Cakolli i vlerëson të qeta zgjedhjet në veri, përmend problemet pas mbajtjes së tyre

Aktuale

Cakolli i vlerëson të qeta zgjedhjet në veri, përmend problemet pas mbajtjes së tyre

Më: 23 prill 2023 Në ora: 16:02
Eugen Cakolli

Procesi zgjedhor në katër komunat veriore të Kosovës, është zhvilluar normalish dhe pa asnjë incident, ka vlerësuar Demokracia në Veprim (DnV) që po monoton këto zgjedhje.

Eugen Cakolli nga DnV, i tha EO, se në disa qendra të votimit nuk ka pasur asnjë votues të nacionalitetit serb, që ka ardhur si pasojë e bojkotit të këtyre zgjedhjeve nga ky komunitet.

Ai ka përmendur problemet që mund të hasen pas zgjedhjeve, siç është certifikimi i rezultateve, dhënia e betimit të kryetarëve, emërimi i drejtorëve etj.

Nga ajo çfarë ne kemi arritur të vëzhgojmë nëpër komunat veriore, vërehet një atmosferë e qetë që vjen si rezultat i mungesës së votuesve, përkatësisht daljes ekstremisht të ulët të votuesve të komunitetit serb në këto komuna”.

Madje kemi hasur në qendra që as edhe një votues serb nuk ka dalë nëpër këto qendra. Ndonëse atmosfera është e qetë, është refleksion i bojkotit i zgjedhjeve që ka ardhur si rezultat i përplasjeve politike si dhe mos aplikimin e kandidatëve nga radhët e komunitetit serb”, tha Cakolli.

Pra problemi do të jetë jo tek përmbyllja e procesit zgjedhor në kuptim të administrimit, për shkak se nuk besoj se mund të ketë ndonjë incident serioz, por problemi në radhë të parë do të qëndrojë tek procedurat e certifikimit të rezultateve, dhënies së betimit, emërimin e drejtorëve e deri tek arritja e përmbushjes së vullnetit qytetar”, tha ai.

Rreth 360 është numri i vëzhguesve të akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) për të vëzhguar zgjedhjet e së dielës.

Nga 44 sa kanë qenë në të kaluarën, kësaj radhe do të jenë 19 qendra votimi, e shumica prej tyre do të improvizohen në kontejnerë.

Numri i përgjithshëm i qendrave të votimit në këto katër komuna është 19, me gjithsej 34 vendvotime, prej tyre 6 janë qendra votimi të rregullta, me gjithsej 6 vendvotime, ndërsa 13 qendra të tjera votimi janë alternative, me gjithsej 28 vendvotime.

Për zgjedhjet në veri do të shtypen 43 mijë e 500 fletëvotime.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat