Osmani: Sjellja e vrasësve të Aganit para drejtësisë, përkushtim i yni i vazhdueshëm

Aktuale

Osmani: Sjellja e vrasësve të Aganit para drejtësisë, përkushtim i yni i vazhdueshëm

Më: 6 maj 2023 Në ora: 11:00
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar akademik Fehmi Aganin, në 24-vjetorin e vrasjes.

Ajo është shprehur se vizioni dhe trashëgimia e Aganit për Kosovën do të jetë frymëzim për brezat.

Osmani ka potencuar se sjellja e autorëve të vrasjes së Aganit para drejtësisë është përkushtim i tyre i vazhdueshëm.

“Sot e kujtojmë me respekt akademik Fehmi Aganin, figurën emblematike të lëvizjes për lirinë e Kosovës, njeriun që përkushtimin e tij ndaj dijes e arsimit e kombinoi me aktivitetin politik, duke qenë dorë e djathtë e presidentit historik, dr.Ibrahim Rugova, me të cilin u angazhua deri në vdekje në përmbushjen e idealit për Kosovën shtet të pavarur. Më 6 maj të vitit 1999, në agun e lirisë, vizionari e përbashkuesi, akademik Agani u vra mizorisht nga forca të regjimit gjenocidal të Serbisë. Vizioni dhe trashëgimia e tij për Kosovën do të jetë frymëzim për brezat. Kujtimi për akademik Aganin do të jetë i përhershëm, kurse sjellja e autorëve të krimit para drejtësisë përkushtim i yni i vazhdueshëm!”, është shprehur Osmani.

Sot, bëhen 24 vjet nga vrasja e nënkryetarit shumëvjeçar të LDK-së dhe deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Fehmi Aganit.

Agani është vrarë me 6 maj të vitit 1999, nga forcat pushtuese serbe.

Figura e Aganit ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e pavarësisë së Kosovës, fushën e arsimit dhe mendimit shkencor. Fehmi Agani ka qenë njëri nga themeluesit dhe udhëheqësit e Lidhjes Demokratike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat