“Mshele gojën” / Përplasje e ashpër e Haki Abazit me deputetët e LVV-së

Aktuale

“Mshele gojën” / Përplasje e ashpër e Haki Abazit me deputetët e LVV-së

Më: 26 prill 2023 Në ora: 08:15 Përditësuar në ora: 17:52 më 26.04.2023
Haki Abazi

Beqa për ushtruesin e detyrës së kryeshefit në KEK: I ngrati i kish dy vepra penale

Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, gjatë seancës së sotme të kuvendit, ka thënë se standardi që po e krijon partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, pas arrestimit të kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, është i papranueshëm.

Ai tha se s’mundët një kryeministër apo disa deputetë ta qortojnë prokurorinë se pse sipas tij, po e lufton korrupsionin e pse po i fut hajnat në burg.

“Është shumë e rrezikshme kur i shoh deputetët nga mazhoranca duke bërë thirrje “liri për shkelësit e ligjit”. S’di ku na con kjo rrugë që ju sot e keni filluar”, është shprehur Beqa.

Ndërsa, për sa i përket emërimit të Përparim Kabashit si ushtrues detyre i zëvendëskryeshefit të KEK-ut, Beqa tha se edhe ai i ka dy vepra penale.

“Hyn Nagipi në burg, tash bëhet një ushtrues detyre i cili i ngrati edhe ai i kish dy vepra penale. Ish duke u hetuar për thëngjill. Në vitin 2021 e kishte bërë një kontratë në vlerë 1.6 milionë euro e cila ka qenë 50 për qind nën çmimin e tregut. KEK-u në atë kohë i ka shitë Kosova Thëngjillit në çmim në bursë 15 euro tonin, e ju ia keni shitur 8 euro tonin”, tha Beqa.

Basha për Tahirin: S’e kuptoj pse i ke blerë armës “shurdhuese”

Deputeti i VV-së, Dimal Basha, ia ka përmendur kolegut të tij nga PDK-ja, Abelard Tahirit, blerjen e një revoleje me “shurdhues”, apo që e minon zërin në momentin e shkrepjes.

Basha tha se Tahiri e ka blerë atë armë me para të shtetit, por nuk e kupton pse e ka blerë me “shurdhuese”.

“Armën me shurdhuese me 20 mijë plumba, edhe pse s’e kuptoj, se këta që janë entuziastë për zhurmën dhe adrenalinën, s’e kuptoj pse e ka blerë shurdhuesen, për ashtu blej një playstation. Në Oda a e ke parë duke gjuajtur me shurdhuese ashtu”, ka thënë ai.

Basha e ka ftuar Prokurorinë që ta hetojë rastin për blerjen e armës nga deputeti Tahiri.

Kastrati e quan “non grata”, ministren Haxhiu, e akuzon për ndërhyrje në drejtësi

Deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati, e ka akuzuar Qeverinë e Kosovës, për korrupsion e për ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.

Ai e ka quajtur “Nongrata”, ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për të cilën tha se e ka kërcënuar kryeprokurorin Blerim Isufaj, duke i thënë dorëzohu.

“Sulmi ndaj kryeprokurorit, nuk e njoh atë, por është sulm flagrant, është sulm në stilin mafioz, të kësaj “ms, nongrata”, Albulena Haxhiut, e cila i ka thënë po ashtu prokurorit dorëzohu”, ka thënë ai në Kuvendin e Kosovës.

Kastrati e po ashtu e ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, duke e quajtur si “kryehajn”, duke e akuzuar se është pjesë e mafisë energjetike, që sipas tij lidhet me ambasadorin e Kosovës, në Kroaci, Martin Berishaj, dhe ish drejtorin e KEK-ut, Nagip Krasniqi.

U tha se i kanë dërguar picë në stacion të Policisë, ky është versioni i Armend Mujës

Deputeti i Vetëvendosjes, Armend Muja, ka folur për deklaratën e deputetit të PDK’së, Ferat Shala, i cili tha se “Bekim Haxhiu i ka dërguar picë sa Muja ishte në burg”.

Muja këto i quajti “ca pretendime të pavërteta”.

“Unë s’e njoh as Ferat Shalën, as Bekim Haxhiun, përpos në Kuvend. Është e vërtetë që një kohë jam akuzuar, por çështja se nuk e kontrollojmë dot. Çfarë ne mund të kontrollojmë janë veprimet tona. Ta dokumentojmë që performanca jonë ka qenë e ndershme, çfarë mund të bëjmë është t’ia lëmë procesit të drejtësisë”.

Ai tha se në 12 pika ka pasë “shpallje të pafajshme”.

“Ne kur i bëjmë diskutimet këtu nuk e bëjmë duke i paragjykuar fajtorin. Ne po kërkojmë është që secili ta kalojmë saktësisht atë çfarë kam bërë unë për shembull. Akuzohesh, shkon, justifikohesh dhe aty dokumentohet fajësia. Gjë që për shembull dy kushërinjtë tu, Hakia dhe Media, s’e kanë bërë. Sot e 100 vjet jam i gatshëm të ballafaqohem me çdo pretendim.  Nuk kam qenë në burg për korrektim të zotëri Haxhiut. Kom pasë ndalesë, për të cilën jam përgjigjur. Jam i i bindur që kam performuar me nder. Tash po kërkojmë që secili ta dëshmojë veten para gjyqit”.

Haki Abazi pyet Salih Zybën se pse u larguan nga puna Linda Çavdërbasha, Tropika Agaj dhe Valëza Mjeku

Deputeti i Lëvizjes Vetëbendosje, Haki Abazi, e ka pyetur bashkëpartiakun e tij, Salih Zybën, lidhur me arsyet e largimit nga puna të Linda Çavdërbashës, Tropika Agajt, si dhe Valëza Mjekut.

Sipas Abazit, këto tri gra janë larguar nga pozitat e tyre dhe se s’është dhënë asnjëherë ndonjë arsyetim.

“Tani z.Zyba, që duket se jeni emëruar si emisar për të kundërshtuar e për të bërë zhurmë, unë kisha dashtë ty me të dëgju duke fol për çështjen e znj.Çavdërbasha si zëvendësministre, se si dhe për çfarë është larguar nga vendi i punës, për znj.Tropika Agaj, poashtu që ti nuk e ke thanë asnjëherë asnjë fjalë, e për znj.Valëza Mjeku. Do të thotë janë tri femra që janë largu nga pozitat e tyre pa u thënë asnjëherë asnjë fjalë dhe ti tenton që të krijohsh zhurmë se kinse unë paskam ndonjë gjë personale në fjalimin tim”, tha Abazi.

Ai drejtoi akuza edhe ndaj Shefes së Grupit Parlamentar të VV’së, Mimoza Kusari-Lilës.

“Nuk mundemi me vazhdu në këtë formë, me ba helm diskursin publik, duke tentu që t’I ndalet fjala Haki Abazit, që të përjashtohen njerëzit që pinë kafe me Haki Abazin, apo të ndërtohen rrena të vazhdueshme nga Shefja e Grupit Parlamentar, për atë se kështu bien viktima emrat e përvecem sikurse ka rënë z.Krasniqi”, deklaroi Abazi.

Selmanaj, Haxhiut: Nuk është larg me të pa prapa grilave edhe ty

Seanca plenare e Kuvendit po vazhdon me debat të ashpër mes deputetëve të opozitës dhe pozitës, në lidhje me arrestimin e ish-kryeshefit të KEK, Nagip Krasniqi.

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, duke folur në lidhje me këtë çështje tha se është çuditur nga forma se si ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, po e mbron Krasniqin.

Ai tha se nuk është larg me e pa prapa grrilave edhe Haxhiun.

“Mënyra qysh po e mbroni. Për besë nuk o larg me të pa prapa grilave edhe ty”, tha Selmanaj.

Haki Abazi përplaset sa del në foltore: “Kuvendin s’e udhëheq Dejona Mihali”, “Zoti Zyba mshele gojën”

Deputeti Haki Abazi sërish është ankuar se nuk po i lejohet të flasë në Kuvendin e Kosovës.

Në protestën e tij në fillim të fjalimit, Abazi tha se s’përcaktohet nga jashtë se kush flet në Kuvend, duke hedhur akuza për anëtaren e Kryesisë të Vetëvendosjes.

“Më duhet të protestoj publikisht që mu desh me marrë fjalën. Në Parlamentin e Kosovës e shtypi një pullë që më radhit në radhët e deputetëve që duhet marrë fjalën. Duhet të jetë hera e fundit që tentohet mu ngulfat demokracia në Kuvendin e Kosovës. Nuk duhet të protestoj sa herë që dua të them diçka në këtë vend, pavarësisht prej qëndrimit që kam. Sepse unë kam barti përgjegjësinë për atë që e them dhe qëndrimet që mbaj. Kështu që, këtë Parlament e udhëheq Glauk Konjufca, jo Dejona Mihali. Nuk përcaktohet lista e deputetëve nga jashtë Parlamentit të Kosovës”.

Abazi i është drejtuar ashpër kolegut të tij nga Vetëvensoje, Salih Zybës, gjatë seancës së sotme ku po debatohet lidhur me arrestimin e Kryeshefit të KEK’ut, Nagip Krasniqit.

Abazi iu drejtua Zybës, duke i thënë “mshele gojën".

“Zotëri Zyba, kur të vjen radha del e fol këtu, nëse ki çka me thanë. T’lutem, mshele gojën”, tha Abazi.

Pas kësaj, ndërhyri kryeparlamentari Glauk Konjufca, i cili u kërkoi deputetëve që të kenë respekt për njëri-tjetrin.

“Ju lutem respekt për njëri-tjetrin, deputetë”, tha Konjufca.

Bajrami-Rizvanollit: Mos flisni për performancë se po dilni shumë qesharake

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, i ka replikuar ministres së Ekonomisë Artane Rizvanolli duke i thënë se LDK nuk ka gënjyer asnjëherë.

“E ke rritur çmimin e energjisë 85 përqind tarifën e ulët dhe 104 përqind tarifën e lartë. Prej 1 prillit të këtij viti është rritur për 15 përqind për të gjithë operatoret.

Çmimin nën 800 KË që e ke mbajtur të njëjtë e ke subveniconuar me taksat e qytetarëve të këtij vendi, që d.m.th se gjithsesi ne e kemi ndjerë shtrenjtimin në poret tona.

Andaj mos flisni për performancë se po dilni shumë qesharake!”, deklaroi Bajrami gjatë fjalës së saj gjatë seancës së sotme në Kuvendin e Kosovës.

Krasniqi për Rozeta Hajdarin: O qytetarë të nderum, ministra të dënum po na mbajnë ders

Kryetari i PDK-së, Memeli Krasniqi ishte i ashpër në diskurs pas arrestimit të drejtorit të KEK-ut, që vije nga radhët e VV-së, Nagip Krasniqi.

Ky i fundit është temë në Kuvendin e Kosovës, andaj Krasniqi ka drejtuar gishtin edhe kah partia në pushtet për lidhjet e pretenduara korruptive në Koorporatën Energjetike të Kosovës.

Ai pati një replikë me minsitren Rozeta Hajdari, të cilës ia përmendi faktin se është dënuar për mosdeklarim të pasurisë, duke thënë se e njëjta nuk ka të drejtë “të mbajë ders”.

“Kjo është e dënume për mos-deklarim të pasurisë. Ka dënim të plotëfuqishëm. O qytetarë të nderum, kemi ministra të dënum që na majnë ders. Ti s’ki nevojë me dalë me folë këtu për këtë punë. Ti s’ke fol për rezerva, s’ke fol për miliona euro që keni ble, e mallin kurrë s’e keni marrë”, tha ajo.

Krasniqi: Qeveria Kurti abuzimet më të mëdha i ka bërë në sektorin e energjisë, në krye të piramidës janë Albin Kurti me Martin Berishajn

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi në seancën e sotme të Kuvendit ku po diskutohet për zhvillimet në KEK, ka thënë se dyshimet ka dyshime për keqpërdorime marramendëse në sektorin e energjisë.

Sipas Krasniqit, Qeveria Kurti abuzimet më të mëdha i kanë bërë në sektorin e energjisë, e që sipas tij në krye të krejt kësaj kupole janë ambasadori Martin Berishaj e Albin Kurti.

“Po flasim për dyshimet për keqpërdorime marramendëse, të cilat nuk është se janë të papritura në sektorin e energjisë. Përkundër kësaj janë befasuese sjelljet e shumicës qeverisës, kryeministrit para së gjithash sepse në çdo vend normal demokratik në momentin që është dhënë lajmi për arrestimin e shefit të sektorit të energjisë, kryeministri është dashur të kërkojë menjëherë shkarkimin e bordit dhe kryeshefit. Hera e parë që ndodh diçka e tillë.

Pa opozitën, duke i ikë debatit, Kurti jo që e mbron shokun e bashkëpartiakun e tij, vjen sulmon e shantazhon sistemin e drejtësisë duke i përmendur me emra edhe gjyqtarët e prokurorët. Krasniqi dyshohet për tri vepra penale, janë dyshime të rënda. Është e padrejtë duke u sjellë në këtë formë siç po sillet opozita. Atje nuk është për burrë i mirë, është për udhëheqës që duhet të punojë ndershëm. Po flasim për dyshime të keqpërdorimit të rreth 72 milionë euro. Sikur të kishte qenë ky arrestim skandali i parë gjatë qeverisjes Kurti, na merr mendja kishim pasë një mendim tjetër, por siç e dimë të gjithë kjo është vendim i aferave që kanë ndodhur për dy vite në sektorin e energjisë.

Qeveria Kurti abuzimet më të mëdha i kanë bërë në sektorin e Qeverisë, qytetarët e Kosovës e kanë jetën më të vështirë e sot jetojnë më keq si pasojë e këtyre abuzimeve.

Kjo Qeveri e këta pushtetarë kanë vendosë me i trashë xhepat e tyre, jo të përmirësojnë jetën e qytetarëve. Mos u befasoni pse 100 mijë qytetarë e kanë braktisur vendin gjatë dy viteve të qeverisjes së juaj.

Në krye të kësaj piramide është Martin Berishaj me Albin Kurtin. Nëse kemi pasë ma shumë prodhim, ma pak import pse na e shtrenjtuat energjinë. Pse po i merrni nga xhepat e qytetarëve ato para”, ka thënë Krasniqi në seancën e sotme të Kuvendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat