Escobar për ‘draft-vizionin’ e Kurtit: Mendoj se është serioz, por edhe ai i Ekipit Menaxhues ishte serioz

Aktuale

Escobar për ‘draft-vizionin’ e Kurtit: Mendoj se është serioz, por edhe ai i Ekipit Menaxhues ishte serioz

Më: 3 maj 2023 Në ora: 20:00
Gabriel Escobar

I emëruari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, vlerëson që me prezantimin e draft-statuteve në lidhje me formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, është bërë progres, megjithëse i vogël, në bisedimet mes të dyja palëve. Çka tha tjetër ai në një bisedë me gazetarë?

Kosova dhe Serbia gjatë takimit që u mbajt mbrëmë, më 2 maj, kanë arritur Deklaratën për të Zhdukurit, që nga kryediplomati evropian, Josep Borell, u konsiderua si pjesa pozitive e takimit.

Një pjesë më pak pozitive, sipas tij, ishte ajo e Asociacionit pasi Qeveria e Kosovës refuzoi draft-statutin e prezantuar nga Ekipi Menaxhues, i cili përbëhet prej katër pjesëtarëve serbë.

Po, të paktën u shënua një progres i vogël sipas emisarit Escobar. Ai thekson se mbrëmë ishte “një ndër herët e para” që Kosova tregoi vizionin e saj për Asociacionin.

“Ka kaluar vetëm një muaj, tash po e diskutojmë implementimin. Kemi një progres të vogël në propozimet e shkruara nga të dyja palët për Asociacionin. Mendoj që kjo është ndër herët e para, që kemi dëgjuar nga Kosova për vizionin e tyre për Asociacionin, ata e kanë një.” – ka thënë ai në një konferencë të mbajtur online.

Një prej pyetjeve që iu shtrua nga gazetarët në këtë diskutim, ishte edhe nëse z.Escobar vlerëson që “draft-vizioni” i prezantuar nga pala kosovare, ishte serioz.

Escobar u përgjigj qartë duke thënë se “mendon që është serioz, por edhe ai i Ekipit Menaxhues ishte serioz”.

“Mendoj se është serioz, por gjithashtu mendoj se ai i paraqitur nga ekipi menaxhues është serioz. Tani, nuk më takon mua të vendos se çfarë është serioze. Nuk është një proces i lehtësuar nga Amerika; është një proces i lehtësuar nga evropianët. Dhe ajo që është e rëndësishme këtu është që të dyja palët normalizojnë marrëdhëniet e tyre, të harmonizojnë gjithashtu strukturat e tyre me Bashkimin Evropian në përgatitje për anëtarësimin eventual në Bashkimin Evropian." - u shpreh ai.

Pak më herët, Radio Evropa e Lirë raportoi se ka siguruar qasje në draft-statutin e propozuar nga Ekipi Menaxhues ku thuhej se qendra administrative e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sipas draftit, do të ishte në Mitrovicën e Veriut dhe komunat jothemeluese do të mund të anëtarësoheshin në Asociacion nëse Kuvendi i tij jep dritën e gjelbërt.

Po ashtu, Kuvendi i Asociacionit, siç thotë draft-statutit, do të ishte organi suprem dhe secila komunë do të kishte pesë përfaqësues.

Asociacioni do të kishte edhe bordin e kryetarin, simbolet, himnin, flamurin dhe stemën e vet.

Kryeministri Kurti ndërkohë, mbrëmë në orët e vona publikoi propozimin e bërë nga ai, të quajtur “draft-vizion”.

Në tri pikat e para propozimi i kryeministrit Kurti tregon për të drejtat që duhet t’i gëzojë komuniteti serb. Kurse, në piken 5 dhe 6 flitet për komunikimin e Asociacionit me Qeverinë e Kosovës dhe mekanizmat tjerë.

“Do të parasheh një kanal të drejtpërdrejt komunikimi me Qeverinë e Republikës së Kosovës, mes të tjerash, përmes pjesëmarrjes në Këshillin Konsultativ për Komunitete”, thuhet në piken 4 të propozimit.

Në piken vijuese tregohet se ky mekanizëm mund të financohet edhe nga Serbia, duke i respektuar disa procedura.

Ndërkohë, siç ka konfirmuar emisari Escobar pikërisht në këtë konferencë, shumë shpejt madje brenda dy javëve, pritet që të organizohet një takim mes kryenegociatorëve Besnik Bislimi e Petar Petkoviq dhe temë kryesore do të jetë Asociacioni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat