Serbët ia vranë djalin, burrin dhe tre vëllezërit, nëna rrëfen tmerrin që ndodhi në Mejë

Aktuale

Serbët ia vranë djalin, burrin dhe tre vëllezërit, nëna rrëfen tmerrin që ndodhi në Mejë

Më: 27 prill 2023 Në ora: 16:25
Nënë Tixhja

Dielli ka ndriçuar përmendoren e djalit të saj të vrarë, teksa pa ndalim lëmon faqet e tij. Ajo po heq mallin e Samiut përmes fotografisë aty, të cilit ia këputen rininë në moshën 20-vjeçare. E moshuara nga fshati Brovinë, ka marrë ulësen me vete për të qëndruar me orë në afërsi, ku prehet trupi i më të dashurit të saj. Mezi iu bën bashkë edhe eshtrat, pas masakrës së Mejës ku të njëjtin fat e patën edhe 376 të tjerë.

Mosha e mërzia nuk ia kanë shlyer kujtimet e tmerrshme të kësaj masakre.

Nënë Tixhja nga fshati Brovinë e Gjakovës, jeton me dhimbjen për djalin e saj, të cilin ia morën nga jeta paramilitarët serbë.

Mehmeti: Këtu më kanë ndarë nga djali dhe e kanë vrarë

"I djalit tim është (varri) që ma kanë vrarë këtu në Mejë, sot 22-23 vjet. Ne kështu të mërzitura cdoherë. Çfarë të bëjmë.... Atëherë na qiten shkijet neve, këta i ndalen këtu, duart për mbrapa, e gjunjtë në tokë. Qaty i kemi lënë, nuk kemi guxuar me i ndal, sa atje i kemi dëgjuar krismat që i kanë vrarë aty. Tani na kanë mërthyer për Shqipëri, jemi shkuar për Prizren edhe atje patën me na vra shkijet, duke na i vendosur thikat në fyt, duke na kërkua pare, menzi jemi dalë në Shqipëri për Shqipëri", tha ajo.

Ajo shtoi se po e ka të vështirë të jetojë me këtë dhimbje, por për ta ndryshuar këtë nuk ka mundësi.

Mehmeti: Më vranë djalin, burrin dhe tre vëllezërit

"Vallahi po, vdekjen e djalit, të burrit, tre vëllezërve, qaty. Çka të bëjmë? Po u dashke me jetu, me qëndru, e tona me i bo", shtoi ajo.

Në 24 vjetorin e kësaj masakre, pranë shumë varreve në Mejë, janë kujtuar edhe prindërit që lanë fëmijët me dhimbje. Mire Ndreca tregon për KosovaPress, për nënën e saj të vrarë në 27 prillin e vitit 1999.

Ndreca: I vranë dhe i dërguan në Serbi

"Se harrojmë kurrë, është ditë e paharrueshme kjo ditë. Vet të vjen merzia, kur t'i kujtojmë se si kanë shkuar. Na i kanë mbyt, na i kanë dërguar në Serbi dhe i kanë sjell pasi janë rivarrosur... Tmerr e kemi kaluar boll, nëpërmjet TV e radiove, pa e ditur, të gjithë duke ikur", rrëfeu ajo.

Shteti serb nuk kurseu as të miturit. Ajshe Avdyli po kujton 16-vjeçarin, aso kohe, Bajrushin.

Avdyli: Në kolonë i kanë zhbërit prej traktorit

"Nuk e bën as toka e as qielli sa zor është. Shumë vështirë, veç Zoti qysh e ka bërë... i kanë ndal të gjithë, neve edhe kunatin këtu në Mejë, në kolonë i kanë zhbërit prej traktorit i kanë mbledhur... As toka e as qielli nuk e bën këtë masakar çfarë është bërë në atë vend", shtoi ajo.

Ajshja tha se institucionet nuk kanë bërë asgjë në vendosjen e drejtësisë për të gjithë të vrarët.

Avdyli: Asgjë nuk po bëjnë për drejtësi

"Sen nuk kanë bërë, sen mbi këtë tokë nuk po bëjnë, për veti po bëjnë boll, tjetër kënd për kërkënd", përfundoi ajo.

24 vjet më parë, 377 shqiptarë janë vrarë nga paramilitarët serbë.

Kosova ende nuk dinë për fatin e më shumë se 1 mijë e 600 personave të vrarë e të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat