Hyseni i tregon Qeverisë se si të veprojë për Asociacionin

Aktuale

Hyseni i tregon Qeverisë se si të veprojë për Asociacionin

Më: 9 maj 2023 Në ora: 19:41
Skender Hyseni

Gjatë ditës së djeshme kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se nëse Bashkimi Evropian nuk mendon se zgjidhja për Asociacionin duhet të jetë brenda sistemit kushtetues dhe ligjor të Kosovës, atëherë Kosova s’ka çka kërkon më në dialog.

E nëse sipas Konjufcës procesi i dialogut e ka si çmim shkatërrimin e themeleve të shtetit të Kosovës, sipas tij është më mirë të thuhet “mirupafshim nga ky proces”.

Por, Hyseni thotë se nuk sheh asnjë arsye që Qeveria e Kosovës të “kërcënojë”, me tërheqje nga dialogu.

Kjo, pasi që siç thotë ai Qeveria përkundrazi duhet të insistojë në diskutime rreth statutit të Asociacionit por gjithmonë brenda kornizave ligjore kushtetuese.

“Autoritetet e BE-së kanë thënë se ky propozim do të jetë pikënisje e diskutimit për statutin e asociacionit, dhe, unë këtu nuk shoh asnjë problem e edhe me pak shoh arsye që qeveria e Kosovës të “kërcënojë” me tërheqje nga dialogu. Përkundrazi, qeveria duhet të insistojë në diskutime intensive rreth statutit të asociacionit, duke qëndruar brenda kornizave ligjore e kushtetuese”, ka shtuar ish-koordinatori Hyseni, për Fo.

Kurse, sa i përket shkarkimit të ekipit menaxhues, Hyseni ka pohuar se shkarkimi i tyre dhe draft statuti janë dy çështje të ndara.

Ai, ka thënë se ekipin menaxhues, gjithnjë në pajtim me marrëveshjen e asociacionit, e ratifikuar në Kuvend të Republikës, e cakton komuniteti serb.

Hyseni deklaron se nuk mundet dhe nuk guxon askush t’i imponojë Kosovës një statut që shkel Kushtetutën e vendit.

“Askush nuk guxon dhe nuk mundet t’i imponojë Kosovës një statut asociacioni që shkel parimet themelore të rregullimit kushtetues të Kosovës! Statuti i asociacionit, krejt në fund duhet ta marrë edhe pajtimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”, ka thënë ndër të tjera Hyseni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat