Në kërkim të personave të pagjetur në Kosovë u gërmua në 2.700 vende

Aktuale

Në kërkim të personave të pagjetur në Kosovë u gërmua në 2.700 vende

Më: 27 prill 2023 Në ora: 10:03
Kushtrim Gara

Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur deklaroi se nga lufta e fundit, Kosova doli me rreth 6 mijë persona të pagjetur.

Ai tha se tani, edhe më tej figurojnë si të tillë 1617 persona. Në “Mirëmëngjesi Kosovë”, Gara tha se kjo do të thotë se mbi 70% e rasteve janë zbardhur.

“Megjithatë, kjo nuk do të thotë në asnjë rrethanë se edhe numri aktual, mund të na krijojë komoditet sepse 24 vjet pas luftës, kjo mbetet statistikë e lartë, edhe pse nuk dua të interpretoj në terma statistikorë”, tha ai.

Ai rikujtoi e pas çdo numri është një histori dhe një familje që pret lajm për më të dashurit e tyre.

Gara tha se vështirësitë në një proces të tillë janë evidente. “Sfidë mbetet mungesa e informacioneve të besueshme”, tha ai. “Kjo para së gjithash ndërlidhet me mungesën e gatishmërisë për bashkëpunim nga pala serbe”.

Ai tha se në këto 24 vitet e fundit, janë kryer gërmime në më shumë se  2.700 lokacione brenda Kosovës, të adresuara si vende për gërmime.

“Kjo i bie pothuajse çdo katër kilometra katror”, tha Gara. Por zyrtari kosovar tha se sfiduese mbetet gërmimi në lokacione të Serbisë për shkak të qasjes së vazhdueshme e politizuese.

“Gërmimet e fundit i kemi pasur në lokacionin Shtavall afër Sijenicës në Serbi, por gërmimet janë ndërprerë për shkak se është gërmuar në një pjesë të lokacionit  jo në tërësi”, shpjegoi Gara, duke shtuar se në të gjitha takimet që kanë pasur, është adresuar kërkesa që të vazhdohet me gërmime në atë vend, por edhe në të tjera si në Rashkë e ato të Novi Pazarit.

“Po flasim për lokacione të shënjuara apo mundësinë për rikthim në lokacione të mëparshme të hapura menjëherë pas luftës si në Batajnicë e Petrovo Sello e Peruqac”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat