Halimi e LDK-së provon ta shpjegon thjeshtë pse VV-ja do të prodhojë mjerim në shoqëri me Fondin Sovran

Aktuale

Halimi e LDK-së provon ta shpjegon thjeshtë pse VV-ja do të prodhojë mjerim në shoqëri me Fondin Sovran

Më: 9 maj 2023 Në ora: 16:36
Sibel Halimi

Kryeministri Kurti ka mbajtur një konferencë ku lansoi “Fondin Sovran”, një premtim i tij elektoral që u shpreh se shpejt do të bëhej realitet. Nga LDK-ja i kanë reaguar ashpër. Por, veçanërisht i ashpër ishte një reagim i znj. Sibel Halimi, zëdhënëse politike e kësaj partie.

Halimi ka shpjeguar me anë të një shkrimi të titulluar “Fondi Sovran është projekt ‘Big Brother’ i partisë në pushtet” se për çfarë arsyesh kjo ide shkon në dëm të shoqërisë kosovare, duke e rrezikuar edhe demokracinë.

“Duke pasur parasysh mendësinë e kësaj qeverie prej ditës së parë të mandatit, kapjen dhe kontrollin e institucioneve të pavarura, nepotizmin, polarizimin e shoqërisë dhe qasjen destruktive ndaj bizneseve private, Fondi Sovran na del të jetë i rrezikshëm për vlerat demokratike e liritë individuale.” – shkruan znj. Halimi.

Ajo besoj se ky Fond Sovran do të shkelte rëndë edhe “rendin kushtetues” të vendit.

Sociologia Halimi përmend po ashtu edhe dështimin që kishte pasur (sic) kjo qasje në politikë në vendet komuniste, duke bërë që mes tjerash të binte produktiviteti, cilësia dhe të kishte mungesë të mundësive të barabarta e të investimeve.

“Partia në pushtet synon më shumë kontrollin se sa zhvillimin. Big Brother is watching you!” – ka thënë tutje ajo.

Shkrimi i plotë

Fondi Sovran është projekt ‘Big Brother’ i partisë në pushtet

Duke pasur parasysh mendësinë e kësaj qeverie prej ditës së parë të mandatit, kapjen dhe kontrollin e institucioneve të pavarura, nepotizmin, polarizimin e shoqërisë dhe qasjen destruktive ndaj bizneseve private, Fondi Sovran na del të jetë i rrezikshëm për vlerat demokratike e liritë individuale.

Kosova duke qenë një shoqëri komunitare, sistemi qeverisës autokratik siç mëtohet të na mbjellë kjo parti do t`na kthejë prapa tek rezoni i mbylljes brenda idesë së mbështetjes nën manifestin “forcat tona”, që në thelb është shoqëria e mbyllur.

Kosova e ka të qartë kornizën ligjore për rregullimin dhe mbikëqyrjen e tregut, mjafton zbatimi i saj. Ndaj një iniciativë e tillë shkel rëndë rendin kushtetues duke synuar të marrë në kontroll vlerën më domethënëse të ekonomisë, tregun e lirë dhe iniciativën individuale.

Kontrolli ndaj tregut konsiderohet si tendencë e frikës nga hapja që përfundon në mjerim social.

Mungesa e konkurrencës dhe ndërmarrësisë së lirë në treg është grusht mbi inovacionin e individin.

Madje, kjo qasje e politikë në vendet komuniste çoi në shfaqjen e një sërë problemesh ekonomike, siç ishte mungesa e produktivitetit, mungesa e cilësisë dhe mungesa e mundësive të barabarta dhe investimeve.

Partia në pushtet synon më shumë kontrollin se sa zhvillimin. Big Brother is watching you!

Kujdes nga recesioni dhe varfërimi i qytetarëve për hirë të ideologjisë populliste.

Sibel Halimi

Zëdhënëse politike dhe anëtare e kryesisë së LDK-së

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat