Opozita kushtëzon votimin në Kuvend, kërkon të zhbllokohen mjetet vetanake të komunave

Aktuale

Opozita kushtëzon votimin në Kuvend, kërkon të zhbllokohen mjetet vetanake të komunave

Më: 4 maj 2023 Në ora: 15:22
Foto ilustrim

Partitë opozitare e kanë kushtëzuar votimin në Kuvendin e Kosovës, me siç thanë zhbllokimin e mjeteve vetanake të komunave. Në seancën e Kuvendit, opozitarët theksuan se nuk do të votojnë as marrëveshjen ndërkombëtare, përfshirë edhe atë me ambasadën e Francës në Prishtinë për bashkëfinancimin e bursave të arsimit të lartë në nivelin master, e cila është në rend të ditës të seancës së sotme.

Por, në reagimin e tij, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, kundërshtoi pretendimet e opozitës, derisa tha se nuk bëhet fjalë për bllokim të fondeve për komunat.

Murati dha një propozim, që LDK-ja të iniciojë kërkesën që ai të korrigjojë gabimin, siç tha, i cili ka ardhur pas insistimit të tyre që në kuadër të Ligjit të Buxhetit të përfshihet edhe amendamenti ku vendosen kufizime ligjore për thesarin në ekzekutimin e mjeteve.

Murati: As që bëhet fjalë për bllokim të fondeve të komunave

“As që bëhet fjalë për bllokim të fondeve të komunave. Çka është problemi është një amendament i Grupit Parlamentar të LDK-së, për të cilin kam sqaruar se nëse kërkohet nga ju që unë të korrigjoj si ministër atë gabim që e keni bërë ju, unë e bëjë. Por duhet të vij kërkesa nga ju”, tha ai.

Mirëpo, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, tha se ai amendament ka pasur qëllim vetëm largimin e mundësisë që qeveria të marrë të hyrat vetanake të komunave dhe jo të bllokojë ato.

Gashi: Ministri Murati po përdorë gjuhë të padinjitetshme

“GP i LDK-së ka bërë amendament i cili e heq nga ligji marrjen e të hyrave vetanake të komunave dhe dërgimin e tyre në fondin. Ky ministër e ka shkaktuar atë problem dhe po mendon që duke u sjell me këtë gjuhë të padinjitetshme dhe panevojshme kujton se mundet në çdo seancë me dal me fol, por e vërteta është se t’i ke dashur me marr të hyra vetanake të komunave që t’i menaxhosh prej qeverisë, kjo nuk mundet me ndodh”, deklaroi Gashi.

Kritik ndaj ministrit Murati lidhur me këtë çështje u shpreh edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

Tahiri: Kjo qasje po e dëmton konsensusin politik për marrëveshjet ndërkombëtare

“A jeni duke parë se çka po bën ministri i Financave. A e kemi mbështetur një amendament për ndryshimin e ligjit të buxhetit me të vetmit qëllim që të hyrat vetanake të komunave t’i kthehen. Ky ka qenë qëllimi...Kjo qasje po e dëmton në esencë konsensusin politik për marrëveshje ndërkombëtare dhe ligje të tjera”, deklaroi ai.

Në debat u përfshi edhe shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, e cila dha një propozim që të ketë një kërkesë nga opozita ndaj qeverisë që të ndryshohet amendamenti i propozuar në kuadër të Ligjit për buxhetit, rrjedhimisht të hiqet kufizimi ligjor për thesarin në bartjen e mjeteve ndaj komunave.

Kusari-Lila: Të ketë kërkesë nga LDK-ja që të hiqet kufizimi ligjor për thesarin

“Njëjtë do të mbështesim kërkesën e tyre nëse ata e bëjnë për ministrin e Financave që të sjell plotësim-ndryshimin në amendamentin e propozuar, në mënyrë që të hiqet kufizimi ligjor që aktualisht e ka thesari për ekzekutimin e mëtutjeshme të këtyre mjeteve. Këmbëngulja, barrikadimi në pozicione ose shtyrja në bllokadë të mëtutjeshme për marrëveshje ndërkombëtare nuk i bënë nder askujt”, tha ajo.

Pas këtij ngërçi të krijuar dhe mungesën e kuorumit për ta hedhur në votim marrëveshjen ndërkombëtare, deputetët e Kuvendit shkuan në pauzë deri në orën 15:30.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat