ShSKUK ende pa bord drejtues, Zemaj e quan luftë të egër interesash

Aktuale

ShSKUK ende pa bord drejtues, Zemaj e quan luftë të egër interesash

Më: 20 prill 2023 Në ora: 00:19
Armend Zemaj

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, vazhdon të jetë pa bord drejtues që nga 20 shkurti. E një situatë të tillë, deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Armend Zemaj, e quajti luftë të egër interesash.

Madje sipas tij, nga një ekip e caktuar, Ministria e Shëndetësisë trajtohet më shumë si pronë private, se sa një institucion publik që u ofron qytetarëve shërbime shëndetësore.

“Vazhdimësia pa bord drejtues në ShSKUK është një luftë e egër interesash. E kishim një bord që drejtpërdrejtë u implikua për zgjedhjen e drejtorëve të klinikave. Kemi largim edhe të njerëzve në masë të madhe edhe nga Ministria e Shëndetësisë. Duket që është krijuar një lloj ekipe e cila e trajton Ministrinë e Shëndetësisë më shumë si pronë private se sa institucion publik. Qeveria e Kosovës për dy vite ka pasur injorancë totale për profesionistët shëndetësorë”, deklaroi Zemaj.

Ndër të tjerash, Zemaj vlerësoi që Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, u rikthye pa ndonjë rezultat, e kjo sipas tij, është një paaftësi e Qeverisë Kurti.

“Ministri Vitia u rikthye pothuajse me avazin e njëjtë, me një ngadalësi shumë të dobët për t’i përmirësuar gjërat, vetëm me premtime në letër. Kjo është më shumë paaftësi, se sa mungesë vullneti, është një lloj ambienti i cili është krijuar nga tendenca për të kapur gjithçka në emër të partisë politike”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat