Pula: Serbët ende nuk e kanë pranuar ekzistencën e tyre si pakicë

Aktuale

Pula: Serbët ende nuk e kanë pranuar ekzistencën e tyre si pakicë

Më: 4 maj 2023 Në ora: 23:52
Shqiprim Pula

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shqiprim Pula tha se serbët në Kosovë ende nuk e kanë pranuar ekzistencën e tyre si pakicë.

Këtë deklaratë Pula e bëri duke iu referuar  kërkesave për krijimin e një entiteti monoetnik nga serbët, e që sipas Pulës çudia qëndron te fakti që sipas tij, ministrat dhe deputetët e tjerë nga pakicat joserbe nuk po e ngrisin zërin për të kundërshtuar një kërkesë të tillë.

“Në Kuvendin e Kosovës kemi 20 ulëse të pakicave të rezervuara, 11 nga to janë pakica joserbe. Çudia qëndron te këta ministra dhe zv. kryeministra dhe te këta deputetë në Kuvend të cilët nuk e ngrisin zerin për ta kundërshtuar një kërkesë për themelimin e një entiteti monoetnik, sepse me automatizëm bile ndesh me nenin 3 të Kushtetutës respektivisht paragrafin e parë të nenit 3. Pra këtu ka një heshtje nga këto pakica të cilat do të margjinalizoheshin duke pasur një pakicë me privilegje çfarë po kërkohet për pakicën serbe”, tha Pula.

Tutje ai në emisionin “Info Nata”, tha se serbët kanë qenë edhe në periudhën e para luftës pakicë në Kosovë, por që siç tha ai, serbët as në ditët e sotme nuk po e pranojnë ekzistencën e tyre si pakicë.

“Pakica serbe që nga përfundimi i luftës akoma nuk e ka pranuar një ekzistencë të tyre si pakicë. Pra edhe në periudhën e para luftës serbët kanë qenë pakicë në Koosvë, por duke qenë se pushteti gjenocidal, dhunues, aparati shtetëror ka qenë në duart e serbëve të Beogradit duke i mbështetur serbët në Kosovë ata ndjesinë e kanë pasur sikur të ishin shumicë e jo shqiptarët që përbënin çdo herë mbi 90 për qind si popullatë shumicë në Kosovë. Pra ata akoma nuk e kanë përceptuar si të mirëqenë faktin se ata janë vetëm një nga pakicat në Kosovë dhe natyrisht që duhet t’i nënrenditen të drejtave të tyre, natyrisht t’i kërkonë ato janë të garantuara me Kushtetutë”, tha Pula.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat