Haxhiu: Gratë e Kosovës luajtën rol aktiv në çlirimin e vendit

Aktuale

Haxhiu: Gratë e Kosovës luajtën rol aktiv në çlirimin e vendit

Më: 5 maj 2023 Në ora: 10:49
Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka marrë pjesë në konferencën  Shkencore Ndërkombëtare:“ Roli i Grave në Jetësimin e Shtetit të Kosovës (Aspekte sociale, kulturore, politike nga 1980 dhe deri në ditët e sotme)”,  të organizuar nga Instituti i Historisë “Ali Hadri”, në Prishtinë.

Ministrja Haxhiu tha se periudha e viteve ‘80-ta, është etapa kur populli shqiptar i Kosovës përjetoi një ngritje masive në rezistencë, në angazhimin direkt për çlirim përmes lëvizjeve të mëdha popullore dhe arsimimit të vazhdueshëm drejt të gjitha katedrave universitare të asaj kohe.

Ministrja Haxhiu tha se gjatë kësaj periudhe, gratë në Kosovës morën një rol aktiv dhe u bashkuan krahas burrave për të njëjtin qëllim, e që ishte çlirimi i vendit nga regjimi i Jugosllavisë së atëhershme.

“ Pra, është periudha ku gratë marrin një rol aktiv jo vetëm për jetën e tyre, por bartin mbi supe krahas burrave një përgjegjësi për orientimin publik politik të  çështjes kombëtare, një kundërpërgjigje ndaj shtypjes së dhunshme dhe padrejtësive të panumërta”, tha ministrja Haxhiu.

Tutje, Haxhiu ri-kujtoi edhe shtypjen dhe regjimin e Serbisë ndaj popullit shqiptar përmes dëbimit të mijëra punëtorëve nga vendet e punës, largimin e studentëve nga hapësirat e tyre universitare, burgosjen e veprimtarëve politike nga të cilat kishte edhe gra nga vende dhe rajone të ndryshme të Kosovës.

“Ato gra, kanë qenë pjesë e lëvizjeve popullore që kërkonin liri dhe pavarësi, të predispozuar për të garantuar një shoqëri të drejtë. Ato kanë luftuar kundër pushtuesit duke u rreshtuar edhe në luftën çlirimtare të armatosur dhe janë angazhuar aktivisht edhe në afirmimin ndërkombëtarë të kauzës”, tha ministrja Haxhiu.

Ministrja Haxhiu tha se edhe përkundër këtyre sfidave që janë përcjellë me vite të tëra, gratë në Kosovë nuk u ndalën asnjëherë në arsimimin e tyre për të rezultuar çdo herë e më shumë prezencë dhe ndikim direkt në të gjitha sferat e shoqërisë, dhe sot duke qenë protagoniste në vendimmarrje dhe orientime politike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat