Kurti: Fondi Sovran rrit investimet dhe diversitetin ekonomik

Aktuale

Kurti: Fondi Sovran rrit investimet dhe diversitetin ekonomik

Më: 7 maj 2023 Në ora: 19:10
Kryeministri Albin Kurti

Sot po mbahet konferenca gjithëditore për themelimin e Fondit Sovran të Kosovës, një bashkëorganizim ky i Zyrës së Kryeministrit dhe Fondacionit Friedrich Ebert Stiftung.

Kryeministri Albin Kurti ishte folësi kyç në këtë ngjarje, dhe në fjalën e tij ai shprehu kënaqësinë e tij për përkrahjen e Qeverisë së Kosovës për këtë iniciativë, duke besuar se ajo do të ndihmojë në stabilizimin e ekonomisë së Kosovës përmes diversitetit, krijimit të profitit për shtetin përmes investimeve të mençura, e me gjenerim të pasurisë për gjeneratat që vijnë.

Projektligji së fundmi ka kaluar edhe konsultimet publike, dhe është një hap më afër miratimit të tij dhe drejt kurorëzimit të idesë që ka nisur me koncept dokumentin mbi Fondin Sovran të udhëhequr nga profesor Besnik Pula gjatë vitit të kaluar.

“Ndërmarrjet tona publike, do bëhen pjesë integrale e Fondit, në qëllim të mundësisë për rritje të investimeve të nevojshme për zhvillim ekonomik” - tha kryeministri Kurti, dhe shtoi “se ato gjatë qeverisjes sonë tashmë janë ringjallur dhe kthyer në shërbim të qytetarëve”.

“Kemi fuqizuar bordet e ndërmarrjeve publike me profesionistë nga sektori privat. Përmes tyre jemi siguruar që kontratat e dëmshme, keqpërdorimet e korrupsioni të mos zënë vend në ndërmarrjet qendrore. Këto ndërmarrje kanë siguruar profit prej 94 milionë euro gjatë këtij viti, në krahasim me 3 milionë humbje para mandatit tonë qeverisës. Telekomi ka siguruar profit e fitore në arbitrazh ndërkombëtar, duke rritur edhe cilësinë e shërbimeve për qytetarët pas investimit të qeverisë në këtë ndërmarrje në vlerë prej 20 milionë euro kredi. Trepça ka rritur të hyrat nga 15 milionë në 22 milionë euro dhe për herë të parë që nga paslufta ka shënuar profit. Tani këto ndërmarrje do bëhen pjesë funksionale e Fondit”, u shpreh ai në fjalën e tij.

Ai po ashtu foli edhe për Korporatën Energjetike të Kosovës për të cilën u shpreh se përkundër sfidave në realizimin e investimeve kapitale, KEK gjatë këtij viti të shkuar pra 2022 ka realizuar planin e prodhimit në masën 97.6%, duke prodhuar 5,680 GWh, ka eksportuar 581 GWh në vlerë totale 117 milionë euro, ka ulur shpenzimet operative dhe ka realizuar mbi 20 milionë euro investime kapitale.

Në epokën e globalizimit, shpejtësia me të cilin inovacioni kalon kufirin përmes ndërrimit të kapitalit dhe ideve është i paprecedentë. Për të rritur përqindjen e suksesit e për të ulur rrisqet, qeveritë përgjegjëse duhet ta bëjnë globalizimin të tillë që ai të punojë për qytetarët, dhe pikërisht këtë e bën Fondi Sovran, theksoi ndër të tjerash kryeministri Kurti.

Ai falënderoi fondacionin Friedrich Ebert Stiftung për organizimin e Konferencës në bashkëpunim me Qeverinë e Republikës së Kosovës, dhe u dëshiroi mirëseardhje të gjithë mysafirëve të pranishëm që vinin nga Britania e Madhe, Greqia dhe Sllovenia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat