Krasniqi përkujton dëshmorët e Drenicës: Liria që gëzojmë sot është e shenjtë

Aktuale

Krasniqi përkujton dëshmorët e Drenicës: Liria që gëzojmë sot është e shenjtë

Më: 30 prill 2023 Në ora: 19:57
Foto nga vendi i ngjarjes

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka përkujtuar dëshmorët e Drenicës, ku ka thënë se fundi i prillit të vitit 1999 shënon ndër ditët më të renda të luftës për liri.

Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi ka thënë se së bashku me kolegë e bashkëpunëtorë kanë bërë homazhe në Marinë e Vërboc, ndërsa në Shtuticë e Gllobar ka marrë pjesë në zbulimin e pllakave përkujtimore të dëshmorëve dhe martirëve.

Ai tutje ka thënë se liria që e gëzojmë sot është e shenjtë dhe është dashur shumë sakrificë për të arritur në këtë ditë.

Postimi i plotë:

Fundi i prillit të vitit 1999 – për Drenicën shënon ndër ditët më të rënda të luftës për liri ku ranë 40 dëshmorë të UÇK-së në krye me heroin e kombit, Ilaz Kodra dhe u martirizuan mbi 270 qytetarë nga Vërboci, Shtutica, Tërsteniku, Dosheci, Baki, Gllobari dhe fshatrat përreth.

Për të shënuar 24 vjetorin e kësaj dite, e cila do të përkujtohet nga populli ynë përjetësisht, së bashku me kolegë e bashkëpunëtorë bëmë homazhe në Marinë e Vërboc, ndërkaq në Shtuticë e Gllobar morëm pjesë në zbulimin e pllakave përkujtimore të dëshmorëve dhe martirëve.

Sa e shenjtë është liria që e gëzojmë sot dhe sa shumë sakrificë na është dashur të bëjmë si popull, historikisht, për të arritur në këtë ditë – na rikujtojnë çdo ditë përvjetoret e dëshmorëve dhe martirëve tanë, mbi gjakun e të cilëve qëndron sot shteti ynë i pavarur.

Lavdi të përjetshme të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat