Çfarë kishte deklaruar Abazoviq për Demarkacionin që e bëri Haradinajn t’ia refuzojë takimin?

Aktuale

Çfarë kishte deklaruar Abazoviq për Demarkacionin që e bëri Haradinajn t’ia refuzojë takimin?

Më: 15 prill 2023 Në ora: 13:29
Dritan Abazoviq dhe Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka refuzuar ta takojë kryeministrin e Malit të Zi Dritan Abazoviq.

Siç merr vesh media arsyeja e refuzimit të takimit nga kreu i Aleancës ka të bëjë me qëndrimin e kryeministrit malazez Abazoviq rreth Demarkacionit të kufirit të Kosovës me Malin e Zi dhe çështjeve të tjera që lidhen me zhvillimet në Ballkanin Perëndimor.

“Kryetari i AAK-së ka pasur një kërkesë nga qeveria e Malit të Zi për takim, por ka refuzuar pikërisht për arsye të qëndrimeve të Abazoviq”, ka thënë një zyrtar i AAK-së.

Por, cili është qëndrimi i Abazoviq për Demarkacionin dhe çfarë kishte thënë kryeministri malazez për këtë çështje që e bëri Haradinajn t’ia refuzojë takimin.

Dy javë pasi ishte zgjedhur kryeministër i Malit të Zi, Dritan Abazoviq në një intervistë për Klan Kosova kishte deklaruar se çështja e Demarkacionit është e mbyllur dhe nuk sheh mundësi për rishikim të çështjes.

“Unë në këtë moment nuk e shoh atë mundësi, as dikush në Mal të Zi atë nuk e trajton si problem. Kjo është çështja aktuale.”, deklaronte Abazoviq.

Ai kishte thënë se në Mal të Zi konsiderohet çështje e mbyllur dhe nuk ka asnjë debat rreth çështjes, pavarësisht se në Kosovë çështja kishte ngjallur debate.

“Për Mal të Zi ajo është e mbyllur kur është nënshkruar, këtu nuk ka sjellur asnjë debat, e di se në atë kohë ka sjellë debat në Parlamentin dhe Mediat e Kosovës, këtu nuk ka sjellë debat. A është bërë ndonjë gabim, është korrekte apo jo korrekte, nuk e kam atë njohuri, pa marrë parasysh, kjo është një përgjigje gjenerale, unë jam për çdo problem që e kemi dhe do të paraqiten gjëra të tjera në të ardhmën dhe unë jam për t’i kryer me një bindje se vetëm me dialog dhe respektim ndërmjet shteteve me tregim të respektit mundemi me ardhë tek konkludimet dhe solucionet që janë të mira për dy palët.”, kishte deklaruar Abazoviq.

Ajo që dihet deri më tani është se Abazoviq ka takuar kryeministrin e Kosovës Albin Kurti me të cilin ka nënshkruar një marrëveshje për trafikun ajror.

Gjithashtu, Abazoviq ka takuar dy krerët e opozitës, kreun e Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi dhe atë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Ai është pritur të premten në iftar nga kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli ndërsa të shtunën në Presidencë është pritur nga e para e vendit, Vjosa Osmani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat