Rritet në 60 milionë euro buxheti për listën esenciale të barnave

Aktuale

Rritet në 60 milionë euro buxheti për listën esenciale të barnave

Më: 10 maj 2023 Në ora: 16:37
Foto ilustrim

Qeveria e Kosovës ka rritur buxhetin për listën esenciale të barnave në 60 milionë euro. Këtë e ka konfirmuar ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Arben Vitia.

Ministri Vitia tha se rritja e buxhetit është bërë me qëllim të përmbushjes së nevojave shëndetësore të qytetarëve që të kenë tërë kohën barna me kosto sa më të përballueshme.

“Lista esenciale e barnave është bërë në bazë të kërkesave të klinikave dhe spitaleve në përputhje me buxhetin që e kemi pasur në dispozicion. Buxheti i paraparë sivjet për mbulimin e barnave esenciale është rreth 60 milionë euro që paraqet një rritje të ndjeshme krahasuar me vitet paraprake”, tha ministri Vitia.

Sipas ministrit Vitia, në listë janë futur produkte të reja, nga të cilat përfitojnë qytetarët që ballafaqohen me sëmundje të ndryshme kronike.

“Janë shtuar diku mbi 70 produkte të reja për trajtimin e sëmundjeve për qytetarët, të cilët vuajnë nga sëmundje kronike dhe për të zgjedhur mundësitë e kurimit për ta”, theksoi ministri Vitia.

Në të njëjtën konferencë për media, ministri Vitia komentoi edhe një tender të hapur në vitin 2020 për sigurimin e insulinave.

Ai akuzoi Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), që sipas tij, ka bërë vazhdimisht presion mbi Ministrinë e Shëndetësisë të Kosovës për nënshkrimin e një kontrate me një operator ekonomik, pavarësisht se ky i fundit nuk i ka garancitë e cilësisë për produktin që përdoret për trajtimin e sëmundjes së diabetit.

Ministria Vitia tha se OSHP-ja ka tejkaluar kompetencat e veta duke hyrë edhe në interpretime ligjore, të cilat nuk i takojnë.

“[OSHP-ja] ka bërë një precedent duke bërë presion në MSH-në për të nënshkruar diçka që për mendimin tonë dhe të zyrës ligjore është i paligjshëm dhe ajo që mendojmë se është edhe më e rëndësishmja, mund ta dëmtojë shëndetin publik të qytetarëve të Kosovës”, deklaroi Vitia.

Ky tender ishte hapur në fund të vitit 2020.

Nga vitit 2021, menaxherët aktualë të Ministrisë së Shëndetësisë kanë kërkuar që ky tender të anulohet dhe në një tender të ri t'u mundësohet aplikimi kompanive që plotësojnë kërkesat ligjore./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat