Gërvalla ‘shpërthen’ ndaj Daçiqit - e quan “kriminel lufte” në tri gjuhë

Aktuale

Gërvalla ‘shpërthen’ ndaj Daçiqit - e quan “kriminel lufte” në tri gjuhë

Më: 27 prill 2023 Në ora: 17:45
Donika Gërvalla

“Kurrë më Kosova s’do të jetë viktimë e pambrojtur e gjenocidit” ishin fjalët që i tha kryediplomatja Donika Gërvalla në paraqitjen e saj në seancën e Këshillit të Sigurisë në Kombet e Bashkuara. E nisi me kritika për UNMIK-un, e përfundoi duke e thënë në tri gjuhë se homologu i saj serb, Ivica Daçiq është kriminel lufte. Çka u tha në seancën e sotme?

Seanca në Këshillin e Sigurimit të OKB-së nisi me deklarimin e përfaqësues speciale të Sekretares së Përgjithshme dhe shefes së UNMIK-ut, Caroline Ziadeh.

Kjo, paraqiti raportin e UNMIK-ut për Kosovën, derisa më pas pasuan fjalët e Daçiqit dhe Gërvallës.

Çka tha fillimisht Daçiq?

I pari që foli ishte Daçiq. Ky e kishte kryefjalë të fjalimit Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe, duke thënë se formimi i tij është parakusht i zbatimit të marrëveshjes së Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Asociacioni i Komunave Serbe ose duhet të bëhet tash ose nuk do të ketë asnjë lloj tjetër të marrëveshjes.” – u shpreh ai.

Mes tjerash, Daçiq përmendi edhe “pamundësinë” e kthimit të serbëve në Kosovë, duke pretenduar se janë rreth 200 mijë.

“Në Prishtinë kanë jetuar 40 mijë serbë, sot janë rreth 100...Në Prizren ku kam lindur dhe ku më duhet leje sot për ta vizituar, kanë jetuar 10 mijë, sot jetojnë rreth 20.” – tha ai.

Ai e përmendi edhe mundësinë që Kosova të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara, duke deklaruar si vijon: “Nuk ka asnjë mënyrë asnjëherë që Kosova të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara sepse nuk kanë shumicë”.

“Në fund dua tju them diçka të gjithëve këtu...Para 10 vite unë nënshkrova Marrveshjen e Brukselit, pala tjetër ishte e interesuar vetëm për pavarësinë e Kosovës... Marrëveshja e Ohrit ishte jo për njohje por për normalizim.” – deklaroi Daçiq.

Radha e Gërvallës

Fjalimin e saj ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla e nisi duke thënë se nuk iu lejua që të flasë në gjuhën shqipe, ndryshe nga homologu i saj serb i cili foli në gjuhën serbe.

“Derisa Daçiq foli këtu në gjuhën e shumicës shtetit të tij në vend të anglishtes, unë po ashtu dua të flas në shqip, gjuhën që flitet në shtetin tim, Kosovë. Fatkeqësisht, presidenti refuzoi kërkesën time.” – ka deklaruar ajo.

Më pas, Gërvalla vijoi me fjalët e saj. Që në fillim të fjalimit, kryediplomatja kosovare shfaqi kritikat e saj për misionin e UNMIK-ut.

“Problemet e UNMIK-ut në vendin tonë dhe ndërkombëtarisht janë njohur për shumë vite. Shumë organizata të OKB-së po bëjnë shumë punë nëpër vende. UNMIK është bërë faktor destabilizues, dhe nuk servon stabilitet e paqe në rajon.” – deklaroi ajo.

Trupat e NATO-s janë në Kosovë, dhe kjo sipas Gërvallës, ndalon Serbinë dhe Rusinë për një konflikt tjetër të mundshëm.

“Ushtrimet e Serbisë që janë rritur në vitin 2021, bazat ushtarake pranë Kosovës, dhe trupave serbe në kufijtë tanë e armëve, me propagandë në media, aleanca me krim të organizuar – është e qartë, pa prezencën e NATO-s dhe ShBA-së, do të ishte bërë luftë tashmë.” – tha ajo.

Ministrja e bëri të qartë në deklaratën e saj se Kosova "kurrë më nuk do të jetë viktimë e gjenocidit".

“Kurrë më. Kurrë Kosova nuk do të jetë një viktimë e pambrojtur e gjenocidit, kurrë më nuk do të ketë destruksion, kurrë më nuk do të ketë gjenocid, ne kurrë më, bashkë me partnerët tanë, nuk do të qëndrojmë të pambrojtur. Ne do ta mbrojmë vendin tonë kundër këtij agresioni.” – tha ajo.

Po ashtu, ministrja e Qeverisë së Kosovës u shpreh se “ata që janë përgjegjës për gjenocid, jaën ende në pushtet ne Serbi”.

Ajo e ka cilësuar Daçiqin si dorë të djathtë të kriminelit serb, Slobodan Millosheviq.

“Ata që janë përgjegjës për gjenocid janë ende në pushtet në Serbi. Vetë Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka qenë ministër i propagandës i Sllobodan Millosheviqit. Daçiq, është përgjegjës për krime lufte, vrasje masive, përdhunime, dhe duhet të sillet para drejtësisë për krime lufte. Nga 1999 deri 2000 ishte dora e djathtë e Millosheviqit, e duartrokiti si hero dhe ishte pasardhësi i tij. Dhe ja sot e kemi para. Ne negociojmë me to sepse jemi për paqe. E dimë që ka një Serbi tjetër, por që ende është e dobët. Po presim atë Serbi. Shpresojmë që ajo të vijë sa më shpejtë.” – tha ajo.

Gati krejt në fund të fjalimit të saj, Gërvalla para të pranishmëve deklaroi në tri gjuhë - anglisht, shqip dhe serbisht – se homologu i saj serb, Ivica Daçiq, është kriminel lufte.

“Daçiq është përgjegjës për krime lufte, vrasje masive, përdhunim, dhe duhet të sillet para drejtësisë për krime lufte.” – u shpreh ministrja.

Ndërkohë, pasi Gërvalla përfundoi fjalinë e saj, kryesiu rus pretendoi se nuk ia ka mohuar kërkesën që ajo të deklarohet në gjuhën shqipe.

"Dua ta mohoj pohimin e saj se Presidenca nuk e lejoi të flasë shqip në Këshillin e Sigurimit. Neve na informuan që ju ishit të përgatitur për të folur anglisht. Nëse ju zonja Gërvalla do të kishit ngulur këmbë absolutisht që të flisni në shqip dhe ka një precent të tilë. Ne do të kishim bërë që kjo gjë të lejohej.” – tha ai, derisa seanca po vazhdon edhe më tej.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat