Cila instancë partiake e shkarkoi Haki Abazin nga Grupi Parlametar i Vetëvendosjes?

Aktuale

Cila instancë partiake e shkarkoi Haki Abazin nga Grupi Parlametar i Vetëvendosjes?

Më: 3 maj 2023 Në ora: 22:08
Haki Abazi

Deputeti i pavarur, Haki Abazi, ka komentuar përjashtimin e tij nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Abazi deklaroi se edhe për vendimin për përjashtim nga Grupi Parlamentar sikurse edhe në atë për shkarkimin e tij nga pozita e kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme, nuk përcaktohet se cila instancë partiake apo institucionale e ka marrë një vendim të tillë.

Por, Abazi tha se nuk është i befasuar sa i përket këtij vendimi sepse siç tha ai, debati demokratik brenda Vetëvendosjes ka devalvuar komplet.

“Ju e patë një shkresë që është publikuar e cila sikur edhe në rastin e shkarkimit nga pozita e kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme në asnjë moment nuk shkruhet, e as nuk përcaktohet se cila instancë partiake apo institucionale ka marrë vendim dhe në çfarë mekanizmi demokratik është marrë vendimi, a ka vota të grupit të VV-së,  apo ka marrë Këshilli vendimin. Sido që të jetë do të duhej që shkresa drejt Parlamentit të përcaktojë në mënyrë të qartë se ku është marrë vendimi dhe arsyet pse është marrë një vendim i tillë. Tani me thënë të drejtën unë thash që nuk është befasi sepse ka derivuar dhe devalvuar komplet debati demokratik brenda VV-së”, tha ai.

Tutje duke folur për gjithë ecurinë e zhvillimeve të cilat përfunduan me përjashtimin e tij nga të gjitha strukturat e kësaj partie, ai tha se brenda VV-së ka mungesë të hapësirës për debat demokratik dhe që kjo sipas tij, po ndikon që edhe deputetë të tjerë të largohen nga ky subjekt politik.

“Mungesa e hapësirës për debat demokratik dhe për t’u dëgjuar zëri i deputetit apo i deputetes shkakton pakënaqësi e cila realisht mandej ka edhe pasojën e vet dhe ka një numër të madh të deputetëve të tjerë të cilët janë plotësisht të pa kënaqur për formën e menaxhimit të Grupit Parlamentar. Unë këtë gjë e kam bërë publike në një nga konferencat për shtyp që kam mbajtur, nuk mund të konsiderohen deputetët ngritës të dorës apo refuzues të propozimeve të opozitës pa u diskutuar fare pse po  bëhet një gjë e tillë. Rrjedhimisht mund të flasim për vendime të gabuara por edhe raporti i Komisionit Evropian për vendin në mënyrë specifike tregon që Grupi Parlametar është duke u keqmenaxhuar dhe klima brenda Parlamentit është duke u bërë e atillë, që nuk lejon ndërtimin e koncensusit të Parlamentit”, shtoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat