Kurti takon kryediplomatin grek, kërkon zbatim pa vonesa të Marrëveshjes së Ohrit

Aktuale

Kurti takon kryediplomatin grek, kërkon zbatim pa vonesa të Marrëveshjes së Ohrit

Më: 29 prill 2023 Në ora: 11:45
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti- Nikos Dendias

Kryeministri i Kosovës, ka kërkuar zbatim të plotë, pa vonesa dhe pa kushtëzime të Marrëveshjes së Ohrit, të arritur më 18 mars me Serbinë, në takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias.

Kurti u takua me Dendiasin në ditën e dytë të Forumit Ekonomik në Delphi të Greqisë.

Në takim, siç ka njoftuar Kryeministria, janë diskutuar zhvillimet e fundit dhe pritjet për takimin e nivelit të lartë më 2 maj në Bruksel.

“Gjatë takimit u diskutua edhe për zhvillimet e fundit në vend, rezultatet dhe rëndësinë e mbajtjes së zgjedhjeve në katër komunat veriore të Kosovës të dielën e javës së kaluar, nevojën për zbatim të plotë, pa vonesa dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të Zbatimit me Serbinë dhe për pritjet e takimit të nivelit të lartë politik me 2 maj në Bruksel, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian”; thuhet në njoftim.

Përveç zhvillimeve të fundit, Kurti diskutoi me Dendiasin edhe mënyrat se si mund të avancohen më tej marrëdhëniet mes Kosovës dhe Greqisë, të rriten shkëmbimet tregtare e investimet e huaja.

Takimi i sotëm i Kurtit me Dendiasin ishte i dhjeti në dy vjet. Muajin e kaluar, ministri grek kishte vizituar Kosovën. Ishte vizita e tij e gjashtë zyrtare në Kosovë.​

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat