Sot shënohet Dita e Evropës

Aktuale

Sot shënohet Dita e Evropës

Më: 9 maj 2023 Në ora: 07:33
Ilustrim

Kosova feston sot 9 majin- Dita e Evropës. Deklarata e 9 majit e vitit 1950 është koha kur u hodh hapi i parë drejt krijimit të asaj që sot njihet si Bashkimi Evropian

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, sot në Prishtinë do të shënojë Ditën e Evropës 2023 me disa aktivitete.

Në orën 11:30,  së bashku me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Szunyog do të zbulojë Muralin e Energjisë së Mirë pikturuar në murin anësor të ndërtesës së BE-së në Kosovë në Prishtinë, përballë ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, rruga Kosova 1, si dhe do të japë një deklaratë për Ditën e Evropës për media.

Në vazhdim, në orën 12:00, ambasadori Szunyog do të marrë pjesë në Masterklasën “Aftësitë e artit në rrugë” në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë dhe në orën 18:00 do ta hapë ekspozitën “Vala tjetër”, gjithashtu në Shtëpinë e Evropës.

Në orën 20:00, Szunyog do ta hapë Koncertin e Chopin Piano Fest të Ditës së Evropës në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare në Prishtinë.

Por çfarë është 9 maji, që njihet si Dita e Evropës?

Në një fjalim historik të mbajtur në Paris në vitin 1950, Robert Schuman, asokohe ministër i Jashtëm i Francës, shpalli idenë e tij për një mënyrë të re bashkëpunimi në Evropë, që do ta bënte të paimagjinueshme rikthimin e një lufte midis kombeve të kontinentit.

Schuman propozoi që anëtarët themelues të komunitetit – Franca, Gjermania, Italia, Holanda, Belgjika dhe Luksemburgu – do të bashkonin prodhimet e tyre të qymyrit dhe çelikut dhe të krijonin një treg të përbashkët duke hequr taksat e importit dhe eksportit.

Ideja ishte pjesërisht me bazë ekonomike, propozimi i Schumanit vinte vetëm pesë vite pas fundit të Luftës së Dytë Botërore e cila la pas pasoja shkatërrimtare në kontinentin Evropian.

Por ishte edhe politike. Ideja që të ndërthuren interesat politike të Francës dhe Gjermanisë do të ulte rrezikun e një konflikti të mundshëm midis tyre në të ardhmen.

Marrëveshja ku u shpalosën idetë sesi do të drejtohej komuniteti u firmos në Paris më 1951 dhe hyri në fuqi një vit më pas.

Gjashtë vendet themeluese thelluan integrimin ekonomik me krijimin e Komunitetit Ekonomik Evropian dhe nënshkrimin e Traktatit të Romës në 1958.

Akti i Vetëm Evropian i 1985 vendosi objektivat për krijimin e një tregu të vetëm, ndërsa Traktati i Mastrihtit në 1992 i çeli rrugën Bashkimit Evropian, asokohe me 12 shtete anëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat