EULEX vjen me reagimin e fundit për situatën në veri

Aktuale

EULEX vjen me reagimin e fundit për situatën në veri

Më: 12 maj 2023 Në ora: 16:25
EULEX

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), vazhdon ta sheh të brishtë situatën e sigurisë në veri të Kosovës.

Kjo për shkak të dorëheqjeve nga institucionit që kanë ndodhur vitin e kaluar nga zyrtarët serb.

“Situata e sigurisë në veri të Kosovës mbetet e brishtë pasi vakumi i sigurisë dhe sundimit të ligjit të krijuar pas dorëheqjes së policëve, prokurorëve, gjykatësve dhe personelit mbështetës serb të Kosovës ende vazhdon”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it.

E, duke parë situatën e tillë, nga EULEX-i, kur janë pyetur se a janë duke e shqyrtuar mundësinë që të rrisin numrin e pjesëtarëve të tyre në atë pjesë, kanë thënë se përpos 101 policëve, janë edhe 34 xhandarë që po mbështesin kapacitetet e misionit në terren.

“EULEX-i po ndjek nga afër zhvillimet në veri të Kosovës përmes pranisë së Njësisë së Formuar të Policisë, e cila përbëhet nga 101 policë, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in. Përveç kësaj, 34 xhandarë të Njësisë së Policisë së Formuar në Rezervë (NFPP) po mbështesin kapacitetin e Misionit në terren”, thuhet më tutje në përgjigje.

Ndërsa, thonë se janë të gatshëm të mbështesin Policinë e Kosovës maksimalisht në ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë të të gjitha komuniteteve.

Nga misioni i EULEX-it, kanë folur edhe për deklaratën e të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha se ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të ketë ose normalizim ose konflikt, dhe se BE-ja po punon për të parën.

Sipas tyre e vetmja rrugë përpara është normalizimi.

Kurse, kanë kërkuar nga të dyja palët që të përmbahen nga veprimet që mund të shkaktojnë tensione.

“E vetmja rrugë përpara është normalizimi i marrëdhënieve përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ajo që është e rëndësishme është që palët të fokusohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe të përmbahen nga veprimet që mund të shkaktojnë tensione”.

Në fund të prillit Kuvendi i Komunës së Mitrovicës së Veriut ka marrë vendim për hapjen e urës së Ibrit për qarkullimin e automjeteve.

Kjo iniciativë nxiti deklarata të ndryshme.

Nga Qeveria e Kosovës kishin thënë se vendimi për hapjen e Urës së Ibrit është vendim i duhur dhe i drejtë, por nga misioni i KFOR-it, kanë thënë rihapja e Urës së Ibrit për qarkullim të makinave është një problematikë që duhet të zgjidhet përmes dialogut politik.

E, në një përgjigje nga misioni i EULEX-it kanë thënë se çdo vendim për hapjen e Urës së Ibrit duhet të jetë në koordinim dhe në kuadër të dialogut mes të dyja vendeve.

“Hapja e urës së Mitrovicës është një çështje që i përket dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Negociatat dhe çdo vendim lidhur me Urën duhet të zhvillohen në kuadër të dialogut me pjesëmarrjen e delegacioneve zyrtare të Kosovës dhe Serbisë. Veprimet e pakoordinuara nuk kontribuojnë në një atmosferë të favorshme për diskutime të rëndësishme në procesin e dialogut në vazhdim, veçanërisht për zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit të Marrëdhënieve”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it.

Pas luftës së viteve 1998/99, ura kryesore në Mitrovicë e ka ndarë qytetin në pjesën veriore, ku shumica e popullsisë është serbe, dhe në pjesën jugore, ku shumica janë shqiptarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat