​Çka ndodhi në seancën ndaj Thaçit dhe të tjerëve, dëshmitari i 4-të u dëgjua në seancë private

Aktuale

​Çka ndodhi në seancën ndaj Thaçit dhe të tjerëve, dëshmitari i 4-të u dëgjua në seancë private

Më: 10 maj 2023 Në ora: 07:12 Përditësuar në ora: 17:47 më 10.05.2023
Hashim Thaçi

​Përfundon seanca ndaj Thaçit dhe të tjerëve, dëshmitari i 4-të dëgjohet në seancë private

Ka përfunduar seanca e sotme në Dhomat e Specializuara në Hagë, ku dëshmia e dëshmitarit të katërt është dëgjuar tërësisht në seancë private. Në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, në sallën e gjyqit kanë qenë fizikisht Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi.

Avokati i Jakup Krasniqit, Aydan Elis ka kërkuar që dokumentet e dorëzuara nga prokuroria të përkthehen në gjuhën shqipe, meqë klienti i tij nuk lexon në anglisht.

Elis: Mbrojtjes i janë dhënë dokumentet vetëm në anglisht

“Ajo që kemi marrë në lidhje me këtë dëshmitar janë dy dokumente, njëri ka të bëjë me korrigjime, ndryshime me intervista, deklarata, tjetri është material i ri. Këto i janë dhënë mbrojtjes vetëm në anglisht. Dhe është një disavantazh i madh për ne, sepse zotëri Krasniqi nuk lexon në anglisht. Do të na ndihmonte shumë, sidomos kur të marrim udhëzime për këto çështje brenda kohës së kufizuar, nëse do të jenë në shqip që ai të paktën t’i lexojë. Të paktën do të thoja, njëri prej këtyre që ka të bëjë shprehimisht me korrigjime në deklaratat e mëparshme, të cilat kërkohen që të vihen në dispozicion që të mund t’i lexojë i akuzuari. Kjo është baza e kësaj kërkese që ne kemi”, ka thënë ai.

Prokurori i specializuar, Matthew Holling ka thënë se nuk e kanë detyrim që të përkthejnë këto dokumente.

Holling: Është e pamundur që t’i bëjmë përkthimet, nuk e kemi për detyrim

“Është e pamundur që t’i bëjmë përkthimet në kohën e përcaktuar për përgatitjen e dëshmitarit. Prandaj dhe ja lexojmë dëshmitarit dhe një herë, nuk është diçka që jemi të detyruar ta japim dhe kjo është në përputhje me udhëzimet tuaja. Nuk janë deklarata...nuk e kemi pra për detyrim t’i përkthejmë. Sugjerojmë që mbrojtja të ja lexojë klientëve, kështu siç bëjmë edhe ne me dëshmitarët për të konfirmuar saktësinë e deklaratave”, është shprehur ai.

Në seancën e sotme gjyqësore, ku është dëgjuar dëshmitari i katërt, kryegjykatësi, Charles L. Smith ka bërë të ditur konstatimin e trupit gjykues në lidhje me dy prova materiale të shënuara për identifikim, për çka ka thënë se të njëjtat do të pranohen.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

Para trupit gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës. Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagës prej nëntorit të vitit 2020.

Mbrojtja e Thaçit kërkon kohë për diskutim me klientin para fillimit të kundërpyetjeve

Mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi, avokat Gregory Kehoe ka kërkuar sot kohë që të diskutojë me klientin në lidhje me kundërpyetjet për dëshmitarin. Ai ka thënë se janë akuza të rënda dhe për këtë duhet kohë për të bërë hetime të tjera para se të fillojnë pyetjet e ekipit mbrojtës.

Pas mocionit të avokatit Kehoe për kohën që i nevojitet me klientin, kryegjykatësi, Charles L. Smith ka thënë se do të kenë kohë sot të gjithë nga një orë me klientët e tyre.

Smith: Do ju japim një orë sot

“Ne bëmë një verifikim tani, do ju japim një orë sot, të gjithë ju do të keni nga një orë me klientët pasdite. Pra, gjysmë ore do të hamë edhe pastaj gjysmë ore, dhe një orë mund të kaloni kohë me ata dhe përmes Zyrës Administrative, në çdo moment mund të kërkoni kohën që nevojitet dhe kjo do të ju plotësohet. Mund të diskutoni edhe përmes aplikacionit ‘Zoom’ me klientin në burg, nëse nuk dëshironi të diskutoni me ta fizikisht atje. Pra, ka mundësi të ndryshme që mund t’i shfrytëzoni nga sot deri të premten. Me sa e kuptojë kjo vlen vetëm për kundërpyetjet tuaja në këtë moment”, ka thënë Smith.

Por, mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi, avokati Gregory Kehoe është shprehur se Thaçi ka kërkuar që gjatë së premtës të diskutojnë lidhur me këtë çështje.

Kehoe: Klienti më kërkoi nëse mund të flasim të premten për këtë

“Klienti më kërkoj, nëse mund të flasim të premten për këtë, ka shumë gjëra që duam të diskutojmë lidhur me këto. E kuptoj edhe shqetësimin për kohën, por sikurse ju e dini, këto janë çështje shumë të rënda dhe akuza të rënda. Dhe për këtë na nevojitet më shumë se një orë kohë që të diskutojmë me klientin”, ka thënë avokati mbrojtës.

Tutje, Kehoe ka thënë para trupit gjykues që i duhet të bëjë hetime të tjera dhe se i duhet koha e nevojshme, para fillimit të kundërpyetjeve.

Kehoe-Smith: Më duhet të bëjë hetime tjera, më duhet kohë e nevojshme

Smith: Unë po ju them që do të keni më shumë se një orë.

Kehoe: Unë po ju kërkoj se unë kam informacion dhe më duhet të bëjë hetime të tjera dhe për këtë më duhet koha e nevojshme që ta bëjë, përpara se të fillojë më kundërpyetjet.

Smith: Mirë pra, do ta shohim. Sidoqoftë ju mund të shfrytëzoni çdo alternativë tjetër që ekziston dhe zyra administrative do të përpiqet të plotësojë çdo kërkesë që keni ju lidhur me këtë, sepse mund të merrni kohë shtesë”, ka thënë Smith.

Dëgjimi i dëshmitarit të katërt po vazhdon në sesion privat.

Përveç një pjesë të shkurtër të dëshmitarit të dytë, seancat e tjera në këtë proces gjyqësor janë zhvilluar tërësisht në seancë private.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

Para trupit gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagës prej nëntorit të vitit 2020.

​Dëshmitari i katërt në gjyqin ndaj Thaçit dhe të tjerëve po dëgjohet në seancë të mbyllur

Në seancë të mbyllur po dëgjohet dëshmitari i katërt në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Para se të fillojë dëgjimi i dëshmitarit të mbrojtur para trupit gjykues, prokurori i specializuar ka kërkuar që seanca të vijojë në sesion privat. Në sallën e gjyqit, sot (e mërkurë) janë të pranishëm Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Mbrojtja e ish-presidentit Thaçi, Gregory Kehoe ka thënë se do të prezantojë një mocion në seancë private.

Para fillimit të dëshmisë, kryegjykatësi, Charles L. Smith ka bërë të ditur përmes urdhrit me gojë, kërkesën e mbrojtjes së Rexhep Selimit, ku tha se nuk ka bazë ligjore që të heq nga procesverbali pjesë për të cilat nuk pajtohet mbrojtja.

Smith: Trupi gjykues e shqyrtoi kërkesën mbrojtjes së Selimit

“Gjatë dëshmisë së dëshmitarit 2652, mbrojtja e zotëri Selimit paraqiti një kundërshtim për dëshminë ku kinse lidhet zotëri Selimi me një incident të caktuar. Dhe kjo është në faqen 3230 të transkriptimit zyrtar. Baza për kundërshtimin e mbrojtjes është se dëshmia e propozuar nga ky dëshmitar për këtë incident apostafat është përjashtuar me urdhër gojor të trupit gjykues me 17 prill 2023. Në fund të seancës 19 prill 2023, mbrojtja e zotëri Selimi kërkoi të përjashtoheshin disa pjesë të procesverbalit në faqen 3230 dhe ky është transkriptimi zyrtar dhe këtë e bëri para se të paraqiste kundërshtimin. Trupi gjykues e shqyrtoi kërkesën dhe nuk mendon se ka bazë ligjore të parashikuar në ligje apo rregullore që t’i jap të drejtë trupi gjykues të heq nga procesverbali, pjesë të caktuara për të cilat nuk pajtohet mbrojtja”, ka thënë Smith.

Smith ka theksuar se trupi gjykues ka rrëzuar kërkesën e mbrojtjes së Selimit.

Smith: Kërkesa e Selimit rrëzohet

Dëshmia është dhënë, do të gjykohet në mënyrë të përshtatshme nëse është e nevojshme dhe në përputhje me vendimin e datës 17 prill nga trupi gjykues. Prandaj, kërkesa e zotëri Selimi rrëzohet”, ka shtuar Smith.

Në seancën e sotme, Smith bëri të ditur se nuk do të ketë seanca në javën e parë të tetorit. Por, do të do të ketë seanca një javë më parë, me 25, 26 dhe 27 shtator.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

Para trupit gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagës prej nëntorit të vitit 2020. 

Sot dëgjohet një dëshmitar i ri në rastin Thaçi e të tjerë

Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimit, sot do dalin para trupit gjykues përsëri.

Gjykimi ndaj tyre do të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarit të radhës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Në këtë proces deri tani janë dëgjuar tre dëshmitarë të prokurorisë të cilët kanë dëshmuar nën masa mbrojtëse, dhe në seanca pothuajse tërësisht të mbyllura për publikun.

Për muajin maj janë paraparë të zhvillohen dhjetë seanca.

Ditë më parë, Paneli i Gjykatës së Apelit ka rrëzuar apelet e 20 personave për të marrë pjesë në këtë proces si viktima.

Ata kishin apeluar vendimin e trupit gjykues ku refuzohej kërkesa e tyre për pjesëmarrje në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

Para trupit gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagës prej nëntorit të vitit 2020.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat