Seanca e Këshillit të Sigurimit, Gërvalla ia thotë të gjitha në sy Daçiqit – reagojnë përfaqësuesit e Rusisë dhe Kinës!

Aktuale

Seanca e Këshillit të Sigurimit, Gërvalla ia thotë të gjitha në sy Daçiqit – reagojnë përfaqësuesit e Rusisë dhe Kinës!

Më: 27 prill 2023 Në ora: 17:27 Përditësuar në ora: 23:35 më 27.04.2023
Donika Gërvalla Schwarz

Daçiq provokon Gërvallën - i afrohet fizikisht delegacionit të Kosovës në OKB pas përfundimit të seancës

Gjatë seancës së sotshme Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën, ka pasur përplasje të ashpra mes kryediplomatëve nga Kosova dhe Serbia.

Ministrja Donika Gërvalla dhe ministri Ivica Daçiq kanë përdorur fjalor të rëndë ndaj njëri-tjetrit. Gërvalla e ka quajtur Daçiqin “Sllobë të vogël” në një moment.

Megjithatë, një gjë e pazakonshme ka ndodhur pas përfundimit të seancës.

Ministri Ivica Daçiq është afruar te delegacioni i Kosovës që ndodhej ende brenda sallës dhe i ka drejtuar disa fjalë, të cilat nuk kuptohen nga videoja që është publikuar nga OKB.

Ndërkohë, ministrja Gërvalla që ndodhej jo shumë larg tij, është tërhequr dhe e ka injoruar Daçiqin, të cilin kishin nisur ta incizojnë disa prej të pranishmëve.

Në seancën që u mbajt në Nju Jork të SHBA-së dhe u kryesua nga Rusia, anëtarët e Këshillit të Sigurimit bënë thirrje që të arrihet marrëveshje në Bruksel dhe që të dyja palët të përmbahen nga nxitja e tensioneve.

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, tha se Serbia po tenton ta bllokojë integrimin e Ballkanit në Bashkimin Evropian dhe ta bllokojë progresin në dialog.

“Është e qartë që Serbia nuk do marrëveshje në dialog. Në të kundërtën, do ta pengojë çfarëdo marrëveshje sepse Serbia e 2023-tës nuk do më të anëtarësohet në Bashkimin Evropian”, tha ajo.

Në anën tjetër, ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se në fjalimin e Gërvallës u vërejt se Kosova “nuk do në fakt një dialog. Ata duan vazhdimësinë e luftës, të konflikteve”.

Gjatë fjalimit të saj, Gërvalla përmendi krimet ndaj popullatës shqiptare gjatë luftës së vitit 1999 dhe e krahasoi luftën në Kosovë me pushtimin aktual rus në Ukrainë, teksa tha se “Serbia është kërcënimi më i madh për paqen në Ballkan”.

VIDEO: 03:28:00

SHBA dhe Britania kërkojnë përfundimin e misionit të UNMIK-ut në Kosovë

Përfaqësuesi i SHBA-së në mbledhjen e Këshillit të OKB-së, Jeffrey DeLaurentis, ka thënë se misioni i UNMIK-ut në Kosovë ka përfunduar.

Kjo thotë DeLaurentis marrë parasysh zhvillimet duhet të rishikojë një mënyrë tjetër të mbikëqyrjes së Kosovës.

“Ky është një momentum pozitiv që është koha që OKB të shikojë një rol tjetër sa i përket mbikëqyrjes së Kosovës dhe se mandati që ka qenë deri më tani nuk është i nevojshëm andaj duke falënderuar angazhimin e deritanishëm të UNMIK-ut ne duhet të pranojmë faktin që misioni ka përfunduar”, tha ai.

Më tej, theksoi se shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të jenë të angazhuara për stabilitet në Ballkanin Perëndimor.

“Falënderojmë përpjekjet e zotit Borell dhe Lajçak, shprehim lëvdata për Kosovën dhe Serbinë për marrjen e hapave përpara për marrëveshje ligjërisht të detyrueshme. Shpresojmë që të shohim më shumë nga kjo frymë e re në takimin e 2 majit, pjesë e rëndësishme do të jenë hapat e ardhshëm për themelimin e Asociacionit në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, u shpreh ai.

Njëjtë deklaroi edhe përfaqësuesi i Mbretërisë së Bashkuar.

“Përshëndes përpjekjet e Qeverisë për luftën ndaj korrupsionit, duke thënë se mbështesin rezolutën 1244 por kushtet në terren janë të papranueshme që nga viti 99 dhe koha tregon që nevojitet një rishikim të statusit të UNMIK-ut dhe përshtatjet në terren”, u shpreh ai.

Tutje shtoi se Kosova dhe Serbia duhet të angazhohen për themelimin e Asociacionit dhe krijimin e kushteve të sigurisë për udhëheqësit e rijnë në veri.

Në këtë mbledhje është duke u shqyrtuar raporti periodik i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për Kosovën.

Gërvalla iu kthehet Daçiqit: Thaçi dhe të tjerët janë të pafajshëm, do ta dëshmojnë

Pasi ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq ia përmendi minsitres Donika Gërvalla deklaratat e saja kur thoshte se do të dorëzojë dosje në Gjykatën Speciale, kjo e fundit iu kundërpërgjigj, 

Daçiq tha se Gërvalla ka ndihmuar të akuzohen krerët e UÇK-së, duke bashkëpunuar me familjarët e viktimave të pretenduar.

Kurse ajo tha se nuk ka nevojë të përfshihen këto deklarata, duke shtuar se Thaçi dhe të tjerët janë të pafajshëm dhe çdo argument është në anën e tyre.

“Hashim Thaçi do të dëshmojë se UÇK, ai vet dhe të tjerët kanë që po akuzohen kanë çdo argument në anën e tyre dhe janë të pafajshëm në ato akuza.”

Daçiq – Gërvalles: Keni ndihmuar të akuzohen Thaçi e Veseli, keni mbledhur dëshmi

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq i është kundërpërgjigjur fjalimit të ministres të Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla.

Ai i ka thënë që të “mos i mbaj ligjerata” sa i përket historisë të Kosovës, pasi ky i fundit tha se ka lindur në Kosovë.

“Dëgjuam se si duket dialogu, se sa ekstremizëm kemi ne, se nuk duam dialog, por vazhdimësi të konfliktit. Kur u përmend ADN e Serbisë, e vërejtëm se ajo na akuzoi për ndasi, ndërkaq unë jam i lindur në Kosovë. Mos më mbani ligjërata sa i përket historisë së Kosovës”.

Ndër të tjerash, Daçiq e ka akuzuar ministren Gërvalla se ajo ka ndihmuar që të akuzohet Thaçi dhe Veseli për krime.

Sipas tij Gërvalla ka mbledhur dëshmi nga familjarët e viktimave.

“Unë dua të them që kurrsesi Serbia nuk ka të bëjë me çështjet federale të sigurisë, sepse atë kohë shërbimet i kanë pasur në dorë Sllovenia dhe Kroacia. Sa i përket arsyeve se pse babai juaj kishte pasur pozitë politike, më 1982 shumë para Millosheviqit e Daçiqit, ai sikurse separatistët tjerë avokonte për Kosovë të pavarur. Pra qëllimi ka qenë i kamotshëm për një Kosovë të pavarur, prandaj qoftë përmes ndërhyrjes amerikane ose qoftë konfliktit të armatosur, qëllimi ka qenë të arrihet kjo.

Duart tuaja janë të përgjakura. Më 2017 keni thënë se sa i përket krimeve të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit dhe anëtarëve të partive politike tuaja, vetëm ju rikujtoj se unë kam nënshkruar marrëveshje me zotin Thaçi. Ku janë ata tash? Pse s’jam akuzuar unë ose presidenti Vuçiq? Ndërkohë që ju keni ndihmuar që të akuzohet Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli për krime. Sepse dëshmitë që keni mbledhur nga familjarë të viktimave, ju kanë dalë në ndihmë viktimat ndja Thaçit dhe Veselit.” – ka thënë ai.

Përfaqësuesi i SHBA në KS të OKB: Asociacioni në përputhje me Kushtetutën e Kosovës

Përfaqësuesi i SHBA-së në Këshillin e Sigurimit, Jeffrey DeLaurentis, u shpreh i kënaqur me hapat e ndërmarrë nga Kosova dhe Serbia në takimet e fundit mes liderëve në Bruksel dhe Ohër, ndërsa shtoi se shpreson që të shohë vullnet të ngjashëm edhe në takimin e radhës të 2 majit.

“Ne i inkurajojmë Kosovën dhe Serbinë të lëvizin shpejt për t’i implementuar zotimet e tyre përkatëse dhe t’i shmangin krizat e përsëritura që e kanë penguar progresin në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja”, tha DeLaurentis.

Ai kërkoi themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe “në një mënyrë që përputhet me Kushtetutën e Kosovës”.

Ndërsa, përfaqësuesit e Britanisë së Madhe dhe Francës shprehën përkrahje për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Franca bëri thirrje që të dyja palët të përmbahen nga veprimet që mund t’i përshkallëzojnë tensionet mes dy vendeve.

Përfaqësuesi i Britanisë së Madhe theksoi se “ne e përkrahim plotësisht përfshirjen e Kosovës në sistemin ndërkombëtar”, ndërsa bëri thirrje për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Ne i inkurajojmë fuqishëm të dyja palët të demonstrojnë vullnetin dhe kurajën politike për t’i realizuar ato për të cilat janë pajtuar”, tha ai.

Në raportin për periudhën nga 16 shtatori 2022 deri më 18 mars 2023 për Kosovën, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres përshëndeti Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe Aneksin e zbatimit të saj, për të cilin liderët e të dyja palëve së fundi arritën marrëveshje.

Guterres, në raport, vlerësoi se korniza e re e dialogut ka potencial për të çuar para procesin drejt arritjes së zgjidhjeve afatgjata.

Ai tha se angazhimi konstruktiv në zbatimin gjithëpërfshirës të Marrëveshjes do të jetë i nevojshëm për të ruajtur stabilitetin dhe për të parandaluar ripërtëritjen e tensioneve dhe konflikteve. 

Kina në krah të Serbisë: Të respektohet integriteti territorial i saj, të themelohet Asociacioni

Në raportimin gjashtëmujor të UNMIK-ut në Këshill të Sigurimit rreth gjendjes në Kosovë, Përfaqësuesi i Kinës tha se në veçanti pjesa veriore e Kosovës përbën shqetësim sigurie dhe se Kina mbështet zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë “në pajtim me Rezolutën 12/44”. Kina, e cila krahas me Rusinë si Anëtarë të Përhershëm të KS OKB-së nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, tha se “duhet të respektohet integriteti territorial dhe sovraniteti i Serbisë”.

Mes tjerash përfaqësuesi i Kinës kërkoi gjithashtu edhe themelimin e Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe në Kosovës ndërsa Bashkimit Evropian iu drejtua me kërkesën që të jenë neutral në fascilitimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Kina gjithmonë mbështet zgjidhje të pranueshme për të dyja palët që arrihen përmes diskutimeve në pajtim me Rezolutë 12/44. Në këtë aspekt kërkojmë që sovraniteti dhe integriteti territorial i Serbisë të respektohet. Shpresojmë që marrëveshjet ekzistuese të zbatohen. Themelimi i Asociaiconit të Komunave Serbe është pjesë përbërse e marrëveshjes, është pjesë integrale, dhe duhet të jetë fokus të takimit të rradhës në takimin e palëve.

Shpresojmë që BE’ja të mbetet neutrale në këtë proces dhe të shmang çfarëdo presioni. Kina është e shqetësuar për situatën në veri të territorit të Kosovës dhe mendon se qëndrimi i autoriteteve atje për të mbajtur me doemos zgjedhjet përkundër mospranimin nga ana e serbëve nuk ka qenë veprim i duhur. Zhvillimet e fundit na treogjnë se Kosova ende paraqet shqetësim të sigurisë për Ballkanin dhe Evropën. Shpresojmë që UNMIK-u të vazhdojë punën e saj konsktruktive në aspektin politik, të mirëmbajë”, ka thënë përfaqësuesi kinez.

Franca: Zbatimi i Asociaiconit dhe kthimi i serbëve në institucionet kosovare duhet të jetë prioritet

Franca konsideron shumë të rëndësishme zbatimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Zëvendëspërfaqësuesja franceze në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Nathalie Broadhurst, tha se prioritet duhet të jetë zbatimi i AKS-së dhe kthimi i serbëve në institucionet kosovare.

Broadhurst i ka përshëndetur zgjedhjet e 23 prillit në veri, ku tha se ato ishin të qeta.

“Zgjedhjet e mbajtura në veri kanë shkuar pa incidente. Shprehim mirënjohje për Qeverinë e Kosovës për diçka të tilla. Në këtë kontekst zgjedhjet s’mund të paraqesin zgjidhje afatgjate. Prioritet duhet të jetë Asociacioni dhe kthimi i serbëve në institucionet e Kosovës”, tha ajo.

E dyta e Francës në KS të OKB-së theksoi se presidenti Emmanuel Macron, është i përkushtuar në ofrimin e mbështetjes së tij për paqe dhe stabilitet.

Gërvalla në Këshillin e Sigurimit: Putini po çon trupa në Kosovë si në 1999

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ka folur për trupat e grupit “Wagner” në Kosovë.

Ajo tha se presidenti rus, Vladimir Putin, si në vitin 1999 që ka çuar trupa në Prishtinë, këtë po e vazhdon edhe sot, teksa shtoi se pa prezencën e NATO-së në Kosovë do të kishte luftë.

Në vend të sanksioneve ndaj agresorit, Rusisë, Serbia në mënyrë aktive e vë veten në dispozicion si inkupator për bizneset ruse. Prandaj, Serbia mbështet luftën e Rusisë në Ukrainë dhe ajo para OKB-së s’ka vlerë sepse i ka ndihmuar Rusisë që në mënyrë barbare ta shkatërrojë Ukrainën”, tha Gërvalla.

Tutje, ajo tha se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe ministri i Jashtëm, Ivica Daçiq, kanë qenë mbështetës entuziastë të një lufte të tmerrshme të Rusisë në Ukrainë.

Mbretëria e Bashkuar në OKB: Asociacioni të themelohet sa më shpejt

Koordinatori kombëtar i Mbretërisë së Bashkuar në Kombet e Bashkuara, Fergus Eckersley, ka thënë se është koha që Kosova të angazhohen në dialog dhe të shmangin retorikën e ashpër.

Ai ka thënë se të dy palët janë zotuar për themelimin e Asociacionit dhe ka kërkuar që Kosova dhe Serbia të angazhohen që sa më shpejt të ndodh themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Mirëpresim progresin e bërë në dialogun e Brukselit. Është koha që dy palët të angazhohen në dialog dhe të shmangin retorikën. Kosova dhe Serbia e kanë zotuar për themelimin e  Asociacionit dhe të dy palët duhet të angazhohen në mënyrë sa më shpejtë që ky Asociacion të themelohet sa më shpejt”, ka thënë ai.

“Inkurajojmë të dy palët që të zbatojnë atë që janë zotuar”, ka përfunduar diplomati britanik.

Ferit Hoxha në OKB: Daçiq i kërkon Kosovës të respektojë marrëveshjen e Ohrit, vet e bën të kundërtën

Përfaqësuesi i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Ferit Hoxha, ka thënë se sipas Nenit 4 të marrëveshjes së Ohrit thuhet që Serbia s’do ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Hoxha ka thënë se është befasuar teksa ka dëgjuar diplomatin serb, Ivica Daçiq teksa e bën të kundërtën në ndërkohë që i bën thirrje Kosovës që të respektojë marrëveshjen.

“Sipas Nenit 4 të marrëveshjes së Ohrit thuhet se Serbia s’do ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në organiztat ndërkombëtare. Isha shumë i befasuar ta dëgjoj ministrin Dacic të thotë të kundërtën këtu edhe pse ai i bënte thirrje Kosovës që t’i përmbahet marrëveshjeve. Ne përshëndesim përfaqësuesin e BE-së, Borell, Lajcak, dhe Escobar për angazhimin e tyre. Marrëveshjet vlejnë nëse zbatohen”, ka thënë ai.

Sa i përket zgjedhjeve lokale, Hoxha ka thënë se Kosova i ka organizuar në mënyrë të shkëlqyer, dhe se i vjen keq që serbët nuk kanë marrë pjesë.

“Zgjedhjet lokale janë mbajtur në mënyrë të shkëlqyeshme. Shprehim keqardhje që serbët nuk morën pjesë”, ka deklaruar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat