I shkuan tinëz në shtëpi, këta janë babë e bir nga Gjakova të dyshuar për sulmin ndaj 60-vjeçarit

Aktuale

I shkuan tinëz në shtëpi, këta janë babë e bir nga Gjakova të dyshuar për sulmin ndaj 60-vjeçarit

Më: 2 maj 2023 Në ora: 11:53
Ilustrim

Mmëngjesin e sotëm u raportua për një sulm fizik që ka ndodhur mbrëmë në fshatin Shishman të Gjakovës, ku dy persona dyshohet se kanë rrahur një 60-vjeçar. Sipas Policisë, të dyshuarit janë arrestuar dhe kanë përfunduar në ndalim policor.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se të dyshuarit janë babë e bir, Ilmi dhe Florian Fetaj.

Mësohet se e gjithë ngjarja ka ndodhur fillimisht në një shitore të fshatit, ku Ilmiu ishte takuar dhe ishte konfrontuar fizikisht me viktimën.

Pas kësaj, 49-vjeçari dyshohet se nën ndikimin e alkoolit ka thirrur djalin e tij, Florianin, dhe bashkë kanë shkuar te shtëpia e viktimës, me qëllim që ta rrahin sërish.

Për të hyrë në oborrin e familjes së 60-vjeçarit, 20-vjeçari dyshohet se ka zgjedhur një mënyrë klandestine, duke e kaluar murin e oborrit. Ai dyshohet se këtë veprim e bëri edhe për të ndihmuar babain e tij që të futet brenda, duke ia hapur më pas dyert e oborrit.

I gjithë plani i sulmit, duket të ketë qenë i mirë menduar, pasi që sipas informacioneve të cilat posedon Sinjali, ata fillimisht kanë ndalur rrymën në njehsor dhe më pas kanë thirrur viktimën që të dalë jashtë.

Përballë kësaj situate, 60-vjeçari është detyruar që të njoftojë Policinë, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes.

Me të parë se njësitë policore janë afruar, dy të dyshuarit kanë tentuar që të arratisen, mirëpo kanë dështuar.

Ilmi dhe Florian Fetaj janë arrestuar dhe janë shoqëruar në stacion policor ku janë intervistuar lidhur me rastin.

Me urdhër të prokurorit ata janë dërguar në mbajtje dhe do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat