Arifi: Qeveria duhej t’i kërkonte ekipit menaxhues që Asociacioni të jetë në harmoni me Kushtetutën

Aktuale

Arifi: Qeveria duhej t’i kërkonte ekipit menaxhues që Asociacioni të jetë në harmoni me Kushtetutën

Më: 3 maj 2023 Në ora: 17:53
Avni Arifi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk e ka pranuar draft-statutin e Asociacionit që është prezantuar dje në Bruksel nga ekipi menaxhues.

Ekip ky që ishte i përbërë nga katër pjesëtarë të komunitetit serb.

Kurti, tha se draft-statuti i prezantuar nuk ka ligjshmëri, kushtetutshmëri dhe nuk përkon me vlerat evropiane për të drejtat e pakicave.

Vetëm, një ditë më vonë ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Elbert Krasniqi, ka shkruar se ka liruar nga detyra anëtarët e ekipit menaxhues.

Lidhur me këtë ka folur ish- ambasadori i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, Avni Arifi.

Ai, ka thënë se vendimi i Qeverisë për shkarkimin e këtij ekipi është i duhur, por se para shkarkimit është dashur të mendohej rruga se si do të vazhdohet pastaj.

“Vendimi i kryeministrit për shkarkimin e tyre është vendim i duhur, mirëpo paraprakisht është dashtë të mendohet edhe rruga pastaj. Unë nuk po shoh që ka ndonjë alternativ të akceptueshme nga Bashkësia Ndërkombëtare se si do të procedohet me statusin që do të duhej ekipi menaxhues të krijonte”, është shprehur Arifi.

Arifi thotë se derisa vendimi për shkarkimin është i duhur, deklaron se nuk e din se cilat do të jenë veprimet e Qeverisë për zëvendësimin e këtij ekipi.

Kjo, për shkak se ky ekip buron nga marrëveshja e Brukselit.

“Qeveria me shkarkimin e ekipit menaxhues ka opsionin ose alternativën që do ta shoqërojnë këtë veprim sepse ekipi menaxherial buron nga marrëveshja e Brukselit dhe unë nuk po e di se cilat do të jenë veprimet e Qeverisë dhe si do t’i zëvendësojë ata aq më parë kur ata me marrëveshje të Brukselit duhet të nominohen nga kryetarë të komunave veriore”, ka thënë ai.

Ndërsa, është shprehur se ka dilema se a do të ketë kapacitet kryeministri të krijojë një ekip të ri menaxhues nga kryetarët e sapo zgjedhur të komunave veriore.

“Nëse kryeministri mendon që kryetarët e sapo zgjedhur do t’i emërojnë katër ekspertë atëherë nuk e di a do të kalojë ky veprim tek Bashkësia Ndërkombëtare, nuk e di a do të ketë kapacitet që të krijojë një ekip të ri menaxhues nga kryetarët e sapo zgjedhur të komunave veriore edhe që ai ekip të jetë i akceptuar nga Bashkësia Ndërkombëtare i kam dilemat e mia”, ka shtuar Arifi.

Sipas Arifit, situata që është krijuar tani është e komplikuar dhe krejt kjo për shkak që kjo Qeveri deri në ditën e djeshme nuk është marrë asnjëherë me ekipin menaxhues .

“Unë nuk kam parë që ka pas një kërkesë nga Qeveria që kish me ia krijua kornizat ekipit menaxhues të draftit që është dashtë ta bëjnë dhe Qeveria t’i kërkonte që statuti të jetë në harmoni me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese për marrëveshjen dhe nuk ka pas një veprim të tillë, as s’ka qenë e pritshme që ata do ta bëjnë një statut sepse ata pastaj u krijuan si një supra institucion që nuk i jepte llogari askujt nga Qeveria e Kosovës dhe ata dolën me një statut që as nuk është publik ka qenë e pritshme se do të jetë Serbi, pra jo me bë një Asociacion por do të jetë Serbi dhe çka tash ka ndodhë ata kanë ardhë me statut”, ka thënë ndër të tjera ai.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë theksuar se palët do të vazhdojnë të diskutojnë lidhur me Asociacionin, në takimet e ardhshme të grupeve negociatore.

Draft-vizioni, siç e ka quajtur kryeministri Kurti dokumentin e propozuar nga ai, për rregullimin e çështjes së komunitetit serb në Kosovë, i referohet pikës së 7-të të Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Dokumenti parasheh një projekt-statut, në të cilin “vetëmenaxhimi do t’u ofrojë mundësi pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë të promovojnë interesat e tyre përmes kornizës vetëmenaxhuese”.

Dokumenti, ndër të tjera, thotë se “do të nxisë projektin joterritorial”, “do të sigurojë një kanal të drejtpërdrejtë të komunikimit” me Qeverinë e Kosovës, si dhe do të ofrojë mundësinë që të financohet nga buxheti i Qeverisë së Kosovës, organizatat ndërkombëtare, institucionet e vendeve të treta dhe donacionet, përfshirë edhe nga Serbia.

Projekt-statuti, siç thuhet në propozimin e Kurtit, “do të njohë plotësisht karakteristikat kushtetuese të Republikës së Kosovës”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat