Luljeta Sharani rrëfen tmerrin e vrasjes së familjarëve të saj para 24 vjetësh

Aktuale

Luljeta Sharani rrëfen tmerrin e vrasjes së familjarëve të saj para 24 vjetësh

Më: 10 maj 2023 Në ora: 21:06
Luljeta Sharani

Dhimbjen e ka të freskët dhe kujtimet i rikthehen sa herë që vjen 10 maji.

Është kjo Luljeta Sharani nga Gjakova e cila pranverën e vitit 1999, u detyrua që të largohej nga shtëpia e në oborr të linte para tytave të policëve serbë,  bashkëshortin 48-vjeçar dhe dy djemtë, njërin 22 e tjetrin 20-vjeçar.

Të gjendur në mes të çarshisë në Gjakovë, kjo familje për dy ditë u torturua nga policët serbë, të cilët mëngjesin e 10 majit filluan t’i ndanin familjarët.

“Deshëm me shtru mëngjesin, dyert vetëm u thyen në ora 09 e 15 në mëngjes, hynë policia e armatosur deri në dhëmbë, aq mirë ditën mu pozicionua në oborr, edhe njëri prej fqinjëve që ish nga familja Saraqini, shkun e kapen për më zanë ata peng e me na nxjerrë neve jashtë. Unë po ju them dy djemve mos dilni bre, ata me thanë, mam ku me u fsheh, krejt lagjja është e rrethume”, ka thënë Sharani.

Ëndrrat e viktimave ishin të mëdha, por e tëra çka mbeti nga kujtimi i tyre janë fotografitë e tyre dhe pak gjësende nga dita kritike.

Përveç djemve e bashkëshortit të saj, në atë ditë u vranë edhe dy kunetërit e Sharanit dhe një familjar tjetër.

E, dhimbja sikur ditën kur janë vrarë, thotë të ketë qenë e njëjtë edhe kur ata janë rivarrosur pas luftës thotë Mandushe Sharani, e cila po në këtë datë humbi bashkëshortin.

“Të gjithë këta që janë ekzekutu janë varrosë në varrezat e  qytetit dhe mbas një muaji këta i kanë marrë, i kanë varrosë në një varr masiv në Batajnicë”, ka thënë familjarja tjetër, Mandrushe Sharani.

E, tërë veprimet kriminale ndaj kësaj familje u bënë në oborrin e shtëpisë.

Pranvera Sharani, nusja tjetër e familjes, rrëfen momentet e fundit me burrin, kunetërit e familjarët e tjerë para se të ekzekutoheshin.

Së pari kur kanë hy ka qenë mëngjes, thotë burri erdhën, djali duke quajtur tha erdhën të tjerë. Unë e hapi derën edhe kur janë hy kanë qenë më uniforma blu, kanë qenë të njohshëm. Të tërë na kanë qitë jashtë, prej tmerrit nuk e  kam parë djalin, kur dola jashtë e shoh një polic të njohshëm, i thash a e din ku je ardh, ma bëri mërsh na e kemi punën tonë. Kur jam hy me marrë djalin brenda të gjitha kanë qenë të gjallë”, ka thënë Pranvera Sharani.

Së bashku më gjashtë anëtarët e familjes Sharani, më 10 maj në të njëjtin vend u vranë edhe pesë fqinj të tyre, të cilët ishin të strehuar në shtëpinë e familjes Sharani.

Trupat e gjashtë anëtareve të familjes Sharani u gjetën disa vite pas luftës në një varrezë masive në Batajnicë të Serbisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat