​Protestë, punëtorët e sektorit privat kërkojnë rritje të pagave

Aktuale

​Protestë, punëtorët e sektorit privat kërkojnë rritje të pagave

Më: 1 maj 2023 Në ora: 12:33
Foto nga vendi i ngjarjes

Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës ka nisur protestën të hënën me një minutë heshtje për punëtorët që kanë vdekur në vendin e punës gjatë këtij viti.

Me rastin e 1 Majit, Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, protestuesit e sektorit privat kanë kërkuar rritjen e pagës minimale 450 euro, nënshkrimin e Kontratës Kolektive, trajtim të barabartë të punëtorëve me sektorin publik dhe fond për punëtorët që humbin jetën dhe ata që lëndohen në vendin e punës.

Protestuesit kanë mbajtur në duar disa pankarta me mbishkrime: “Rritni pagat”, “S’punojmë më për 200 euro”, “Qeveri nënshkruani marrëveshjen kolektive”, “Duam të drejtat tona” dhe “Kërkojmë rritjen e pagave”.

Kryesindikalisti, Jusuf Azemi ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës t'i mbajë premtimet e dhëna gjatë fushatës për punëtorët e sektorit privat, sepse sipas tij puna karshi sektorit privat është zero.

"Do të kishim pas dëshirë të festojmë edhe ne sot, por nuk dolëm sepse pronarët e kompanive dhe qeveria nuk po na lejojnë këtë. Nuk mund të dalim e të festojmë sikur ata për vete, sepse së paku ata nuk e kanë problem pagën, ata e kanë problem që ne kur ua prishim gjumin të na ironizojnë. Edhe ne kemi shpirt e duam të jetojmë e t'i gëzojmë fëmijët tanë, por ju nuk po lejoni. Qeveria ka premtuar gjatë fushatave për kushte më të mira ndaj sektorit privat, por nuk i ka mbajtur fjalët", tha Azemi.

Azemi u shpreh se vetëm për dy vitet e kaluara e kanë lëshuar Kosovën mbi 100 mijë punëtorë.

Ndryshe gjatë ditës në kryeqytet janë mbajtur dy protesta, dhe një aksion simbolik nga Partia Socialdemokrate. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat