“Zgjedhjet s’pranohen vetëm nëse ka parregullsi, me një votë më shumë zgjedhet kryetari ose asamblisti”

Aktuale

“Zgjedhjet s’pranohen vetëm nëse ka parregullsi, me një votë më shumë zgjedhet kryetari ose asamblisti”

Më: 19 prill 2023 Në ora: 16:44
Mazllum Baraliu

Më 23 prill do të mbahen zgjedhjet në Veri. Për zvogëlimin e qendrave të votimit, (mos)pjesëmarrjen e qytetarëve serbë në zgjedhje, legjitimitetin dhe rrezikun që rezultatet mos të pranohen nga bashkësia ndërkombëtare, ka folur ish kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Mazllum Baraliu.

Këtë të diel qytetarët e katër komunave në Veri do t’iu drejtohen kutive të votimit për të zgjedhuer kryetarin e tyre. Lidhur me këtë proces zgjedhor, KQZ javën e kaluar ka miratuar listën me qendrat e votimit. Sipas këtij vendimi, nga 44, numri i vendvotimeve është zvogëluar në 19.

Ish kryetari i KQZ-së, Mazllum Baraliu, thotë se reduktimi i qendrave të votimit nuk ka efekte negative. Sipas tij kjo është një zgjidhje e mirë, pasi që është metodë më e mirë dhe më e shpejtë.

“Edhe pse është zvogëluar [numri i qendrave të votimit], është gjetur zgjidhje alternative që do të thotë këto qendrat e votimit alternative apo mobile janë shumë më efikase sesa ato që janë statike, që janë nëpër shkolla e objekte tjera. Ato mund të lëvizin ku ka votues dhe votojnë njerëzit, në një mënyrë e kompensojnë zvogëlimin e qendrave dhe mundësinë që njerëzit të votojnë, ata që e kanë ndërmend me dalë. Nuk pritet që me dalë ndonjë përqindje kush e di sa, se asnjëherë nuk ka pasë aq, por ata që duan të votojnë e kanë mundësinë që të votojnë në këto qendra alternative, më mirë, më shpejtë pa u munduar shumë”, deklaroi Baraliu.

Baraliu është deklaruar edhe për rrezikun që zgjedhjet e 23 prillit të mos mbahen. Ai thotë se është në vullnetin e qytetarëve dalja për të votuar, derisa shton se ka rënë intensiteti i ndikimit të Listës Serbe te serbët lokalë.

“Unë mendoj që po, nuk ka asnjë arsye që mos të mbahen. Duhet të mbahen dhe do të mbahen. Sa dalin e si dalin nuk e di, është çështje e votës së lirë. Ne nuk e kemi me ligj të obliguar votimin, qytetari e ka alternativën me dalë ose jo, është çështje e qytetarëve. Ndoshta edhe gjendja që është specifike (në Veri), plus ata që janë nën ndikimin e Listës Serbe, ata qytetarë mund të mos dalin ose disa dalin, i ka rënë intensiteti i ndikimit të kësaj partie politike. Është çështje e vullnetit të qytetarëve, por unë mendoj që duhet të mbahen pa probleme, sepse gjendja e sigurisë është relativisht e ulët”, u shpreh ai.

Ish kreu i KQZ-së s ka thënë se nuk ka ndikim nëse është e ulët përqindja e daljes në zgjedhje sepse “nuk ka mekanizma kufizues”.

“Nuk ndikon fare, nuk është problem. Nuk kemi mekanizma kufizues që e kufizon përshembull pjesëmarrjen 30 për qind ose 50. Meqë nuk e kemi me ligj, aq sa dalin legjitimiteti i zgjedhjeve nuk mund të kontestohet nga askush. Ata që e fitojnë një votë më tepër e marrin mandatit, qoftë si asamblist qoftë si kryetar komune”, tha ai.

Ai u pyet edhe nëse ka rrezik që bashkësia ndërkombëtare mos t’i pranojë rezultatet e zgjedhjeve në Veri për shkak të daljës së vogël të qytetarëve.

“Bashkësia ndërkombëtare [mundet të mos i pranojë rezultatet] vetëm nëse ka parregullsi dhe nuk respektohen ligjet tona në fuqi dhe rregullat e KQZ-së. Ndërkohë KQZ ka kryer të gjitha përgatitjet, ka blerë edhe stacioneve mobile, dhe mendoj që çdo gjë do të shkojë mirë”, u përgjigj ai.

Kujtojmë që kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, të enjten e javës së kaluar ka kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve. Ai tha se shtyrja e zgjedhjeve “na shpëton fytyrën si shtet”.

“Duhet bërë kujdes, opsioni i ndaljes së këtij procesi është i mençur, është në dobi të Kosovës dhe e shpëton edhe fytyrën tonë si shtet”, ka thënë Haradinaj për KP.

Media ka dërguar pyetje në adresë të Bashkimit Evropian, nëse ata e shohin si zgjidhje shtyrjen e zgjedhjeve, mirëpo deri më tani nuk kanë kthyer përgjigje.

Lidhur me kërkesën e Haradinajt, disa ditë më parë është deklaruar nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri.

“Është punë e KQZ-së dhe organeve tjera shtetërore duke përfshirë Qeverinë dhe Presidenten. Partitë politike nuk kanë asnjë arsye me ndërhy në procese të tilla. Qeevria po dështon me kriju kushte të mira zgjedhore për qytetarët e saj”, ka thënë Haziri.

Në këto zgjedhje nuk do të marrë pjesë Lista Serbe, pasi kjo parti nuk ka aplikuar për certifikim në afatin 14 ditor të hapur nga KQZ. Ata kanë kushtëzuar pjesëmarrjen e tyre me disa kërkesa: krijimin e asociacionit dhe tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga Veriu. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat