Kurti uron Ditën e Europës: Këtë vit kemi më shumë arsye për ta shënuar

Aktuale

Kurti uron Ditën e Europës: Këtë vit kemi më shumë arsye për ta shënuar

Më: 9 maj 2023 Në ora: 15:18
Kryeministri Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti në urimin e tij për Ditën e Europës tha se Kosova këtë vit ka edhe më shumë arsye për të shënuar këtë ditë pas aplikimit në BE dhe vendimit për liberalizimin e vizave.

Kurti tha se Bashkimi Europian është është projekti më i madh politik që nga Lufta e Dytë Botërore.

“Më afër dhe rrugës për në Bashkimin Evropian, këtë vit kemi edhe më shumë arsye për të shënuar Ditën e Evropës”, ka shkruar Kurti.

Postimi i plotë:

“Evropa e bashkuar nuk u arrit dhe kishim luftë. Evropa nuk do të bëhet menjëherë, ose sipas një plani të vetëm. Ajo do të ndërtohet përmes arritjeve konkrete të cilat së pari krijojnë një solidaritet de facto”.

Këto ishin fjalët e Robert Schuman, ministrit për Evropë dhe Çështje të Jashtme të Francës në deklaratën e tij të bërë me 9 maj 1950. 

I themeluar mbi vlera e vizion, Bashkimi Evropian është projekti më i madh politik dhe procesi më i rëndësishëm historik i paqes dhe prosperitetit që nga lufta e dytë botërore. Është ideja e bashkëpunimit përmes institucioneve të përbashkëta që krijoi tregun unik dhe e bëri BE-në ekonominë më të madhe të botës. 

Në dhjetorin e vitit që e lamë pas dorëzuam aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Muajin e kaluar u nënshkrua vendimi për liberalizimin e vizave, ndërkaq në fund të prillit kaluam me sukses fazën e parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Më afër dhe rrugës për në Bashkimin Evropian, këtë vit kemi edhe më shumë arsye për të shënuar Ditën e Evropës.

Urime 9 Maji – Dita e Evropës!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat