Takimi për Asociacionin/ Opozita: Kurti mund të bëjë gjithçka për ta mbajtur pushtetin

Aktuale

Takimi për Asociacionin/ Opozita: Kurti mund të bëjë gjithçka për ta mbajtur pushtetin

Më: 2 maj 2023 Në ora: 18:17
Pamje nga arkiva

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq do të takohen sot në Bruksel për një raund të ri bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve.

Në këtë takim dy pika kyçe të cilat pritet të diskutohen janë miratimi i Deklaratës për të Zhdukurit dhe paraqitja e draftit të parë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Për takimin në Bruksel i cili pritet të fillojë sot rreth orës 18:00, kanë folur nga opozita dhe analist politikë.

Deputetja e AAK-së: E dëmshme për Kosovën që Asociacioni të pranohet me kompetenca ekzekutive

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj ka thënë se sa i përket takimit që do të mbahet sot në Bruksel mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë.

Por, ka shtuar se më e çuditshmja është se nuk dihet se nga kush është punuar draft-statuti i Asociacionit.

“Ne nuk e dimë se kush ka punuar dhe nga kush është punuar. Sipas marrëveshjeve të mëhershme statuti i Asociacionit është punuar nga një grup i serbëve, a do të diskutohet statusi apo jo, a do të ketë mundësi Kurti te jep versionin e vet, me ndryshu apo me plotësuar diçka dhe këtë nuk e kam të qartë, këtë duhet ta bëjë të qartë kryeministri Kurti dhe kabineti i tij qeveritar”, ka thënë Kadrijaj për Fo.

Sipas saj, tashmë është thënë që kryeministri Kurti e ka pranuar Asociacionin.

“Nga ajo që u tha mbrëmë është thënë që Asociacioni është pranua nga Kurti, ndërsa sot besoj se do të bëhet publike pranimi ose mospranimi. Nuk është në të mirë të Kosovës që të pranohet Asociacioni me kompetenca ekzekutive, statusi duhet të jetë konform Gjykatës Kushtetuese”, është shprehur ndër të tjera Kadrijaj.

Deputetja e LDK-së: Kurti është në gjendje të pranojë gjithçka vetëm të rri në pushtet

Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi ka deklaruar se nga takimi i sotëm Kurti dhe Vuçiq nuk pret asgjë pozitive.

“Marrë për bazë marrëveshjen e Ohrit, në të cilën Kurti ka shkelur çdo gjë, përfshirë edhe parimet me të cilat e ka marrë pushtetin, nuk mund të presim asgjë pozitive as nga takimi i sotëm”, është shprehur deputetja Krasniqi.

Krasniqi, thotë se kryeministri Kurti është në gjendje të pranojë gjithçka vetëm e vetëm që të qëndroj në pushtet.

“Për me keq, ai ka dëshmuar se është në gjendje të pranojë çka do vetëm të rri edhe më tutje në pushtet, e kjo besoj se do të jetë e dëmshme edhe për vetë vendin, sepse pasojat mund të jenë të parikuperueshme”, ka shtuar ajo.

Ukaj: S’pres që statuti i Asociacionit të jetë në harmoni me Kushtetutën, është bërë nga komuniteti serb

Analisti politik Fidan Ukaj, thotë se nga ajo që ka parë nuk ka shpresa se do të arrihet ndonjë dakordim sot në Bruksel për dy pikat kryesore e që janë miratimi i deklaratës për të zhdukurit dhe draft-statuti i Asociacionit.

“Ne kemi parë deklarata që nuk japin shumë shpresë që mund të kemi një dakordim qoftë për deklaratën për personat e pagjetur ku Serbia insiston që të hiqet pjesa të zhdukur me forcë e po ashtu sot pritet që të ketë një prezantim të një draft statuti fillestar e që ne e dimë që ai ekip i cili është marrë më draftimin e këtij statuti është një ekip i përbërë nga komuniteti serb dhe nuk presim që të jetë një status i cili do të jetë në harmoni me Kushtetutën e  vendit dhe unë besoj që do të jetë një statut edhe më i keq se ai i vitit 2015 dhe ashtu siç e kemi dëshiruar edhe BE-në, por edhe palën kosovare do të jetë një pikënisje që të ketë një dakordim rreth këtij statuti”, është shprehur Ukaj.

Deklaron se sot mund të ketë një përafrim ose një dakordim sa i përket deklaratës për të pagjeturit.

“Sot, nëse mund të ketë një përafrim ose një dakordim rreth deklaratës për të pagjeturit, ndërsa sa i përket statutit të Asociacionit do të jetë vetëm një pikënisje dhe sigurisht se do të ketë një rrugë të gjatë deri në dakordimin nga palët rreth statutit final që do të formojë edhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, ka thënë ai.

Marrëveshja Bazë e Ohrit në mars nuk parasheh njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, por kërkon prej tyre që të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese.

Ajo, po ashtu, kërkon nga të dyja palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, i cili ka nisur qysh nga viti 2011.

Marrëveshja, e cila është njohur më herët edhe si propozimi evropian, ka edhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka biseduar javën e kaluar edhe me Kurtin, edhe me Vuçiqin në lidhje me takimin e sotëm dhe ka shfaqur shpresën se palët do të jenë konstruktive.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat