Kryeziu: Draft-statuti i prezantuar më 2 maj ka shkelje të Kushtetutës qysh në titull

Aktuale

Kryeziu: Draft-statuti i prezantuar më 2 maj ka shkelje të Kushtetutës qysh në titull

Më: 5 maj 2023 Në ora: 18:45
Përparim Kryeziu

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se draft-statuti i prezantuar për Asociacionin në takimin e 2 majit në Bruksel, qysh në titull ka pasur shkelje të Kushtetutës së Kosovës.

Kryeziu, ka thënë se ai draft-statut është prezantuar sipas përgjegjësive që kanë pasur marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015.

“Në Bruksel në takimin e 2 majit, Ekipi Menaxhues që ishte emëruar atëherë nga zëvendëskryeministri në të njëjtën kohë edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Goran Rakiq, prezantoi draft-statutin sipas përgjegjësive që ata kanë pasur në marrëveshjet e vitit 2013-2015, përkatësisht në termat e referencës së planit të zbatimit të këtyre dy marrëveshjeve”, tha zëdhënësi i Qeverisë.

Sipas Kryeziut, në titullin e draft-statutit është thënë “Asociacioni i Komunave Serbe”, e që në Kosovë nuk ka komuna të tilla, sepse ato nuk janë etnike.

“Drafti i prezantimit të tyre ka qenë kategorikisht, fundametalisht i papranueshëm prej neve, aty tek në titullin e draft-statutit ka praktikisht një shkelje të Kushtetutës, për shkak se aty thotë që ky është draft-statuti i ‘Asociacionit të Komunave Serbe’, që në Kosovë nuk ka komuna të tilla. Në Kosovë ka komuna si njësi kushtetuese, por ato nuk janë etnike, ka komuna që mund të kenë shumicë serbe dhe shumicë shqiptare, por jo komuna etnike”, tha ai.

Ai tha se draft-statuti, përveç që është në kundërshtim me Kushtetutën, gjithashtu shpërfaq dëshirën e Ekipit Menaxhues se çfarë dëshiron nga produkti final.

“Kjo automatikisht, përveçse është në shpërputhje me Kushtetutën, ajo edhe shpërfaq dëshirën dhe intencën e këtij grupi punues, i këtij ekipi menaxhues në raport se ajo çfarë dëshiron nga produkti final i draftit e që është Republika Srbska, sikurse ajo në Bosnje”, shtoi Kryeziu.

Më 3 maj, një dit pas takimit të prezantimit të draft-statusit, ministri i Pushtetit dhe Administrimit Lokal, Elbert Krasniqi, ka njoftuar se ka liruar nga detyra Ekipin Menaxhues për hartimin e draft-statutit të Asociacionit, ku ka thënë se ky ekip është edhe vetë pa status.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat