PE diskuton për Kosovën dhe Serbinë, Von Cramon jep një propozim, kjo është kërkesa e kancelarit gjerman

Aktuale

PE diskuton për Kosovën dhe Serbinë, Von Cramon jep një propozim, kjo është kërkesa e kancelarit gjerman

Më: 9 maj 2023 Në ora: 12:02 Përditësuar në ora: 12:39 më 09.05.2023
Parlamenti Evropian

Von Cramon i propozon sot PE-së që të kërkojë nga Serbia ta heqë votën kundër Kosovës në KiE

Raportuesja për Kosovën, Viola Von Cramon sot në Parlamentin Evropian ku do të diskutohet për raportin e Komisionit Evropian të vitit të kaluar për Kosovën, ka propozuar që në tekst të rezolutës, Serbia të heqë votën e saj kundër Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Sipas Von Cramon një gjë e tillë bie ndesh me Marrëveshjen e vitit 2013 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizim të marrëdhënieve.

“Shpreh keqardhje që Kosova është aktualisht e vetmja demokraci europiane që nuk është ende anëtare e Këshillit të Europës; i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të ushtrojë presion ndaj Serbisë që të përmbahet nga përpjekjet për të izoluar vendin fqinj Kosovën nga skena ndërkombëtare duke bërë fushatë kundër njohjes së saj ose duke e përjashtuar vendin nga organizatat ndërkombëtare; i bën thirrje Serbisë të heqë votën e saj bllokuese që e ndalon Kosovën të jetë anëtare e Këshillit të Europës dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, gjë që përndryshe do të binte ndesh me Marrëveshjen e vitit 2013 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve; vë në pah se serbët e Kosovës do të përfitonin nga anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Europës, pasi kjo do t’u lejonte serbëve të Kosovës të paraqesin ankesa për të drejtat e njeriut në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, thuhet mes tjerash në këtë raport që do të prezantojë Cramon.

Parlamenti Evropian pritet që edhe përmes kësaj rezolute të përsërisë thirrjen për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga pesë vendet anëtare të BE-së që nuk e kanë bërë ende një gjë të tillë.

​Scholz: Procesi i normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojnë

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që t’i mbajë premtimet ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor për integrimin e tyre në BE.

Në fjalimi e tij para Parlamentit Evropian për të ardhmen e Evropës, Scholz nënvizoi nevojën për vazhdimin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ne kemi vendosur të shkojmë për një Evropë më të madhe. Ne u kemi thënë qytetarëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor, Ukrainës, Moldavisë dhe potencialisht edhe Gjeorgjisë, ju jeni pjesë e jona. Ne dëshirojmë që ju të bëheni pjesë e Bashkimit Evropian, dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me altruizmin, kjo ka të bëjë me besueshmërinë dhe sensin tonë të mirë ekonomik. Gjithashtu ka të bëjë gjithashtu me sigurimin e paqes në Evropë, pas momentit vendimtar që ishte sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës. Një Evropë gjeopolitike duhet të mbajë premtimet e saj ndaj fqinjëve të saj. Një politikë e ndershme zgjerimi i qëndron para së gjithash premtimeve të saj, ato që u janë bërë shteteve të Ballkanit Perëndimor, të cilëve ne u kemi premtuar anëtarësim tash e 20 vjet”, tha ai.

Krahas kësaj, ai tha se reformat në vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të vazhdojnë, të cilat duhet të vlerësohet nga BE-ja.

“Procesi i normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe reformat në vendet anëtare duhet të vazhdojnë. Natyrisht, përparimi më i shpejtë drejt anëtarësimit duhet të ndjekë edhe guximin e Maqedonisë së Veriut. Këta hapa përpara duhet të vlerësohen dhe nderohen nga ana jonë, sepse përndryshe politika jonë e zgjerimit përdorw aftësinë e saj për të vepruar si një nxitje dhe BE-ja humbet ndikimin dhe tërheqjen. Ndershmëria do të thotë që një BE e zgjeruar duhet të jetë një BE e reformuar. Natyrisht, zgjerimi nuk duhet të jetë arsyeja e vetme e reformave, por duhet të jetë një pikë mbërritjeje. Dhe shprehimisht e mirëpres faktin që Parlamenti Evropian po punon për propozime për reforma institucionale, madje edhe për propozime që nuk kursejnë vetë parlamentin. Dhe unë do të vazhdoj t'i bëj thirrje këshillit për të diskutuar këto ide. Tani shumë gjëra ose disa gjëra ishin të dukshme, më shumë vendime të Këshillit përmes shumicës së kualifikuar, për shembull, në politikën e jashtme dhe në tatimet”, shtoi Scholz.

Perspektiva evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor është premtuar në vitin 2003, në një samit në Selanik të Greqisë.

Parlamenti Evropian diskuton sot dy rezolutat për Kosovën dhe Serbinë, nesër votimi

Dy rezoluta për Kosovën dhe për Serbinë janë temat për të cilat do të diskutojë sot Parlamenti Evropian, në një seancë plenare që po zhvillon në Strasburg. Votimi për to, ndërkaq, do të bëhet të mërkurën.

Ky diskutim dhe këto rezoluta do të jenë të fundit me këtë përbërje të PE-së, pasi, së shpejti, do të zhvillohen zgjedhjet evropiane dhe do të zgjidhen deputetët e rinj.

Nga Parlamenti Evropian u paralajmërua se diskutimet do të përqendrohen në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, ndërsa do të shprehet mbështetje edhe për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Nga Serbia, në anën tjetër, pritet të kërkohet që t’i përshtatë qëndrimet e saj në politikën e jashtme me ato të BE-së, përfshirë këtu edhe vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Tekstet e raporteve u miratuan para dy javësh në Komisionin e politikës së jashtme të BE-së, por, sipas procedurave të Parlamentit Evropian, ato tekste mund të ndryshohen në seancë plenare nëse ka propozime dhe amendamente nga deputetët.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, propozoi që në tekst të rezolutës për Kosovën të përfshihet edhe shprehja e keqardhjes për votimin e Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Sipas saj, një veprim i tillë paraqet shkelje të Marrëveshjes së Ohrit, të cilën Kosova dhe Serbia e kanë arritur në muajin mars. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, dy vendet nuk duhet ta pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese.

Në tekstin e rezolutës për Kosovën, i cili në Komisionin për politikë të jashtme ka kaluar me 44 vota në favor, 8 vota kundër dhe 3 vota të përmbajtura, është mirëpritur aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE, në dhjetor të vitit të kaluar. Sipas tekstit, ky veprim reflekton orientimin pro-evropian të qytetarëve të Kosovës dhe përcaktimin e saj të qartë gjeopolitik.

Në tekst përshëndetet edhe vendimi për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës – proces i cili është përmbyllur më 25 prill, kur vendimi është botuar në Gazetën Zyrtare të BE-së.

Me këtë vendim, qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza në atë që njihet si Zona Schengen dhe përbëhet prej dhjetëra vendesh evropiane, nisur nga 1 janari i vitit 2024.

Parlamenti Evropian pritet që edhe përmes kësaj rezolute të përsërisë thirrjen për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga pesë vendet anëtare të BE-së që nuk e kanë bërë ende një gjë të tillë.

PE-ja do të kërkojë gjithashtu nga BE-ja që ta përshpejtojë procesin e zgjerimit, duke e cilësuar këtë si politikën më të suksesshme të bllokut evropian për ndërtimin e paqes dhe stabilitetit.

Në rastin e Kosovës, PE-ja rikujton se “dinamika e procesit të integrimit do të varet nga progresi në sundimin e ligjit, në të drejtat themelore dhe në normalizimin e raporteve me Serbinë”.

Sa i përket dialogut për normalizim raportesh, pritet që porosia e njëjtë të jetë edhe për Kosovën, edhe për Serbinë – se ato duhet t’i zbatojnë të gjitha obligimet që dalin nga marrëveshjet që kanë arritur dhe se normalizimi gjithëpërfshirës i raporteve do të arrihet përmes njohjes së ndërsjellë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat