Te “Tre rrokaqiejt” në Mitrovicë të Veriut kanë votuar vetëm 15 qytetarë deri tani

Aktuale

Te “Tre rrokaqiejt” në Mitrovicë të Veriut kanë votuar vetëm 15 qytetarë deri tani

Më: 23 prill 2023 Në ora: 13:25
Foto nga veriu

Sot janë duke u mbajtur zgjedhjet lokale në katër komunat veriore me shumicë serbe në Kosovë.

Në këto zgjedhje nuk është parë numër i madh i qytetarëve, madje te “Tre rrokaqiejt” deri tani kanë votuar 15 persona, duke qenë se shumica në listat e votimeve janë të komunitetit serb.

Situata në këtë komunë është e qetë, teksa 191 qytetarë kanë votuar deri tani në Mitrovicën e Veriut.

Zgjedhjet e parakohshme lokale po mbahen sot në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi kontejnerë nëpër rrugët kryesore në veri, që do të shërbejnë si qendra votimi. Policia e Kosovës tha se ka marrë të gjitha masat për një mjedis të sigurt gjatë procesit zgjedhor.

Në garë janë dhjetë kandidatë, prej të cilëve vetëm një nga komuniteti serb. Ajo është Sllagjana Pantoviq, kandidate e pavarur për kryetare të Komunës së Zveçanit.

Ndërsa Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – nuk merr pjesë në zgjedhje dhe u bëri thirrje qytetarëve serbë që ta bojkotojnë procesin. Thirrje të ngjashme bëri edhe Beogradi zyrtar.

Komunat në veri mbetën pa kryetarë nga nëntori i vitit të kaluar, kur përfaqësuesit serbë në atë zonë dhanë dorëheqje nga vendet e tyre të punës, për shkak të mospajtimit me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat