“Bëjani si ne me Kishën Ortodokse Serbe”/ Mesazhi i pakuptimtë që Abazoviqi përçoi në Kosovë

Aktuale

“Bëjani si ne me Kishën Ortodokse Serbe”/ Mesazhi i pakuptimtë që Abazoviqi përçoi në Kosovë

Më: 16 prill 2023 Në ora: 17:10
Dritan Abazoviq dhe Albin Kurti

Kisha Ortodokse Serbe kishte pasur rol kyç në rrëzimin e Partisë Demokratike të Socialistëve që udhëhiqej nga Millo Gjukanoviq në gushtin e 2020’ës dhe më ndërrimin e krejt formacionit qeveritar në Mal të Zi. Për dy vite me rradhë, një çështje (aspak) fetare qëndronte pezull në ajr. Një “Marrëveshje Themeltare” që synohej të bëhej mes Kishës Ortodokse Serbe dhe Malit të Zi. Pasionet sovraniste dhe ato etnike, e kishin polarizuar skajshmërisht shoqërinë atje. 

Ish-kryeministri (tejet fetar) Zdravko Krivokapiq s’e bënte dot atë marrëveshje për një arsye apo tjetër. Por, atë do ta bënte zëvendësi i tij, i cili edhe e zuri vendin e tij, Dritan Abazoviq. Me të ardhur në krye të shtetit me një qeveri pakice e të improvizuar (me vota të DPS-së së Gjukanoviqit, ngase s’i kishte as 20 deputetë në një koalicion 3-4 partiak minoritar), Abazoviq tërë kapacitetet e tij i investoi në kalimin e kësaj marrëveshje.

Këtë “Marrëveshje Themeltare” ai premtonte se do ta hidhte në diskutim publik, në rishikim shkencor, akademik e juridik. Por, kjo premtim vetëm. Pa asnjërën nga këto, pa prezencë të mediave, jashtë syve të publikut, ai priti Kryepatriarkun Porfirije, dhe e nënshkroi “tinëz”. Kjo do të linte njollë në demokracinë malaziase. Abazoviq u shkarkua menjëherë pas kësaj. Mocioni i mosbesimit e çoi në mandat teknik.

Kisha Ortodokse Serbe është themeluar në vitin 1919, por sipas kësaj Marrëveshje Themeltare të kaluar nga Abazoviqi ajo do të njihej si personalitet ligjor me vazhdimësi që nga viti 1219. Kjo ishte bërë brum për debat të ashpër, me çka toneve u bihej se Abazoviq falsifikoi historinë dhe kulturën malaziase. Madje, kjo ndryshe edhe nga vetë Serbia, ku Kishës Ortodokse Serbe, personaliteti ligjor u njihet që nga viti 1836. Si do të bëhej që dioçezat në Mal të Zi do të ishin më të vjetra se “Kisha Ëmë” e Beogradit? Kjo ishte një “grithje psikologjike” për shumë kënd.

Abazoviq në Prishtinë, “bëjani si ne”...

Iu desh një vit kohë për të ardhur në Prishtinë në vizitë zyrtare, tashmë kur në maj pritet të ketë zgjedhje në Mal të Zi dhe prospektin që të jetë në krye të shtetit e ka pothuasje inekzistent. 

Duke folur për Marrëveshjen e Ohrit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizim të marrëdhënieve, Abazoviq e përshëndeti atë, derisa Serbisë i kërkoi që Kosovën ta njohë sa më parë, ndërsa Kosovës që t’ia sigurojë “disa të drejta më shumë” komunitetit serb.

Abazoviq, në kuptimin e Nenit 7 ku pjesa e dytë e saj parasheh formalizimin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe, pati edhe një sugjerim. “Na merrni model neve”, tha ai. “Kosova mund ta bëjë në modelin e njëjtë pa asnjëfarë telashe, kjo nuk është problem ju vetëm mundeni m’e përfitu”, tha ai në një intervistë për televizionin publik kosovar. “Kur ulen tensionet vetëm përfitohet. Ky është model edhe për ju, nuk them në mënyrë fare të njëjtë, por një model mundeni me pas që mundet me ju ba një boost të madh që mundet me ju ndihmu në zgjidhjet e problemeve”.

Sa për atë që kjo marrëveshje me Kishën Ortodokse Serbe e ka rrëzuar nga pushteti, Abazoviq thotë se “absolutisht jo”. “Nuk mundeni m’i lëviz gjërat nëse nuk doni të dilni prej zonës së rehatisë. Nëse dikush ka qef me ba politikën e Ballkanit çfarë ka qenë 30 vitet e fundit, urime, suksese, unë s’jam pjesë e asaj. Unë jam për vendime të vështira, dhe ju kam hapën rrugën edhe juve m’e pru vendime të vështira. Njerëzit janë shumë të kënaqur”. 

Neni 7, pjesa e formalizimit të statusit (disa thonë special) të Kishës Ortodokse Serbe

Në Marrëveshjen Bazë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e cila është bërë “ligjërisht dhe ndërkombëtarisht e detyrueshme” për palët, Neni 7 përcakton se Kosova do të formalizojë statusin e Kishës Ortodokse Serbe. Megjithatë, për pak kënd kjo ka kuptim, pak kush e ka të qartë se çfarë do të thotë kjo.

Në Planin e Ahtisaarit që i parapriu Pavarësisë së Kosovës, ky institucion do të gëzonte mbrojte e ruajtje të madhe të ekzistencës së saj brenda shtetit të ri, shtet të cilin kjo kishë nuk e njeh. “[…] sigurimin ekzistencës dhe operimit të pakufizuar dhe të papenguar të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë. Kisha dhe organizatat e saj të brendshme do të njihen hapur nga autoritetet e Kosovës, prona e saj do të jetë e paprekshme, do të gëzojë privilegje në taksa dhe detyrime doganore. Zonat e mbrojtura do të krijohen në më shumë se rreth 40 hapësira religjioze dhe kulturore kyçe”, thuhej në Kapitullin 2, Pikën 6 të Propozimit të Ahtisaarit.

“Pa paragjykuar pronësinë e pronave në zonat e mbrojtura, kufizime të veçanta do t’u aplikohen aktiviteteve brenda këtyre zonave të mbrojtura për të garantuar ekzistencën dhe funksionimin e këtyre hapësirave fetare dhe kulturore […]”. Kur dukej se kësaj kishe i ishin siguruar të gjitha të drejtat dhe privilegjet që një institucion fetar mund të dëshirojë në një shtet, u shtua edhe diçka./Nacionale

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat