Përplaset Konjufca me Hotin, kjo është arsyeja

Aktuale

Përplaset Konjufca me Hotin, kjo është arsyeja

Më: 3 maj 2023 Në ora: 08:17 Përditësuar në ora: 16:24 më 03.05.2023
Kuvendi

​Gjuha joparlamentare në Kuvend, Konjufca përplaset me deputetin Hoti

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca është përplasur me deputetin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti për gjuhën jo parlamentare në seancën e sotme të Kuvendit.

Shkas për këtë u bë deklarimi i ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, e cila gjatë fjalimit të saj e quajti hipokrit deputetin Hoti.

“Vërtet është hipokrizi nga ana e juaj që mundoheni me de-vlerësuar këtë ligj, i cili do të sjell shumë të mira, përfshirë edhe menaxhimin e zonave ekonomike, pasi deri më tani s’ka pasur menaxhim të mirëfilltë të zonave ekonomike...Ju lutem mos u bëni më shumë hipokrit, pasi përmes vlerës së shtuar në këtë ligj shtojmë edhe vlerën e parqeve teknologjike”, tha ajo.

Kjo bëri që deputeti Hoti të reagoi, ku kërkoi nga ana e kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca që t’i tërhiqet vërejtja ministres Hajdari për gjuhën e përdorur.

“Besoj se është detyrë e juaj që të kujdeseni që kur deputetët dhe ministrat përdorini gjuhë jo parlamentare të iu tërhiqte vërejtja”, tha Hoti.

Por, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca u shpreh i çuditur me kërkesën e deputetit Hoti, pasi tha se me qindra herë ai i është referuar kryeministrit Kurti si hipokrit, mashtrues dhe gënjeshtar. Ai tha se përdorimi i këtyre fjalëve është në ndërgjegjen e secilit në sallën plenare.

“Sa i përket fjalorit parlamentar, me ju thanë të drejtën po me çuditni pak. Sepse me dhjetëra herë, në mos me qindra, ju keni referuar kryeministri si hipokrit, mashtrues, gënjeshtar. Si deputetë opozitar, pse nuk ma kujtojshi qatëherë që nuk është jo parlamentare. Unë e di mirë çka jam duke bërë. Kur e tolerojë këtë për ju dhe kur është toleruar vazhdimisht në Kuvendin e Kosovës, për këto fjalë nuk mundem me ua ndërpre fjalën. Për këto terminologji që i përdorni duhet ta keni ndërgjegjen vete, të keni kujdes qysh e trajtoni kolegun, edhe deputetin edhe qeverinë. Këto janë të ndërsjella”, ka thënë Konjufca.

​Kuvendi miraton dy projektligje

Kuvendi i Kosovës në vazhdimin e seancës ka miratuar në lexim të parë Projektligjin për investime të qëndrueshme dhe Projektligjin për parqet industriale dhe teknologjike.

Për këto projektligjeve votuan 61 deputetë, kurse deputetët opozitarë kritikuan përmbajtjen e këtyre projektligjeve.

Në anën tjetër, Kuvendi nuk miratoi raportin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, pasi deputetët e mazhorancën abstenuan.

Pas diskutimeve të këtyre pikave, Kuvendi shkoi në pauzë deri në orën 16:30, ku pritet të shqyrtohen pika të tjera të cilat janë në rend të ditës.

Kuvendi themelon Komisionin Ad-Hoc për përzgjedhjen e dy anëtarëve të Bordit të RTK-së

Në seancën e Kuvendit të Kosovës sot është formuar Komisioni Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komuniteti serb dhe një nga komuniteti shqiptar.

Kryetare e këtij Komisioni është propozuar Eliza Hoxha dhe anëtar nga PDK deputeti Isak Shabani. Ndërsa, nënkryetar është deputeti I LVV-së, Fitim Haziri e anëtare: Arbëresha Kryeziu, Valon Ramadani, Njazi Isaku dhe Besim Muzaqi. Nga LDK anëtar të këtij komisioni janë përzgjedhur: Agim Veliu e Armend Zemaj, ndërsa Time Kadrijaj përfaqëson AAK-në, ndërsa, grupi multietnik nga deputetja Fidan Jilta, e cila është edhe nënkryetarja e dytë.

Aktualisht, në seancën e sotme është duke vazhduar pika e rendit për përzgjedhjen e një (1) anëtari joekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

Kandidatët për këtë anëtari joekzekutiv janë: Afrim Atashi, Afrim Hoxha, Enver Bajçinca, Florim Peci, Valdrin Kasumaj.

Në seancën e sotme janë duke u trajtuar pikat e përpërfunduara nga gjashtë seancat e kaluara të muajit shkurt, mars, prill. 

-------------------

Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mblidhet sot nga ora 10:30, e më pas do të ketë seancë nga ora 11:00.

Në seancën e sotme në rend dite do të jenë pikat e papërfunduara që nga muaji shkurt, mars e prill.

Në javët e fundit, disa seanca të Kuvendit janë shtyrë për shkak të mungesës së kuorumit.

Mbetet të shihet nëse do të ketë kuorum sot.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat