Raporton Bislimi, tregon mëkatin e Nagip Kasniqit dhe pse u arrestua, ja pse kundërshtohet nga opozita

Aktuale

Raporton Bislimi, tregon mëkatin e Nagip Kasniqit dhe pse u arrestua, ja pse kundërshtohet nga opozita

Më: 10 maj 2023 Në ora: 08:09 Përditësuar në ora: 10:14 më 10.05.2023
Besnik Bislimi

Bislimi: S’ka asnjë rast gjyqësor ndaj ambasadorit Berishaj

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për Integrim Evropian tha se rasti i ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj është konstrukt artificial i ndërtuar nga partitë opozitare në Kosovë dhe se ndaj tij nuk ka asnjë rast gjyqësor ndaj të gjitha këto janë spekulime dhe sipas tij opozita mund të vazhdoj me këto deklarime për ndonjë poenë politikë.

Rrezarta Krasniqi nga LDK tha se raporti i DASH-it ka dëshmuar të kundërtën e asaj që thotë qeveria për luftimin e korrupsionit duke përmendur pikërisht rastin e ambasadorit Berishaj dhe tashmë të kryeshefit të pezulluar të KEK-ut, Nagip Krasniqi.

Sa i takon arrestimit të ish-kryeshefit të KEK, Nagip Krasniqi, Bislimi tha se Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk po merret me 30 rastet e dorëzuara nga menaxhmenti i KEK-ut, por me Krasniqin sepse KEK si ndërmarrje publike ka shënuar përparim dhe mjetet e dala nga kjo ndërmarrje nuk kanë shkuar tek politikanët dhe as në jahte.

Ndërsa, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra ngriti si çështje pakënaqësitë e familjarëve te pagjeturve per Deklaratën për të pagjeturit dhe ikjen e lartë të qytetarëve nga Kosova.

Lidhur me Deklaratën për të Zhdukurit të dakorduar tashmë në Bruksel, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se opozita në Kosovë është i vetmi grupacion që mendon se atje po barazohet xhelati me viktimën. Sipas tij, kjo është shumë e gabueshme dhe nuk i shërben interesit tonë publik për gjetjen e personave tonë të pagjetur.

Bislimi thotë se punuan ditë e natë për liberalizim, kundërshtohet nga opozita

Zëvendëskryeministër i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog Besnik Bislimi, ka raportuar në Komisionin për Integrim Evropian për Programin Kombëtar për Integrim Evropian (PKIE) 2023-2027.

Me këtë rast ai tha se kanë punuar ditë e natë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Bislimi gjatë raportimit tha se ndonëse ishin plotësuar të gjitha kushtet, “hezitimet e disa vendeve anëtare vazhdonin”.

“Këto hezitime kishin të bënin kryesisht me korrupsionin, sundimin e ligjit, luftën kundër krimit të organizuar si dhe migrimin e parregullt”, tha ai.

Bislimi tha se pas një viti në qeverisje, “shënuam sukses në këto fusha”.

“Nuk mund t’i falënderoj mjaftueshëm të gjithë ata që kanë punuar ditë e natë që ky proces të përmbyllet me sukses”, tha ndër tjerash zëvendëskryeministri, duke përmendur veçanërisht përfaqësuesit e disa ministrive e stafin e tij.

Bislimi: Mëkati i Nagip Kasniqit është se ia solli KEK-ut 107 milionë euro profit, për këtë u arrestua

Qeveria vazhdon të jetë e indinjuar nga arrestimi i kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se ai u arrestua vetëm për shkak se i solli KEK-ut 107 milionë euro profit.

“Ne mendojmë që ka shumë korrupsion në KEK”, tha Bislimi gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për Integrime, duke shtuar se rastet korruptive menaxhmenti aktual “i ka deponuar në Prokurori”.

“Por ja që s’ka interes politik të një institucioni që unë do të thoja është politik, siç është Prokuroria që të merret me këto raste. Por, ka interes të merret vetëm me rastin e menaxherit i cili nga një kompani që ka punuar me humbje, e ka sjellë kompaninë me 107 milionë euro profit. Ky ka qenë mëkati i Nagip Krasniqit për të cilin është dashur të arrestohet”, tha Bislimi.

“Si ka mundësi që një kompani publike të gjenerojë 107 milionë euro dhe asnjë nga këta të mos përfundojë në xhepat e politikanëve. Ky është problem i madh, andaj duhet të arrestohet që të vijë dikush tjetër pas tij i cili e ndryshon mënyrën e menaxhimit”, shtoi zëvendëskryeministri.

Ai tha se paratë e fituara nga KEK-u do të shkonin në buxhetin e shtetit, dhe jo “në jahta luksoze të politikanëve”. Kjo, sipas tij, është arsyeja e arrestimit të Krasniqit.

Nagip Krasniqi është arrestuar më 19 prill me urdhër të Prokurorisë Speciale nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës, ushtrimit të ndikimit dhe konflikit të interesit. Një njësi e veçantë e hetimeve ia ka bastisur atij zyrën dhe dy banesa në Prishtinë.

Gjykata e Apelit së fundmi e refuzoi ankesën e avokatit të kryeshefit të pezulluar të KEK-ut, duke vendosur ta lë në fuqi vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës për ta mbajtur atë në paraburgim.

Bislimi raporton përpara Komisionit për Integrim Evropian

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog Besnik Bislimi sot do të raportojë në Komisionin për Integrim Evropian.

Raportimi i tij pritet të fillojë nga ora 10:00 në ndërtesën e Kuvendit.

Përveç Komisionit për Integrim Evropian, gjatë ditës do të mblidhen edhe:

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, si dhe Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat