Asnjë shtrat i lirë në Institutin e Psikiatrisë Forenzike

Aktuale

Asnjë shtrat i lirë në Institutin e Psikiatrisë Forenzike

Më: 16 prill 2023 Në ora: 07:23
Instituti i Psikiatrisë Forenzike

Instituti i Psikiatrisë Forenzike vazhdon të ketë kapacitete të limituara krahasuar me kërkesat që i drejtohen, sidomos nga organet e drejtësisë. Nga 30 shtretër sa janë aty, të gjithë janë të zënë dhe po trajtohen personat e dënuar për vepra penale e që kanë çrregullime psikike.

Gati tre muaj kanë kaluar prej se Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e mbrojtësit të Dardan Krivaqës, i akuzuar për dhunimin dhe vrasjen e Marigona Osmanit, që i njëjti t’i nënshtrohet ekzaminimit psikiatrik.

Por, raporti i një ekzaminimi të tillë ende nuk ka përfunduar, për shkak të siç thotë drejtori i Institutit të Psikiatrisë Forenzike, fluksit të kërkesave që kanë e kapaciteteve të vogla.

Megjithëkëtë, janë në fazën përfundimtare të këtij raporti.

“Kjo ka qenë arsyeja kryesore ose primare, pas asaj ka pasur një volum të punës që është dashur të kryhen, pas asaj ne mund të themi se rasti i Dardan Krivaqës ndoshta ka qenë mediatik, por për neve ka qenë i zakonshëm, dhe me ardhjen me rendin është hy, ai i njëjti ka ndejt te ne për 4 ose 5 javë. Ekzaminimi nuk kryhet për një ditë ose një javë, duhet vërejtur sjelljet e pacientit, duhet vërejtur gjestet, simptomatologjinë, rrethin se si sillet me bashkëbanorët, andaj kjo ekspertizë duke qenë se është mediatike ka lypur një vëmendje të veçantë”, ka thënë Shpend Haxhibeqiri – Drejtor i Institutit të Psikiatrisë Forenzike.

Haxhibeqiri tutje ka treguar se numri i kërkesave për ekzaminime psikiatrik e për trajtimin e të pandehurve ka shënuar rënie këtë vit, por megjithëkëtë edhe më tutje asnjë shtrat nuk është i lirë nga rreth 30 sa janë në Institut.

“Në krahasim me vitin 2021, ka diku 50% më pak…Ne në kapacitetet e shtretërve jemi të kufizuar, ndërsa sa i përket stafit profesional jemi me numër të kënaqshëm por me numër të infermierëve jemi me një mungesë jashtëzakonisht të madhe, prej vitit 2018 deri më sot 8 punëtorë, infermierë e kanë lëshuar IPF-në, për një jetë më të mirë”, ka deklaruar ai për Tv Dukagjini.

Instituti i Psikiatrisë Forenzike është i vetmi institucion që realizon ekspertizat psikiatrike tek të pandehurit, dhe trajton personat e dënuar për vepra të ndryshme penale, e që kanë çrregullime psikike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat