Seancë e mbyllur në Hagë, dëshmitari i katërt intervistohet nga prokuroria

Aktuale

Seancë e mbyllur në Hagë, dëshmitari i katërt intervistohet nga prokuroria

Më: 11 maj 2023 Në ora: 08:10 Përditësuar në ora: 10:52 më 11.05.2023
Seanca në Hagë

Seancë e mbyllur në Hagë, dëshmitari i katërt intervistohet nga prokuroria

Dëshmitari i katërt në gjykimin ndaj ish-krerëve të ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK) po vazhdon të dëgjohet në seancë të mbyllur.

Ai po përgjigjet në pyetjet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS) për të dytën ditë me radhë.

Nën masa mbrojtëse, dhe në seancë private, dëshmitari i cili mban kodin 4748 e ka dhënë një pjesë të dëshmisë së tij edhe të mërkurën.

Njësoj ka ndodhur edhe me tre dëshmitarët e tjerë të prokurorisë në këtë proces gjyqësor, ku dëshmitë e tyre nuk po i dëgjon publiku.

Ndërsa para mbërritjes së tij në gjykatore, turpi gjykues ka rrëzuar kërkesën mbrojtjes së Jakup Krasniqit për përkthimin e shënimeve paraprake të ZPS-së.

Charles L Smtih ka thënë se urdhri për kryerjen e procedurave nuk kërkon që prokuroria të jap përkthim të shënimeve përgatitore.

Smith: Hidhet poshtë kërkesa e mbrojtjes së Krasniqit për përkthimin e shënimeve

“Trupi gjykues është i mendimit se nuk ka asnjë padrejtësi dhe kjo duket se është në përputhje me praktiken e tribunaleve të tjerë, sidomos të TPNJ-së. Prandaj kërkesa e mbrojtjes së Krasniqit për përkthimin e këtyre shënimeve hidhet poshtë”, ka thënë kryegjykatësi Smith.

Ai ka thënë se qëllimi i këtyre shënimeve është që mbrojtja të njoftohet për çdo sqarim, ndryshim apo korrigjim të bërë nga dëshmitari në deklaratat e mëparshme, dhe arsyet për këto ndryshime.

Sipas tij, pjesët përkatëse të këtyre shënimeve mund të përkthehen apo interpretohen nga mbrojtja.

Pas kësaj, me kërkesë të ZPS-së, intervistimi i dëshmitarit të katërt ka vijuar i mbyllur për publikun.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi, për të cilët prokuroria pretendon se kanë kryer krime lufte, po marrin pjesë në sallën e gjyqit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Ata po gjykohen pas një procedure paraprake që ka zgjatur më shumë se dy vjet.

Gjatë krejt kësaj kohe, ish-presidenti Thaçi, ish-kryeparlamentarët Krasniqi dhe Veseli, si dhe ish-deputeti Selimi, po qëndrojnë në paraburgim në Hagë, ndërsa në paraqitjet e tyre para gjykatës ata janë deklaruar të pafajshëm.

Në Hagë vazhdon procesi gjyqësor në rastin “Thaçi e të tjerët”

Sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Gjykimi ndaj tyre do të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarit të radhës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Në këtë proces deri tani janë dëgjuar katër dëshmitarë të prokurorisë të cilët kanë dëshmuar nën masa mbrojtëse, dhe në seanca pothuajse tërësisht të mbyllura për publikun.

Dje pjesa më e madhe e seancës u mbajt e mbyllur për publikun, gjykatësi Smith shpjegoi se gjatë dëshmisë së dëshmitarit 265, mbrojtja e Selimit paraqiti një kundërshtim  për dëshminë nga seanca e asaj date.

Gjatë seancës së djeshme ka filluar dhënien e dëshmisë dëshmitari i katërt i mbrojtur i prokurorisë. 

Për muajin maj janë paraparë të zhvillohen dhjetë seanca.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat