Haxhiu: Ne besojmë në pafajësinë e përfaqësuesve të UÇK-së në Hagë

Aktuale

Haxhiu: Ne besojmë në pafajësinë e përfaqësuesve të UÇK-së në Hagë

Më: 13 prill 2023 Në ora: 21:55
Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu vlerëson se është shumë e rëndë për secilin qytetar të Kosovës, kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës cilësohet si “ndërmarrje e përbashkët kriminale”.

Ajo thotë se beson në pafajësinë e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, teksa theksoi se deri tani janë ndarë rreth 18 milionë euro për ekipet mbrojtëse.

Sipas saj, i përket institucioneve të Kosovës që ta mbrojnë UÇK-në.

“Rreth 18 milionë euro janë ndarë për ekipet mbrojtëse, dhe ato pastaj kanë me bë punën në Gjykatë me qëllim të shfajësimit me akuzat që po rëndojnë mbi ta. Ne besojmë në pafajësinë e tyre, mirëpo kjo çështje nuk është e debateve televizive…Unë mendoj se çfarëdo deklarimi që ne mund të bëjmë më tutje e rëndon, por sigurisht i përket institucioneve të Kosovës që të mbrojnë UÇK, kauzën e UÇK, dhe përpjekjen e tyre për çlirim dhe liri. Prandaj, unë nuk besoj që Qeveria e Kosovës ka bërë diçka në kundërshtim me këtë që po them. Por keni parasysh, proceduralisht, ne nuk kemi mundësi tjetër, sepse kanë krijuar një institucion që nuk i raporton as Këshillit Gjyqësor të Kosovës, as Këshillit Prokurorial të Kosovës”, deklaroi ajo.

Ministrja Haxhiu potencoi se krejt çka duhet fokusuar tani “është te puna që mund ta bëjnë ekipet mbrojtëse në kuptim të mbështetjes së tyre”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat