Sa para kanë shpenzuar qytetarët për viza?

Aktuale

Sa para kanë shpenzuar qytetarët për viza?

Më: 18 prill 2023 Në ora: 09:19
Ilustrim

Në janar të vitit 2012, Komisioni Evropian i BE-së nisi zyrtarisht dialogun me Kosovën për procesin e liberalizimit të vizave. Që nga nisja e këtij dialogu e deri në fund të vitit 2021, kosovarët kanë parashtruar 659.029 aplikime për vizë Schengen, sipas të dhënave të Komisionit Evropian.

Parlamenti Evropian voton më 18 prill vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës – me çka edhe procedurat për këtë çështje i afrohen fundit.

Tashmë është e qartë se zbatimi i vendimit nuk do të shtyhet më larg se 1 janari i vitit 2024.

Sipas të dhënave të Grupit për Ballkanin (BRPG), 60% e kosovarëve kanë kërkuar vizë Schengen, që mundëson lëvizjen e lirshme në vendet e BE-së, për vizita turistike. Interesimi i kosovarëve për të vizituar vendet e BE-së kishte qenë në rritje deri në vitin 2020, kur trendi ndryshoi shkaku i COVID-19.

Sa kanë aplikuar kosovarët për viza Schengen ndër vite?

Numri i aplikimeve për viza për zonën Schengen ishte në rritje deri në vitin 2020. Atë vit, shkaku i COVID-19, shërbimet konsullare u kufizuan.

Sipas një hulumtimi të bërë nga BRPG-ja, qytetarët e Kosovës kanë paguar mesatarisht 165 euro për aplikimin për vizë Schengen. Kjo kosto arrin shifra prej dhjetëra miliona eurosh kur merret parasysh numri i aplikimeve në vit, shkruan REL.

Sipas të dhënave të Grupit për Ballkan, kosovarët shpenzojnë mesatarisht 165 euro për aplikim për vizë Schengen. Kur kjo vlerë i shtohet numrit të aplikimeve, del që kosovarët kanë shpenzuar mbi 72 milionë euro gjatë viteve 2016-2021.

Po i njëjti hulumtim i BRPG-së thekson se kosovarët kanë pritur mesatarisht nga një deri në gjashtë muaj deri në përfundimin e procedurës për vizë në zonën Schengen. Përveç kësaj pritjeje, kosovarët janë ankuar edhe për pritje të gjata në rend për dorëzimin e dokumenteve.

Por, me gjithë pritjet e gjata dhe paratë e shpenzuara gjatë aplikimit, një numër i aplikuesve është përballur me përgjigje negative.

Sa për qind e aplikimeve janë refuzuar?

Në vitin 2021, numri i aplikimeve për vizë në zonën Schengen që morën përgjigje negative u përgjysmua në krahasim me vitin paraprak.

Komisioni Evropian në vitin 2018 kishte propozuar liberalizimin e vizave për Kosovën. Edhe Parlamenti Evropian e kishte mbështetur këtë vendim, mirëpo vendet si Franca dhe Holanda nuk ishin të pajtimit.

Kosova është vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk e kanë të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën Schengen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat