi se vendi ynë për herë të parë po ndërmerr një hap të tillë dhe pikërisht me Danimarkën si një vend mik dhe partner shumë i rëndësishëm për Kosovën. Si Ministri e Drejtësisë, tha ajo, do të angazhohemi maksimalisht dhe me përgjegjësi të plotë që të përfundohen të gjitha procedurat e nevojshme në mënyrë që kjo marrëveshje të procedohet sa më parë në Kuvendin e Republikës së Kosovës për miratim”, shkruan Ministria e Drejtësisë.

Tutje, Haxhiu tha se Kosova njihet për trajtim të të burgosurve pa iu cenuar të drejtat dhe siguroi që trajtimin e njëjtë do ta marrin edhe të burgosurit e transferuar nga Danimarka.

Haxhiu kërkoi nga Danimarka edhe që të vazhdojë mbështetjen e saj për Kosovën veçanërisht në proceset e anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian.

“Duke qenë se Kosova vlerësohet si nga raportet vendore edhe ato ndërkombëtare si vendi i cili trajton të burgosurit pa cenuar asnjë të drejtë të tyre, Haxhiu i siguroi të pranishmit që të njëjtin trajtim do ta kenë edhe të burgosurit e transferuar nga Danimarka. Ministrja Haxhiu në mbyllje të fjalës së saj ka kërkuar që Danimarka të vazhdon me mbështetjen deritanishme për Kosovën, dhe veçanërisht në proceset e rëndësishme si anëtarësimi në Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian”, shkroi Ministria e Drejtësisë.

Ndërkaq homologu i saj, Hummelgaard foli për rëndësinë e takimit për të çuar përpara marrëveshjen.

“Nga ana tjetër, ministri i Drejtësisë nga Mbretëria e Danimarkës, z. Hummelgaard, derisa ka falënderuar ministren Haxhiu për bashkëpunimin e ofruar, ka theksuar se Danimarka do të vazhdon të mbështes Kosovën dhe popullin e saj në procese të rëndësishme, përfshirë edhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe Bashkim Evropian. z. Hummelgaard tha se ky takim është shumë i rëndësishëm për të çuar përpara marrëveshjen për transferimin e të burgosurve si dhe për të parë mundësit e bashkëpunimit në sektor të drejtësisë.”, shkroi MD.

Haxhiu dhe Hummerlgaard kanë vizituar edhe Burgun e Gjilanit, ku do të vendosen të burgosurit e transferuar nga Danimarka.

Kosova dhe Danimarka kanë arritur marrëveshje për transferimin e të burgosurve danezë në Burgun e Gjilanit dhe si rrjedhojë e kësaj, Danimarka do t’i paguajë 210 milionë euro Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat