“Ademi u zhduk në luftë, nanën deri në vdekje e kemi rrejt se kthehet”

Aktuale

“Ademi u zhduk në luftë, nanën deri në vdekje e kemi rrejt se kthehet”

Më: 2 maj 2023 Në ora: 20:22
Lutfije Vokshi

Bombardimet e NATO-s, frustruan forcat serbe të cilat në muajin prill nisën ofenzivën në Zonën e Drenicës.

Edhe Mitrovica ishte paralizuar, përpos zonave malore ku UÇK-ja bënte përpjekje për të mbrojtur civilët nga makineria vrastare.

Kjo situatë e la të izoluar në pjesën veriore, mjekun e UÇK-së, njeriun që i shërbeu shqiptarëve pa pasur frikë nga pasojat, edhe në kohën kur nxënësit helmoheshin nëpër shkolla.

Më 19 prill mjeku Ademi Ademi nga Mitrovica, nisi përpjekjen bashkë 28 persona tjerë që të dalin në Mal të Zi për t’i shpëtuar ekzkekutimit.

Në malet e Zubin- Potokut, 23 nga ta u kapën prej forcave serbe, e që prej atëherë nuk dihet se ku janë.

Mënjëherë pas luftës motra Lutfije Vokshi bashkë me familjen nisën kërkimet.

“Lypshin pare, ka qenë bile njëni ka qenë prej nacionaliteti në Gjakovë dhe ka lyp pare dhe ka thënë se do të ju thërret në telefon do të ja dëgjoni zërin që nuk e di askush, edhe ai do të ju përgjigjet në atë pyetje, mirëpo ka qenë e kot…”, ka deklaruar Lutfije Vokshi, motra e Adem Ademit.

Për një kohë e kërkuan edhe në listën e të burgosurve, pistë e cila u shua pas lirimit të tyre nga burgjet e Serbisë.

“Asnjëherë nuk kemi pushuar qe 24 vite d.m.th. është kohë shumë e gjatë sa dhimbja veç shkon e rritet. Me kalimin e kohës nuk shërohet varra, vetëm rritet.. Jeta është shumë e rëndë nuk ia kisha dëshiru as armikut, 24 vite nuk ka as festë as gëzim në familjen tonë gjithmonë tu prit”, ka thënë Lutfije Vokshi, motra e Adem Ademit.

Babai iu vdiq para nisjes së bombardimeve ndërsa nëna vite më vonë, e të cilën Vokshi thotë e ushqenin me shpresë së djalit një ditë do t’i kthehet në shtëpi.

“Edhe i kemi thanë nënës që atyne serbëve (Ademi) iu duhet si doktor edhe e kanë marrë e mbajnë atje, gjatë gjithë kohës i kemi thënë kështu. Deri sa pak para se me vdek na tha mjaft më keni rrejt, kët fjalë e ka thënë”, ka thënë Lutfije Vokshi, motra e Adem Ademit.

Për fatim e Ademit dhe të 1616 “Adema-ve” të tjerë, sipas shoqatave për personat e zhdukur përgjigje duhet të kërkohet vetëm në një adresë, në Serbi.

“Premtim që na ka lidhur për Kurtin ka qenë që çështje numër një në dialogun eventual me Serbinë do të jetë çështja e të zhdukurve. Gjë që nuk është sot dhe nuk ishte as në fillim të punës së kësaj qeverije, për shkak se ai e kishte rreshtuar  çështjen tonë të parën dhe dialogun e kishte rreshtu diku ka pika e shtatë e çështjeve me priporitet të Qeverisë, e nuk doli ashtu. Nuk e di a ia imponuan, kam mendu që është më i qëndrueshëm Albin Kurti”, ka thënë Haki Kasumi, Shoqata për Hulumtimin e Fatit të Personave të Pagjetur.

Edhe në marrëveshjen e 4 shtatorit 2020 në Washington është përfshirë çështje e të pagjeturve. Ndër të tjera aty thuhet se të dyja palët zotohen të përshpejtojnë përpjekjet që të lokalizojnë dhe identifikojnë mbetjet e personave të humbur. Përkundër këtyre marrëveshjeve, dy dekada pas luftës 1617 persona ende mbeten të zhdukur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat