Bislimi udhëton drejt Suedisë, arsye aplikimi për anëtarësim në BE

Aktuale

Bislimi udhëton drejt Suedisë, arsye aplikimi për anëtarësim në BE

Më: 26 prill 2023 Në ora: 17:35
Besnik Bislimi

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ka udhëtuar për në Stokholm të Suedisë. Gjatë kësaj vizite, Bislimi do të ketë takime me ministren për Evropë Jessika Rosëall, sekretarin e shtetit për Çështje Evropiane, Christian Danielsson dhe sekretarin e shtetit për Punë të Jashtme, Jan Knutsson.

Siç bëhet e ditur, Bislimi do të shfrytëzojë këtë vizitë për të diskutuar për shqyrtimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, gjatë presidencës suedeze të Këshillit të BE-së.

Nga zyra e Bislimit thonë se aplikimi i Kosovës për marrjen e statusit vend kandidat për anëtarësim në BE ka marrë mbështetje të gjerë të shteteve anëtare dhe institucioneve të BE-së, për çka janë të kontakt të vazhdueshëm me shtetet partnere, veçmas me Suedinë, e cila mban presidencën e Këshillit të BE-së deri në qershor.

Përkitazi me këtë, shprehën optimist se do të ketë zhvillime pozitive brenda këtij viti për pranimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE.

''Aplikimi i Kosovës me 15 dhjetor për anëtarësim në BE, ka marrë mbështetje të gjerë në mesin e institucioneve të Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare. Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar dhe është në kontakt të vazhdueshëm me shtetet partnere e posaçërisht Suedinë, e cila mban dhe Presidencën e Këshillit të BE-së. [...] Ne jemi optimist e presim që të ketë zhvillime pozitive brenda këtij viti dhe të vazhdojmë të bëjmë në vijim hapa të rëndësishëm në rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Evropian'', tha Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit Bislimi në një përgjigje me shkrim.

Më 15 dhjetor të vitit të kaluar, Kosova ka dorëzuar aplikacionin për anëtarësim në Bashkimin Evropian nën presidencën çeke.

Prej 1 janarit deri më 30 qershor të këtij viti Presidencën e Këshillit të BE-së e mban Suedia, kurse në gjysmën e dytë të vitit presidencën e BE-së do të ketë Spanja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat