PDK-ja me dy qëndrime për zgjedhjet në veri

Aktuale

PDK-ja me dy qëndrime për zgjedhjet në veri

Më: 26 prill 2023 Në ora: 11:51
Memli Krasniqi- Enver Hoxhaj

Partia Demokratike e Kosovës duket se nuk ka pasur një qëndrim unanim për të marrë pjesë në zgjedhjet për kryetar të katër komunave veriore, të cilat janë mbajtur më 23 prill.

Ndonëse PDK-ja ka fituar dy nga këto komuna, zyrtarët e lartë të kësaj partie nuk kanë hezituar që zgjedhjet e se dielës t`i quajnë farsë.

Madje, anëtari i Kryesisë së PDK-së, Enver Hoxhaj, në një intervistë për RTK ka thënë se këto zgjedhje janë organizuar për të formuar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Nuk mendoj se këto zgjedhje do të prodhojnë ndonjë realitet të ri dhe do t’i përmbushin interesat bazike të shtetit të Kosovës. Përkundrazi, zgjedhjet janë vetëm një farsë për të arsyetuar formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe z. Kurti më mirë do të duhej të ishte i sinqertë para qytetarëve dhe t’u thotë atyre se, ne, i zbatojmë Marrëveshjet e Brukselit sepse është në interes të shtetit që të integrohet kjo pjesë e vendit në institucionet e Kosovës, që të themelohet Asociacioni, sesa të bëjë veprime me zgjedhje, siç ka bërë me targa pa një qartësi se çfarë qëllimi dëshiron të arrijë”, ka thënë Hoxhaj, i cili është edhe nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së.

Por, krejt mendim tjetër për këto zgjedhje ka lidershipi i kësaj partie.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë të martën ka thënë se mbajtja e zgjedhjeve në veri ka qenë e pashmangshme .

Megjithatë, ajo ka kritikuar Qeverinë e Kosovës që nuk i ka ofruar kushte e duhura për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.

“Kemi pas një largim masiv të qytetarëve serb nga institucionet e Kosovës dhe çdo gjë që është ndërtuar për vite është rrënuar për një kohë shumë të shkurtër. Mbajtja e zgjedhjeve ka qenë e pashmangshme, sepse janë kalendarët ligjor dhe kushtetues që institucioneve të Republikës së Kosovës ua imponojnë një gjë të tillë”, ka thënë Çitaku për emisionin “Info Magazinë” .

Ai ka bërë me dije se kjo parti vazhdimisht ka marrë pjesë në zgjedhjet në veri.

“Ne kemi marrë pjesë në këto zgjedhje, në vazhdimisht kemi marrë pjesë në zgjedhje në veri të vendit, edhe në vitin 2008, edhe në 2009, edhe në 2013 e kështu me radhë. Sa herë që ka pas zgjedhje ne kemi marrë pjesë, sepse ne ndjejmë detyrim që të iu qëndrojmë pranë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Tani u takon institucioneve të Republikës së Kosovës të krijojnë kushte për konsolidimin e institucioneve komunale në komunat veriore”, ka thënë Çitaku.

Ndaj qëndrimit të Enver Hoxhajt për zgjedhjet në veri ka reaguar analisti Imer Mushkolaj.

Ai e ka pyetur zyrtarin e PDK-së se pse kjo parti ka marrë pjesë në një proces zgjedhor farsë.

“Pse PDK u bë pjesë e farsës, pra? Pse mori pjesë në zgjedhje dhe fitoi dy komuna? Profë koncentrohu”, ka shkruar Mushkolaj.

Krasniqi i gëzohet fitores në Zveçan dhe Zubin Potok

Në zgjedhjet e së dielës, Partia Demokratike e Kosovës ka fituar në Zveçan dhe Zubin Potok.

Pas shpalljes se rezultateve preleminare, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka uruar dy kandidatët e PDK-së për fitore.

“I uroj Ilirin dhe Izmirin për fitoret, por edhe Albulenën e Taulantin për angazhimin dhe punën e palodhshme në komunat ku garuan. Ndërkaq, falënderimi më i madh u takon të gjithë atyre qytetarëve të cilët edhe sot i besuan PDK-së, kandidatëve dhe ofertës tonë. Përtej kësaj, e rëndësishme është që procesi i sotëm ishte i rregullt dhe i qetë. Megjithatë, mbetet shumë shqetësues fakti që situata në pjesën veriore ka degraduar, gjë që u pa edhe nga pjesëmarrja e ulët e qytetarëve në zgjedhje”, ka shkruar Krasniqi në profilin e tij në “Facebook”.

Ai ka treguar se tani Qeveria e Kosovës duhet t`i kryej të gjitha obligimet që kryetarët e rinj të mund t`i ushtrojnë funksionet e tyre.

“Tani presim nga Qeveria që të marrë obligimet dhe detyrat që i takojnë - për të zbatuar vullnetin qytetar dhe për të mundësuar konsolidimin e institucioneve në katër komunat e veriut. PDK mbetet e përkushtuar dhe e vendosur për të ofruar qeverisje gjithëpërfshirëse për të gjithë qytetarët, pa dallim. Ky ka qenë zotimi ynë - ky është edhe misioni ynë. Bashkë për Kosovën!”, ka shkruar Krasniqi.

Ndryshe prej PDK-së, LDK-ja dhe AAK-ja nuk kanë marrë pjesë në këto zgjedhje. Kurse, partia në pushtet, VV-ja, ka fituar dy komunat tjera, Mitrovicën e Veriut dhe Leposaviqin.

Zgjedhjet e 23 prillit po konsiderohet si legale, por po kontestohen në aspektin politik për shkak të pjesëmarrjes shumë të ulet të qytetarëve dhe bojkotit nga të komunitetit serb.

KQZ-ja dje ka shpallur rezultatet përfundimtare të këtyre zgjedhjeve, kurse pas përfundimit të afatit për ankesa, pritet certifikimi i këtij rezultati.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat