Kryeministri Kurti: Komuniteti turk ka luajtur rol të rëndësishëm pozitiv në historinë tonë moderne

Aktuale

Kryeministri Kurti: Komuniteti turk ka luajtur rol të rëndësishëm pozitiv në historinë tonë moderne

Më: 22 prill 2023 Në ora: 21:53
Albin Kurti

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ishte i ftuar sonte në Prizren, në shënimin e festës së Ditës Kombëtare të Turqve të  Kosovës.

Teksa shprehu falënderimet dhe mirënjohjen për kontributin e vazhdueshëm të qytetarëve turq, dhënë për Republikën e Kosovës, tha se komuniteti turk në Kosovë ka luajtur rol të rëndësishëm pozitiv në historinë tonë moderne.

“Me përfaqësues të komunitetit turk jemi bashkë në institucionet e Republikës, duke dhënë kontribut për një Kosovë më të mirë, e për mirëqenie më të lartë’’, u shpreh kryeministri.

Kryeministri përmendi aktivitetet që qeveria i ka bërë për komunitetin turk në shumë sfera ndërkaq veçoi se këtë javë është paralajmëruar një pako shtesë prej 3 milionë eurosh për komunitetet joshumicë në Kosovë.

Kjo pako, sqaroi më tej ai,  përmban masa mbështetëse për vende të reja pune për bizneset ekzistuese dhe ato të reja; për fermerët dhe prodhuesit e vegjël në zonat rurale; dhe për shoqërinë civile që kontribuon në integrimin dhe afirmimin e komuniteteve joshumicë, miratimi i së cilës pritet të ndodhë në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë.

 

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

E nderuara zëvendëskryeministre e Republikës së Kosovës, znj. Emilija Rexhepi,

I nderuari zëvendësministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë, z. Mehmet Kemal Bozay

I nderuari Ambasador i Republikës së Turqisë në Republikën e Kosovës, Sabri Tunç Angili,

I nderuari Komandant i Kontingjentit turk në KFOR, Kolonel Recai Yilmaz,

I nderuari ministër i Zhvillimit Rajonal, z.Fikrim Damka,

I nderuari ministër i Mbrojtjes, z. Armend Mehaj,

I nderuar ministër për Komunitete dhe Kthim, z.Nenad Rashiq,

Të nderuar kryetarë të dy grupeve tona Parlamentare, znj. Mimoza Kusari Lila dhe z. Enis Kervan,

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Duda Balje, Fridon Lala, Erxhan Galushi, Bahrim Shabani e Visar Korenica,

I nderuari Kryetar i Komunës së Prizrenit, z.Shaqir Totaj

Të dashur qytetarë turq të Republikës së Kosovës,

Të nderuar të pranishëm, zonja dhe zotërinj,

Motra dhe vëllezër,

Në këtë festim të Ditës Kombëtare të Turqve të  Kosovës, u shpreh falënderimet dhe mirënjohjen për kontributin e vazhdueshëm të qytetarëve tonë turq, dhënë për Republikën e Kosovës. Komuniteti turk në Kosovë ka luajtur rol të rëndësishëm pozitiv në historinë tonë moderne. Me përfaqësues të komunitetit turk jemi bashkë në institucionet e Republikës, duke dhënë kontribut për një Kosovë më të mirë, e për mirëqenie më të lartë. Komuniteti turk në Kosovë, sikurse dhe ai shqiptar në Turqi, janë urë e fuqishme e lidhjes mes dy shteteve tona.

Të nderuar të pranishëm,

Solidariteti mes popujve shihet më shumë në ditët më të vështira, dhe këtë e pamë sivjet në tragjedinë e madhe me tërmetin në Turqi, që na tronditi të gjithë neve pa dallim. Gjatë atyre ditëve të rënda në Turqi, kemi parë edhe se si kanë reaguar popujt anembanë botës, përfshirë qytetarët dhe institucionet tona – që nga grumbullimet private të ndihmave, deri te ndihma e ekipeve të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Me siguri të gjithëve na kujtohet momenti kur një fëmijë dyvjeçar u nxorr nga rrënojat nga ekipi ynë i kërkim-shpëtimit, që përveç shpëtimit të një jete, na fali të gjithëve shpresë.

Solidariteti shihet edhe në veprimet e përditshme, që i kontribuojnë një shoqërie të suksesshme diverse, siç është Republika e Kosovës. Muajin e kaluar isha në shkollën Elena Gjika në Prishtinë për të festuar 72- vjetorin e mësimit në gjuhën turke në Kosovë - një traditë e pandërprerë që nga viti 1951. Jemi krenarë për këtë traditë të shumëgjuhësisë në vendin tonë.

Jemi gjithashtu krenarë që vitin e kaluar qeveria jonë ka gjetur zgjidhje për të ofruar tekste shkollore cilësore në gjuhën turke, dhe që Strategjia jonë e Arsimit për vitet 2022 - 2026 përfshinë subvencione të vazhdueshme për hartimin, rishikimin, përkthimin dhe përshtatjen e teksteve dhe materialeve mësimore në gjuhën turke, sikurse edhe në gjuhët e komuniteteve të tjera joshumicë.

Po ashtu, planifikojmë të organizojmë aktivitete për mësimin e gjuhës shqipe për komunitetet që kanë gjuhë të tjera - si turqishten - si gjuhë amtare. Ne do të ofrojmë materiale mësimore të printuara dhe digjitale dhe mbështetje profesionale që shkollat të kenë mundësi për të ofruar edhe këtë shërbim elementar.

Komuniteti turk është pjesë integrale e mozaikut tonë të pasur shoqëror dhe kulturor. Që Kosova të jetë një shtet ku promovohet shumëgjuhësia, ne gjithashtu do t'u ofrojmë mundësi studentëve që të mësojnë gjuhën e mjedisit - siç është turqishtja për shqiptarët këtu në Prizren. Kështu, si individë dhe si shtet, do të përfitojmë avantazhe në tregun ndërkombëtar, si dhe solidaritet në nivel Republike, kur njerëzit kanë mundësi të komunikojnë me njëri-tjetrin.

Pas shkollimit në shkollat tona, kemi parë që shumë qytetarë turq po kontribuojnë në zhvillimin e vendit përmes ndërmarrësisë. Si një shembull të asaj se si komuniteti po përgatitet për mundësitë që ofron teknologjia e informacionit,  e mirëpres mbipërfaqësimin e të rinjve turq në programin e Ministrisë së Ekonomisë, KODE, ku të rinjtë përfitojnë shkathtësi digjitale.

Në të njëjtën kohë, kemi fatin që kemi fermerë turq që kontribuojnë në bereqetin e sofrës sonë, por edhe për eksport të prodhimeve bujqësore e përr këtë më së miri e kemi dëshmitar kryetarin e komunës së Mamushës i cili është bashkë me neve sot në këtë ngjarje shumë të rëndësishme.

Megjithatë, ne e dimë se komuniteti ka nevojë për mbështetjen e qeverisë, andaj  më vjen mirë që këtë javë kemi paralajmëruar një pako shtesë prej 3 milionë eurosh për komunitetet joshumicë në Kosovë. Kjo pako përmbanë masa mbështetëse për vende të reja pune për bizneset ekzistuese dhe ato të reja; për fermerët dhe prodhuesit e vegjël në zonat rurale; dhe për shoqërinë civile që kontribuon në integrimin dhe afirmimin e komuniteteve joshumicë. Miratimi i saj pritet në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë.

Informacioni mbi qasje në këto fonde do të sigurohet përmes buletinit të ri elektronik që kemi lansuar disa muaj më parë në gjuhën turke (së bashku me gjuhën shqipe, serbe dhe rome), e i cili përmbledhë informacione mbi mundësitë si trajnime, vende pune, grante dhe subvencione nga qeveria - si dhe aktorë të tjerë - që mund të jenë të dobishme për komunitetet.

Në kontekstin e këtyre punëve të përbashkëta, dhe në këtë ngjarje të bukur, ku ka edhe mbështetjë nga Zyra për Çështje të Komunitetëve brenda Zyrës së Kryeministrit, jam i lumtur që jam këtu bashkë me juve e mes jush. Gjithashtu, po shpresoj të jemi bashkë teksa festojmë arritje të reja të komunitetit dhe suksese të përbashkëta me solidaritet të vazhdueshëm. U dëshiroj gjithë të mirat për festën tuaj, Ditën Kombëtare të Turqve- bayraminiz kutlu olsun! [urime për festën tuaj]

Njëherit, me Fat edhe festa e Fitër Bajramit!

Teşekkür ederim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat