Ish-zyrtari i LDK-së dënohet me një vit burgim për pastrim të parave

Aktuale

Ish-zyrtari i LDK-së dënohet me një vit burgim për pastrim të parave

Më: 14 prill 2023 Në ora: 16:30
Bedri Nika

Bedri Nika është dënuar me 1 vit burgim dhe 15 mijë euro gjobë derisa Albian Nika me 6 muaj burgim dhe 5 mijë euro gjobë. Dy të akuzuarit janë shpallur fajtorë për pastrim parash të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Aktgjykimi dënues është shpallur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Mentor Bajraktari, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit i akuzuari Bedri Nika për veprën penale “pastrimi i parasë”, u dënua më 15 mijë euro gjobë të cilën dënim i akuzuari është i obliguar ta paguajë në afat prej 30 ditësh nga dita plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi dhe një vit dënim me burgim, me ç’rast do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim prej datës 27 maj 2021 deri më 26 qershor 2021.

Kurse, për veprën penale “blerja, pranimi dhe fshehja e sendeve të përfituara me vepër penale” i akuzuari Bedri Nika u lirua nga akuza pasi me provat që janë administruar në shqyrtim gjyqësor në këtë gjykatë nuk është vërtetuar se i njëjti ka kryer veprën penale.

Ndërsa, sipas aktgjykimit, i akuzuari Albian Nika për veprën penale “pastrim i parasë” u dënua më dënim më gjobë në shumë prej 5 mijë euro të cilën i akuzuari obligohet ta paguajë 30 ditë pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi dhe dënim me burg në kohëzgjatje prej gjashtë muajsh.

Sipas aktgjykimit, në rast se të akuzuarit nuk mund të paguajnë dënimin me gjobë, atëherë gjykata dënimin me gjobë do të ua zëvendësojë më dënim më burgim duke e llogaritur për çdo ditë të kaluar në burg nga 20 euro.

Tutje, sipas aktgjykimi do të konfiskohen 121 bankënota të dëmtuara në vlerë të parasë 6 mijë e 50 euro si mjete të cilat janë përdorur në kryerjen e veprës penale

Detyrohet të akuzuarit Bedri dhe Albian Nika që në mënyrë solidare, t’ia kompensojnë në emër të dëmit të shkaktuar kërkesën pasurore juridike të dëmtuarës “NLB Bank” në shumën prej 5 mijë e 100 euro.

Po ashtu, secili veç e veç detyrohen që të paguajnë shpenzimet e paushallit gjyqësor shumën prej 200 euro si dhe në emër të programit për kompensimin e viktimave të krimit shumën prej 100 euro.

Palët e pakënaqura kundër këtij vendimi kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

Sipas aktakuzës së ngritur më 20 dhjetor 2021, Bedri Nika nga 21 shkurti e deri më 11 mars 2021, kishte siguruar para të gatshme 118 bankënota në vlerë 50 euro, në shumë totale prej 5 mijë e 900 euro nga një burim i panjohur, e më pas të njëjtat para të dëmtuara nga një reagjent kimik, ua kishte dhënë të akuzuarit-nipit të tij Albian Nika dhe vajzës së tij Erstina Nika, për t’i deponuar në llogaritë e tyre në “NLB Bank”, në Drenas.

Sipas aktakuzës, këto para pasi i kishin deponuar në llogaritë e tyre bankare, i kishin tërhequr në bankomate të tjera në shumë të njëjtë, ndërsa kishin tërhequr para të tjera të padëmtuara dhe të njëjtat ia kishin dorëzuar të akuzuarit Bedri Nika, duke tentuar të mashtrojnë bankën dhe të maskojnë origjinën e vërtetët të parave.

Me këto veprime, thuhet se të dëmtuarës “NLB Bank” në Drenas i kishin shkaktuar dëm material në vlerën e parave të deponuara dhe të tërhequra, ndërsa për vete kishin realizuar dobi pasurore të kundërligjshme.

Në aktakuzë thuhet se gjatë kontrollit të shtëpisë, të akuzuarit Bedri Nika i janë gjetur dhe sekuestruar 3 bankënota në vlerë 50 euro (gjithsej 150 euro), të dëmtuara nga kontakti me reagjent kimik.

Për këto veprime, i akuzuari Bedri Nika po ngarkohet me veprat penale “Blerja, pranimi dhe fshehja e sendeve të përfituara me vepër penale” dhe veprën penale “Pastrimi i parasë”, me të cilën vepër po ngarkohet edhe i akuzuari Albian Nika.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat