Murati rrëfen ngjarjen se si UÇK-ja dhe LKÇK-ja i tejkaluan dallimet për t’u bashkuar për luftën çlirimtare

Aktuale

Murati rrëfen ngjarjen se si UÇK-ja dhe LKÇK-ja i tejkaluan dallimet për t’u bashkuar për luftën çlirimtare

Më: 11 maj 2023 Në ora: 20:39
Valon Murati

Organizimet për rezistencë të armatosur, ndaj Serbisë, datojnë edhe më herët se viti 1999, kur edhe doli publikisht në skenë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës  e njohur me akronimin UÇK.

Përpos, UÇK-së, në Kosovë kishte edhe lëvizje të tjera, që për synim kishin çlirimin e vendit përmes luftës çlirimtare, por me disa dallime në mënyrën se si duhej bërë ajo.

Në emisionin “Five”, Valon Murati, i cili në të kaluarën ishte pjesë e Lëvizjes Kombëtare Çlirimtare të Kosovës (LKÇK), ka rrëfyer mënyrën, sfidat dhe përpjekjet e bashkimit të dy lëvizjeve që kishin për qëllim çlirimin e vendit.

Sipas Muratit, objektivi kryesor i të dyja lëvizjeve ishti i njëjtë, por ato kishin dallime se si e mendonin organizimin e luftës. LKÇK-ja, synonte që përmes gazetës ilegale në atë kohë, “Çlirimi”, ishte fokusuar që ta bindte popullin  e Kosovës, që vetëm lufta e armatosur, mund ta sillte lirinë e vendit.

Kurse UÇK-ja, veçse kishte filluar të veprojë në terren duke organizuar sulme ndaj forcave serbe.

“UCK dhe LKCK, përveç objektivit kryesor, organizimin e luftës çlirimtare, kishin dallime se si e mendonin organizimin e luftës. Momenti i bashkimit, fillimi i luftës na gjeti me dy-tri organizata, UCK, LPK, LKCK, të shtrira në teren, e me struktura. Kjo ishte situatë jo shumë e këndshme për luftën clirimtare”, tha Murati.

Përpjekjet për t’u bashkuar këto dy lëvizje, sipas Muratit, kishin filluar që në vitin 1996, takim i cili kishte dështuar për shkak se anëtari i LKÇK-ë, Mehë Uka, ishte vrarë dhe ishte kamufluar si aksident.

“Përpjekje për t’u afru ka pasur që më herët, në vitin 1996 ka qenë një përpjekje serioze, një takim që ka dështu realisht, për shkaqe sepse eprsoni qe ishte kyç, Mehë Uka, anëtar i LKCK-së, thuhet që ka pësu aksident, që besohet se ka qenë aksident i montuar. Ai ka vdekur në fund të vitit 1996. Ka qenë në aktivitet në punë për ta organizu një takim mes LKCK-së dhe UCK-së, nga ana e LKCK-së, ka pas të marrë pjesë Avni Klinaku dhe Fatmir Humolli, nga ana e UCK-së, Sahit Jashari, Rexhep Selimi, me emra mund të gabojmë, por ka dështu ky takim. Qëllimi ka qenë nëse jo bashkimi, të koordinohen veprimet”, tha Murati.

Por, rruga e të dyja lëvizjeve sipas Muratit ishte gjithmonë e përbashkët. Edhe UÇK-ja edhe LKÇK-ja, sipas tij ishin kundër idesë së “rezistencës”, pacifiste të LDK-së.

“Fokusi ka qenë dërgimi i zërit se rrugë tjetër se përveç luftës rrugë tjetër nuk ka, që të organizohet kryengritja e armatosur. UCK ishte përqendruar në aksionet luftarake, këto ishin diferencat kryesore. Ne mendonim për të filluar në fazën e armatosur duhet të kemi masë kritike në popull, që ishin nënshtruar për rrugën pacifiste, ne thonim që ta blindimin që lufta e armatosur është zgjidhja. Por rruga ishte e përbashkët”, tha ai.

Bisedimet për të krijuar unitet, kishin dështuar në vitin 1996, kurse pas këtij viti, Murati rrëfeu se kishin ndodhur vrasje e arrestime masive, të njerëzve kryesorë të lëvizjeve çlirimtare.

“Ato dështuan në atë kohë, menjëherë mas asaj ndodhën arrestimet e mëdha, të janarit 97, ku u vra Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha, Hakif Zejnullahu, ku u arrestu Avni Klinaku, Dylber Beka, Liburn Aliu, Shaban Beka, Gani Baliu e shumë të tjerë. Nga UCK, Nait Hasani, Demir Limaj, Asllan Selimi etj. Ishte goditje e njëkohshme. Serbia kishte mëndu që ne jemi gjithë bashkë, që LKCK është krahu politik dhe UCK krahu ushtarak. LPK që ishte krahu financiar nga jashtë”, tha ai.

Rënia e familjes Jashari, unifikimi dhe lufta çlirimtare

Murati, tregoi se rënia heroike e familjes së Adem Jasharit, ishte shkëndija e parë e fillimit të kryengritjes së armatosur, e cila sipas tij krijoi situatë të re.

Pas asaj ngjarje, kishin filluar trajnimet në Shqipëri, dhe sjellja e armëve nga LKÇK e UÇK. Po ashtu, pas rënies së familjes Jashari, ishte organizuar edhe takimi i radhës mes përfaqësuesve të UÇK-së, dhe LKÇK-së, ku edhe kishin arritur një marrëveshje me dy pika.

Pika e parë, sipas Muratit thoshte se “Të gjitha njësitë e LKCK-së, të futen nën urdhrat e UCK-së, LKCK vazhdon të jetë subjekt i pavarur politik”, kurse pika e dytë sipas tij thoshte se “, të krijohet një front i përbashkët i luftës, një qeveri e luftës, si e mendonim ne si LKÇK të bëhej”.

Ky unifikim, sipas Muratit, ndikoi shumë në organizim të luftës në terren, duke i tejkaluar të gjitha dallimet lufta për çlirim sipas tij ishte forcuar.

Murati tregoi se pika e parë e marrëveshjes ishte realizuar plotësisht kurse e dyta jo.  Marrëveshja ishte nënshkruar në fshatin Aqarevë, nga ana LKÇK-së ishte nënshkruar nga Sabit Gashi, ku prezent kishte qenë edhe  Arben Fetoshi, kurse nga ana e UCK-së ka nënshkruar qenë Rexhep Selimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat